PISA PO VJEN

    TESTI I RI PISA E GJEN SISTEMIN ARSIMOR TË KOSOVËS ME PROBLEMET E VJETRA

    Rezultatet e dobëta të sistemit arsimor të Kosovës në vitin 2018 në PISA, testin ndërkombëtar për vlerësim të nxënësve, e bënë këtë test pjesë të pandashme të pothuajse çdo diskutimi rreth cilësisë së arsimit në Kosovë.

    Për të parën herë, sistemi arsimor i Kosovës iu nënshtrua këtij testi në vitin 2015, ku doli e treta nga fundi, ndërsa në 2018 u ngjit veç një vend më lart, duke qenë e katërta nga fundi i listës. Testi PISA i matë aftësitë e nxënësve të moshave 15 dhe 16-vjeçare për t’i zbatuar njohuritë në praktikë e këtu sistemi arsimor i Kosovës doli nën mesataren e vendeve të Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD). 

    Testi PISA që mbahet çdo tri vjet, nuk u mbajt në vitin 2021 për shkak të pandemisë Covid-19. Tash, testi do të mbahet në periudhën korrik-shtator 2022 dhe të njëjtit do t’i nënshtrohen rreth 6,300 nxënës nga secili prej 85 vendeve pjesëmarrëse, përfshirë edhe Kosovën.Rezultatet e para priten të dalin tek në dhjetor të vitit 2023.

    Vetë OECD –– organizuese e PISA –– në raportin e fundit shumë-dimensional për shtetet e Ballkanit Perëndimor e rendit arsimin e reformat në të si një prej çështjeve më urgjente me të cilën duhet të merren institucionet e Kosovës. Por, reformat kyçe në këtë sektor që synonin ngritjen e cilësisë dhe radhitjen më të mirë në PISA, kanë ngecur. Ndërkohë, dy vjet të pandemisë Covid-19 shkundën sistemet e arsimit kudo e sidomos në vendet si Kosova, ku sistemi arsimor edhe para pandemisë konsiderohej si një prej hallkave më të dobëta të shoqërisë.

    Në të njëjtën kohë, më 19 prill, në 28 komuna të Kosovës, u mbajt një protestë e nxënësve, me togfjalëshin “S’po shkohet në shkollë”. Përmes kësaj proteste — e para e kësaj natyre — të organizuar nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK), u kërkua që të kthehet vëmendja e institucioneve, mësimdhënësve dhe prindërve drejt cilësisë në arsim.    

    Tash, nga qeveria, e cila erdhi në krye të vendit një vit më parë, e gjendur përballë nevojës së menjëhershme për t’i trajtuar pasojat e Covid-19 në arsim si dhe asaj për t’i adresuar kërkesat tjera të këtij sektori, thonë se nuk ka shpresë për ndonjë përmirësim në PISA. 

    Kurrikulë e re në rrethana të vjetra

    Më 11 mars 2020, kur nëpër botë regjistroheshin raste në rritje të personave me Covid-19, qeveria e Kosovës, si masë parandaluese, mori vendim që të mbylleshin shkollat. 

    Në ato rrethana, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) bashkë me palë tjera, organizoi mësimin në distancë që fillimisht përfshiu transmetimin e video-mësimeve në televizionin publik të Kosovës (RTK) për nxënësit në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët. Organizimi i mësimit për arsimin e mesëm dhe të lartë u la në përgjegjësi të komunave, të cilat shfrytëzuan platformat elektronike, si Zoom, për takim për mbajtjen e orëve. 

    Viti i ri shkollor 2020/2021 filloi me vonesa të shumta, të cilat u përcollën me masa për parandalim të pandemisë si distancimi fizik, që kërkonte reduktimin e numrit të nxënësve nëpër klasa, matje temperature, mbajtje maskash e masa tjera parandaluese. Gjatë kësaj periudhe nga MAShT u hartua një udhëzues për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë, i cili prezantoi tri skenare të zhvillimit të mësimit, varësisht nga vlerësimi i situatës dhe niveli i rrezikshmërisë lidhur me Covid-19. Këta skenarë janë: skenari A, mësimi me prezencë, i zbatueshëm kur niveli i rrezikshmërisë është i ulët; skenari B, rikthimi i pjesshëm, mësim i kombinuar me prezencë dhe në distancë, kur niveli i rrezikshmërisë është mesatar; dhe skenari C, mbyllje e shkollave dhe mësim në distancë, kur niveli i rrezikshmërisë është i lartë.

