Piktorët në Maqedoni përballen me vështirësi për njohje dhe mbështetje, pavarësisht trashëgimisë së pasur artistike dhe talentit të tyre. Sipas piktores Lulëzime Osmani, megjithatë, vitet e fundit ka pasur përmirësime në këtë drejtim.
“Unë mendoj se me kalimin e viteve, duke u munduar të bëjmë diçka e kemi arritur Kërçovën në një nivel më të lartë, sepse din pak njerëzit, por jo thelbin të vlerësohesh ashtu si në shtetet e jashtme dhe këtu bazohem se para 8 viteve me kursin që kam, kisha 6 fëmijë ose 7 fëmijë. Sot kam 40 fëmijë qoftë shqiptarë dhe maqedonasë”, tha Lulëzime Osmani –artiste.
Galeritë shtetërore dhe ato private janë të kufizuara në numër dhe jo gjithmonë ofrojnë platforma të qëndrueshme për promovimin e artistëve bashkëkohorë. Shumë piktorë detyrohen të ekspozojnë jashtë vendit për të fituar njohje më të gjerë dhe mundësi më të mira për shitje.
“Numri i njerëzve është shumë i vogël, janë me ftesa personale ose nga hatërmbetja që të vijë dikush të të nderoj në ekspozitë. Njerëzit më shumë preferojnë të rrinë ulur në një kafene duke shpenzuar orë të tëra se sa te dalin dhe të shohin diçka të bukur. Nuk e di pse ndodh, ndoshta na ka rënë komplet interesimi për jetën në Maqedoni”, theksoi Lulëzime Osmani – artiste.
Vepra artistike në tregun vendas shitet rrallë dhe shpesh me çmime të ulëta, që nuk reflektojnë punën, talentin dhe përkushtimin e artistit. Mungesa e mbështetjes së qëndrueshme nga institucionet kulturore dhe mungesa e një tregu të mirëfilltë arti, e bën të vështirë për artistët që të jetojnë vetëm nga arti i tyre.
“Në qoftë se një artist do të varet nga shitjet, nuk ka se si të jetojë, sidomos në Kërçovë ose në ndonjë vend pak më të vogël se Kërçova. Unë flas me bindjen time personale sepse nëse unë nuk do të isha arsimtare, nuk do të kisha edhe kursin që kam më fëmijët në këtë studio. Në qoftë se isha marr vetëm me shitjen e pikturave nuk ka mbijetesë”, tha Lulëzime Osmani – artiste.
Artistja thotë se përmirësimi i kësaj gjendjeje kërkon një angazhim më të madh nga institucionet shtetërore, edukim më të gjerë publik për rëndësinë e artit dhe zhvillimin e një tregu arti që i jep vendin që meritojnë krijuesit vendas. /TV21/