    Përqendrimi i vëmendjes në menaxhimin e procesit mësimor gjatë pandemisë e la anash prioritizimin e nevojshëm të zbatimit të kurrikulës së re. E konsideruar si një prej reformave më të mëdha në sistemin e arsimit fillor që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përmes kësaj kurrikule synohej të transformoheshin thelbësisht mënyrat e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

    Kurrikula e re në arsimin parauniversitar u miratua së pari në vitin 2011, pastaj u rishikua në mars 2016 për t’u vënë në zbatim tek pas dy vitesh, në 2018.  

    Korniza e kësaj kurrikule synon ndryshimin e qëllimit të arsimit prej të qenit i bazuar në lëndë — pra përqendrimin në rritjen e njohurive në lëndë si matematika e gramatika — në mbështetjen tek kompetencat dhe shkathtësitë. Kjo kornizë synon që t’i përgatisë të rinjtë e të rejat e Kosovës për t’u përballë me sfidat e shekullit XXI dhe të gjenerojnë dije të reja konkurruese në mënyrë aktive për tregun global të punës.

    Por, ndonëse zbatimi i kësaj kurrikule do ta rriste dukshëm cilësinë e arsimit në Kosovë, ky proces është kritikuar në vazhdimësi për shkak se nuk ishte planifikuar duke marrë parasysh kapitalin e kufizuar njerëzor dhe infrastrakturor; si dhe mungesën e përgatitjeve paraprake. Infrastruktura shkollore vazhdon të ketë mungesë të bibliotekave, laboratorëve e kabineteve teknologjike, ndërkohë që mësimi vazhdon të mbahet në dy ndërrime.

    Instituti Pedakogjik i Kosovës (IPK), i cili është institucion i pavarur publik që ofron shërbime profesionale për MAShT, gjatë vitit 2019 kishte bërë hulumtim rreth zbatimit të kurrikulës së re. Sipas vlerësimit të tyre, ndër tjera, zbatimi i kurrikulës së re kishte nisur pa u konsoliduar mekanizmat e nevojshëm për udhëheqje të procesit, monitorim dhe mbështetje të shkollave, të cilat “kanë mbetur të vetme në udhëheqjen e zbatimit të kurrikulës në nivel shkolle, pa mbështetje profesionale të konsoliduar dhe të vazhdueshme”. 

    Në mungesë të një trupe udhëheqëse dhe koordinuese, sipas IPK-së, aktivitetet kryesore që lidhen me reformën kurrikulare vazhdonin të ishin të fragmentuara dhe të pakoordinuara brenda sektorëve dhe nënsektorëve në MAShT dhe si të tilla reflektohen edhe në punën e drejtorive komunale të arsimit (DKA) dhe shkollave. Çështjen e mungesës së kapaciteteve të DKA-ve dhe shkollave për të zbatuar kërkesat e kurrikulës së re e ngriti edhe OECD në raportin e fundit, duke thënë që DKA-ve dhe shkollave u duhen më shumë kapacitete dhe burime për t’i realizuar, ndër tjera, proceset për sigurim të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

    Një prej pasojave të kësaj mungese të bashkërendimit vërehet tek përgatitja e teksteve të reja shkollore, gjë që është pjesë qenësore e kurrikulës së re. Petrit Tahiri, drejtor i organizatës joqeveritare që merret me fushën e arsimit, Qendra Kosovare për Arsim (QAK), thotë se zbatimi i kurrikulës së re është dëmtuar nga mungesa të përgatitjeve paraprake. 

    Për shembull, sipas kurrikulës së re, mësimdhënësit kanë mundësi të përzgjedhin tekste tjera shkollore, përpos atyre të përzgjedhura nga MAShT, nëse e vlerësojnë që ato tekste do të ndihmonin në përmbushjen e nevojave specifike të nxënësve të tyre. 

    “Kjo është diçka shumë e mirë që ka ndodh për herë të parë te ne”, tha Tahiri, por shtoi se prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit nuk kanë qenë mjaftueshëm të njoftuar për procesin dhe rrjedhimisht nuk janë përgatitur që t’i zgjedhin tekstet shkollore. 

    Petrit Tahiri nga KEC thotë që zbatimin e kurrikulës së re në arsim e ka penguar mospërgatitja paraprake. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

    Dukagjin Pupovci, zëvendësministër në MAShT, thotë se në ministri janë të vetëdijshëm se zbatimi i kurrikulës nuk është zhvilluar në kushte të zakonshme.

    “Sa i përket zbatimit të kurrikulës së re, kjo është ndër sfidat më të mëdha të sistemit të arsimit të Kosovës”, tha Pupovci. “Pilotimi ka zgjatë shumë, mirëpo nga ana tjetër nuk janë përcjellë sa dhe si duhet rezultatet e atij pilotimi, prandaj edhe mund të themi se zbatimi i kurrikulës në vitin 2018 ka filluar pa përgatitjet e duhura”.

    Sipas Pupovcit, përpos sfidave të trashëguara prej më parë, pandemia ka ndikuar që qeverisë së re, respektivisht MAShT-it t’i duhet të përqendrohet në normalizimin e gjendjes së mësimit në rrethanat e reja, duke ndikuar tutje në stagnimin e zbatimit të kurrikulës së re. “Këto çrregullime të jashtëzakonshme në procesin mësimor [gjatë pandemisë] nuk kanë lejuar të përqendrohemi në adresimin e problemeve që ndërlidhen me kurrikulën”, tha ai.

    Megjithkëtë, sipas tij, tashmë janë ndërmarrë hapa që ta shtyejnë këtë proces para. 

    Njëri ndër ta është edhe rifunksionalizimi i aktiveve profesionale –– organe shkollore –– të cilat synojnë decentralizimin e përgjegjësive për zbatimin e kurrikulës nga ministria tek niveli lokal. Të përbëra prej mësimdhënësve, aktivet profesionale, ndër tjera, do të jenë përgjegjëse për t’u kujdesur për realizimin cilësor dhe sasior të programit mësimor. 

    Një hap që mendohet se do ta ndihmonte zbatimin e kurrikulës së re është përditësimi i teksteve shkollore, që do shtyhej përpara me miratimin e projektligjit, që ndër tjera parasheh kritere më rigoroze për vlerësim të përmbajtjeve në tekste. Momentalisht, sistemi arsimor në Kosovë operon me përmbajtje, të cilat janë konsideruar të papërditësuara, të pasakta e me gjuhë diskriminuese, sidomos kur është fjala për minoritetet etnike, gratë dhe personat LGBTQ+.  

    Përkundër kësaj, ky projektligj qe 5 vjet nuk është dërguar në Kuvend për miratim, anipse në vitin 2021, nga qeveria patën thënë se besojnë që projektligji do të shkojë në Kuvend brenda atij viti. Ligji aktual për tekstet shkollore është i vitit 2007.

    Ndërkohë edhe QAK kishte identifikuar disa sfida tjera që po e pengojnë realizimin e reformës kurrikulare. Ato, ndër tjera, përfshinin qasjen e fragmentuar dhe jokoherente në zbatimin e elementeve të reformës, orientimin dhe përkrahjen e pamjaftueshme të mësimdhënësve dhe shkollave; cilësinë e dobët të menaxhimit të shkollave e angazhimin e pamjaftueshëm të drejtorive komunale në këtë proces.

    Sipas Tahirit nga QAK, në fund të ditës janë drejtoritë komunale, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe i gjithë personeli arsimor që do të duhej t’i zbatonte politikat e udhëzimet e hartuara nga ministria. Por, sipas tij, ekziston një mungesë komunikimi dhe harmonizimi i veprimeve në mes të MAShT dhe drejtorive komunale të arsimit (DKA). 

    Edhe një strategji e pa realizuar

    Shkollat nëpër qytete e fshatra të Kosovës dallojnë prej njëra-tjetrës, qoftë për nga numri i nxënësve, mësimdhënësve, qoftë nga infrastruktura dhe kapacitetet njerëzore për t’i mbështetur proceset e reformave. Përderisa disa shkolla të qyteteve të mëdha mund të jenë të pajisura me kabinete teknologjike, biblioteka dhe mjete të tjera të nevojshme për ta realizuar mësimin, shkollat nëpër qytete më të vogla a fshatra, ende funksionojnë me mjete bazike siç janë dërrasa e zezë dhe shkumësi. 

    Dallimet në kapacitete njerëzore, ndërkohë, janë të dukshme edhe në vetë drejtoritë komunale të arsimit. Por, pavarësisht këtyre dallimeve si në nivelin e shkollave si në atë të DKA-ve, MAShT kryesisht përdor qasje të njëjtë strategjike për të gjitha. 

    Si në rastin e ngecjeve në zbatimin e reformës kurrikulare, trajtimi i secilës komunë me të njëjtën qasje, vlerësohet të jetë faktor kyç në mosrealizimin e politikave tjera që synojnë ngritjen e cilësisë, si për shembull, Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2017-2021 (PSAK), i cili është dokumenti bazë për zhvillimin e sektorit të arsimit në periudhën respektive.

    Ky plan strategjik i aprovuar në vitin 2016, përmbante shtatë objektiva për të zhvilluar një sistem arsimor të bazuar në cilësi, qasje gjithëpërfshirëse dhe në llogaridhënie me qëllim të formimit të individëve në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Shuma e përgjithshme e këtij plani ishte 176,94 milionë euro.

    Sipas një vlerësimi të organizatës QAK, deri në vitin 2021 janë realizuar plotësisht vetëm dy nga 48 rezultatet e synuara të shtatë objektivave strategjikë dhe vetëm 19 nga 264 masat e planifikuara të PSAK-ut. 

    Gjetjet kryesore të vlerësimit tregojnë se ndër arsyet për mospërmbushjen e synimeve të PSAK, ndër tjera, ishin edhe zgjedhjet e shumta të përgjithshme dhe lokale brenda periudhës 2017-2021, gjë që ka zhvendosur vëmendjen nga problemet e arsimit. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, MAShT ka ndërruar udhëheqje katër herë. 

    QAK përmendi po ashtu se MAShT kishte dështuar që të krijonte një sistem të qëndrueshëm ku nivelet lokale do ta bartnin përgjegjësinë dhe llogaridhënien për implementimin e obligimeve të dala nga PSAK.  

    PUPOVCI THOTË SE PROBLEMI KRYESOR I TË GJITHA STRATEGJIVE TË ARSIMIT ËSHTË ZBATIMI.

    Për ta lehtësuar zbatimin e këtij plani strategjik në nivel lokal, QAK kishe punuar me disa prej komunave përmes projekteve të ndryshme që të hartojnë plane lokale të veprimit në fushën e arsimit në përputhje me strategjinë në nivel qendror, por duke marrë parasysh edhe nevojat,rrethanat dhe kontekstin lokal. Sidoqoftë, sipas Tahirit, këto nuk janë zbatuar.

    “Fatkeqësisht edhe ato plane që janë hartuar nga komunat dhe janë aprovu në asamblet komunale apo nga vetë kryetarët e komunave edhe ato nuk janë zbatu ashtu siç janë planifikuar”, tha Tahiri. “Mungesa e përgjithshme e kapaciteteve nuk buron prej mungesës së dokumenteve strategjike por mungesës së zbatimit të tyre, respektivisht mungesës së kapaciteteve për zbatim”.

    Zëvendësministri Pupovci thotë se problemi kryesor i të gjitha strategjive të arsimit është zbatimi.

    “Gjithnjë ka pasë një konsensus të gjerë rreth këtyre planeve, nuk është që ka pasur qëndrime të ndryshme, por pastaj ose janë bërë gjëra, të cilat nuk kanë qenë fare në plane strategjike për shkaqe të ndryshme të përfitimeve politike ose nuk janë zbatuar ato gjëra që kanë qenë në PSAK” tha ai. 

    Zëvendësministri Pupovci tregon se janë në përgatitje të PSAK 2022-2026, që do të organizohet rreth pesë objektivave. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0

    Që prej përfundimit të vitit 2021, Kosova nuk ka një plan strategjik të arsimit, pasiqë MAShT është ende në përgatitje të tij. Drafti i PSAK 2022-2026 pritet të jetë gati shpejt dhe sipas Pupovcit do të organizohet rreth pesë objektivave, që janë: edukimi në fëmijërinë e hershme; cilësia në arsimin parauniversitar; aftësimi dhe arsimin profesional, ndërlidhja me tregun e punës; arsimi i lartë dhe digjitalizimi. 

    Një prej objektivave që ka ndikim zinxhiror në realizimin e objektivave tjera strategjike është digjitalizimi, proces që ka ngecur vazhdimisht. Pashmangshmëria e përdorimit të teknologjisë gjatë procesit arsimor në periudhën e pandemisë, ka treguar dukshëm që digjitalizimi dhe ofrimi i shkathtësive digjitale për mësimdhënësit dhe nxënësit nuk ka qenë segment i realizuar suksesshëm. Edhe sipas Pupovcit, ky komponent nuk është adresuar.

    “Në PSAK të fundit ka qenë një pjesë e rëndësishme për digjitalizimin e sistemit të arsimit, furnizimin e shkollave me kompjuterë”, tha Pupovci. “Ajo nuk është zbatuar asnjëherë sepse thjesht është kërkuar që shteti të ndajë mjete financiare për diçka të tillë dhe ta ketë një koordinim në nivelin nacional dhe kjo është njëra nga ato pikat që nuk është zbatuar.”

    Por, sipas tij, në PSAK-un e ri, digjitalizimi do të jetë objekt kyç, për çka është duke u riorganizuar edhe ministria për të pasur një njësi organizative për digjitalizim, si parakusht që kjo objektivë të mos mbetet e parealizuar sërish. Si hap i parë drejt kësaj do të jetë përshtatja e kornizës evropiane për kompetenca digjitale për nevojat e Kosovës dhe fillimi i realizimit të saj përmes trajnimeve.

    Derisa pandemia vuri në pah rëndësinë e digjitalizimit, Tahiri konsideron se mësimet e marra gjatë asaj kohe, nuk janë shfrytëzuar si duhet.

    “Si shoqëri jemi duke dështu, edhe me keqardhje po e them, me e shfrytëzu këtë momentum që pikërisht me mësu prej kohës së pandemisë edhe me vazhdu tutje këtë proces”, tha Tahiri, duke shtuar se në QAK po realizojnë projekte për t’i përkrahur shkollat që të mos lejojnë që kjo zbraztësi në mes të mësimit tradicional dhe teknologjisë të thellohet dhe duke promovuar ‘‘blended learning’’ — kombinim i përmbajtjes me teknologjinë e mësimdhënies.

    “Mbetet problematike ky kalimi që në vend që të kalojmë dhe ta shfrytëzojmë atë çka mësuam, ne vetëm kaluam dhe u kthyem në mars të vitit 2021 [sic], sikur kjo periudhë është një periudhë e errët e pandemisë dhe na po vazhdojmë aty ku e lamë”, tha ai.

    Në pritje të PISA

    Në Indeksin e Kapitalit Njerëzor të Bankës Botërore në vitin 2020 — pra, para pandemisë — u vlerësua se një fëmijë që fillon shkollën në moshën katër-vjeçare në Kosovë, pritet që deri në moshën 18-vjeçare t’i përmbush 13.2 vite shkollim. Sipas indikatorit të tyre, përmes së cilit maten vitet e shkollimit me mësimin e fituar, 18-vjeçarët në Kosovë, në fakt kryejnë 7.9 vjet shkollim, pra 5.3 më pak se ç’do duhej të kishin. 

    Banka Botërore vlerëson që ndikimi i mbylljes së shkollave do të ndihet për dekada me radhë. Ndërkohë, sipas vlerësimit për ndikimin ekonomik dhe social të pandemisë Covid-19 në shtetet e Ballkanit Perëndimor të realizuar nga po kjo bankë, përkundër veprimeve të shpejta në këto shtete, humbjet në mësim për shkak të pandemisë do të jenë “të pashmangshme dhe të konsiderueshme”. Sipas tyre, këto humbje do t’i ndikojnë grupet e cenuara në mënyrë disproporcionale. 

    Kështu ndodhi edhe në Kosovë. Shumë nxënës nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, të cilët edhe para pandemisë jetonin në kushte të vështira socio-ekonomike që vështirësonin qasjen e barabartë të tyre në arsim, u përballën me dyfish pabarazi gjatë kohës së organizimit të mësimit online. Hulumtimet tregojnë që për shkak të mungesës së pajisjeve të përshtatshme teknologjike, nxënësit nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë kanë humbur dukshëm mësim për shkak të pandemisë. MAShT këtë humbje synon ta kompensojë përmes mbështetjes financiare të qendrave mësimore të bazuara në komunitet.

    Sipas Pupovcit, humbjet në procesin arsimor kanë shkuar duke u akumuluar pavarësisht përpjekjeve për mësim plotësues. 

    “Kjo periudhë dy-vjeçare e pandemisë, mendoj që ka shkaktu aq shumë çrregullime saqë ne nuk mund të jemi shumë optimistë që do të ketë përmirësime tash në 2022”, tha Pupovci duke shtuar se tashmë i kanë bërë të gjitha përgatitjet, sidomos në informimin e nxënësve për mënyrën e organizimit të testit PISA, që aspektet teknike të mos ndikojnë në performancën e tyre. Sipas tij, megjithatë, rezultatet do të jenë tregues real i gjendjes së arsimit parauniversitar.

    Por, sipas Tahirit, qeveritë në Kosovë nuk kanë marrë parasysh rezultatet e mëhershme të PISA-s e as ato të Testit Trendet në Studimin Ndërkombëtar të Matematikës dhe Shkencës (TIMSS). 

    “Përkundrazi rezultatet e viteve të kalume qofshin të PISA apo të TIMSS-it janë shfrytëzu të them ndoshta në shumë raste si një ushqim për me i sulmu qoftë mësimdhënësit, qoftë prindërit”, tha Tahiri. “Nuk mund të themi na hajde t’i bojmë disa intervenime ad-hoc dhe hajde të dalim ma mirë. Këtu duhet intervenime në sistem të jenë sistematike dhe koherente dhe të vazhdueshme”. 

    DOBËT EDHE NË TIMSS

    Testi Trendet në Studimin Ndërkombëtar të Matematikës dhe Shkencës (TIMSS), që mat shkathtësitë në matematikë dhe shkencë çdo katër vjet përmes testimit të nxënësve në klasë të katërt dhe të tetë, i testoi për herë të parë në vitin 2019 nxënësit e klasëve të katërta në Kosovë.

    Rezultatet e testit TIMSS 2019 vënë në pah ngecjen në arritje në matematikë dhe shkenca për nxënësit kosovarë të klasave të 4-ta (10 vjeçarët). Në të dy lëmitë ata performuan nën mesataren ndërkombëtare. Në matematikë nga gjithsej 1,000 pikë, nxënësit e Kosovës kanë marrë 444 pikë, 56 pikë më pak se mesatarja ndërkombëtare. Kosova është renditur në vendin e 49-të nga 58 shtete pjesëmarrëse. Në shkenca nxënësit kanë marrë 413 pikë, 87 pikë më pak se mesatarja ndërkombëtare. Kosova është renditur në vendin e 52-të nga 58 shtete.

    Megjithëse këto vlerësime do të duhej t’i informonin vendimet e nivelit qendror për nevojën e prioritizimit të sektorit të arsimit, buxheti i Kosovës në 5 vitet e fundit për këtë sektor nuk ka shënuar rritje të rëndësishme. Më i larti ishte në vitin 2020 me 5.2% dhe më i ulti këtë vit me 3.98%. Nga lista e prioriteve qeveritare për nga ndarja buxhetore mund të vihet re se sektori i arsimit vetëm gjatë tri viteve është futur në prioritetin e pestë. 

    Ndërkohë, marrë parasysh nevojën e intervenimit në sektorin e arsimit pas pandemisë, sipas një raporti të Institutit GAP, gjatë periudhës mars-dhjetor 2021, për sektorin e arsimit dhe shkencës janë ndarë vetëm 1.5 nga 270 milionë euro në tërësi. 70% e krejt kësaj shume kishte shkuar në menaxhim të pandemisë dhe në ringjalljen ekonomike, të konsideruara gjerësisht si prioritetet kyçe.

    Në buxhetin e planifikuar vjetor për sektorin e arsimit, pjesa dërrmuese shkon në paga dhe mëditje, investime kapitale, dhe mallra e shërbime. Ka pak ose fare buxhet të alokuar për investimet për projekte lidhur me cilësinë për arsim, zbatimin e reformës kurrikulare, krijimin e shërbimeve mbështetëse për nxënës dhe mësimdhënës, literaturë profesionale, biblioteka shkollore dhe pajisje të TIK-ut.

    NGJASHËM ME RAJONIN NË BUXHET E NË PERFORMANCË

    Sipas të dhënave në dispozicion, shpenzimet e qeverive në rajon në sektorin e arsimit, nëse i masim për BPV, janë të përafërta me shpenzimet e Kosovës, prej 3 deri në 4%. Po aq e përafërt është edhe performanca tyre në vlerësimet ndërkombëtare.

    Në PISA 2018, nxënësit nga Ballkani Perëndimor shënuan mesatarisht 402 pikë në lexim, 414 pikë në matematikë dhe 408 në shkencë, që do të thotë se rreth 80% e studentëve në të gjithë vendet e OECD-së shënuan më shumë se mesatarja e nxënësve në rajon. Megjithatë, ka dallime të mëdha ndërmjet sistemeve arsimore brenda Ballkanit Perëndimor. Rezultatet mesatare të Serbisë në lexim, matematikë dhe shkencë, për shembull, janë të përafërta me ato të disa vendeve të Bashkimit Evropian, si Bullgaria, Greqia dhe Rumania. Nga ana tjetër, performanca mesatare e Kosovës është më afër asaj të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme si Indonezia dhe Maroku.

    Megjithatë, zëvëndësministri Pupovci thotë se këtë vit buxheti për këtë sektor do të rritet edhe më tej pasi kanë kërkuar mjete shtesë nga Ministria e Financave dhe se kanë pranuar gatishmërinë e donatorëve të jashtëm për mjete shtesë që do të shfrytëzohen për zbatimin e strategjisë së re 2022-2026.

    “NËSE NE MBESIM ATY KU KEMI QENË NË VLERËSIMIN E FUNDIT TË PISA, DO TË MUND TË KONSIDEROHEJ SI NJË SUKSES”, THA TAHIRI.

    Tahiri thotë se kanë dhënë rekomandime për ta ndryshuar formulën e financimit për sektorin e arsimit, marrë për bazë nevojat e komunave, shkollave, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe uljes së numrit të nxënësve. Për shembull, në krahasim me vitin e kaluarkëtë vit Kosova ka rreth 14 mijë nxënës më pak në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. 

    “Ky zvogëlim i numrave mund potencialisht që të çojë në mbylljen e shkollave, mund të çojë në mbetjen papunë të mësimdhënësve”, tha Tahiri. “Do të duhej të ishte një buxhet, i cili ka me i përkrah shkollat, DKA-të dhe ministrinë e arsimit në përgjithësi në gjetjen dhe sistematizimin e mësimdhënësve, të cilët potencialisht janë, kushtimisht tani po i quj, si tepricë në sistem”. 

    Ndërkohë që testi PISA po afrohet, humbjet e mësimit gjatë pandemisë vlerësohet se do të ndikojnë dukshëm në rezultatet e nxënësve kosovarë në këtë test.

    “I kemi bërë të gjitha përgatitjet, i kemi informu nxënësit për mënyrën e organizimit të testit që të paktën aspektet teknike të mos ndikojnë në performancën e tyre”, tha zëvendësministri Pupovci. “Ne jemi për rezultat real, por të paktën mos të ndikojë [në rezultat] mosdija se si të punohet me kompjuter apo diçka të ngjashme”.

    Rezultatet e PISA-s pritet të kenë rënie në nivel botëror e jo vetëm në Kosovë. Për shkak të pandemisë, Banka Botërore parasheh që në testin e radhës PISA, disa vende mund të bien në nivelin që kanë qenë në vitin 2015, apo edhe më poshtë.

    “Për neve si Kosovë, nëse ne mbesim aty ku kemi qenë në vlerësimin e fundit, do të mund të konsiderohej si një sukses”, tha Tahiri. 

    Ndërkohë, zbatimi i njëmendtë i kurrikulës së re dhe i planit strategjik të arsimit që synojnë ngritjen e cilësisë do të mbesin kyçe për përparimin e nxënësve kosovarë përgjithësisht e edhe në testin PISA. Këtë përparim tashmë kanë filluar ta kërkojnë edhe nxënësit përmes mobilizimit e protestave gjithandej Kosovës. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Rusia njofton për shkëmbim të burgosurish me ShBA-në

    Lajmi i rradhës

    Agjërimi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë