Agjërimi

    Foto: Sot7

    RUDIAN ZEKTHI

    I. Që nga 2 prilli, një numër i konsiderueshëm pjesëtarësh të shoqërisë shqiptare (me siguri dhjetëra mijëra) kanë nisur një praktikë të fortë abstenimi- dorëheqjeje të përkohshme dhe vullnetare, nga ushqimet, pijet dhe stimulantët dhe po ashtu marrëdhëniet bashkëshortore, praktikë që në shqipen e përditshme njihet me termin agjërim dhe që në thelb është një praktikë rituale adhurimi e besimit islam. Është i njohur fakti që numri i agjëruesve e tejkalon dukshëm numrin e namazfalësve, që parimisht përbën një anomali, pasi kush e njeh doktrinën islame, e di se namazi dhe agjërimi janë njësoj të detyrueshëm për besimtarin, mospërmbushja e qëllimshme e secilës prej tyre është e pajustifikueshme dhe e pakompensueshme, ndërkohë që as mund të jenë të ndërkëmbyeshme, pra, nuk mund të kryhen në vend të njëra-tjetrës. Dhe po ashtu është i njohur dhe fakti tjetër se gjatë këtij muaji rritet numri i namazfalësve, që do të thotë se një pjesë e atyre që vetëm agjërojnë, përgjatë këtij muaji kryejnë edhe namazin, të cilin mesa duket nuk e falin më në vazhdim, duke e ndërprerë me përmbylljen e agjërimit.

    Dhe po ashtu dihet se duke qenë se është i kufizuar në kohë përfshin një masë të madhe personash, të cilët nuk janë të gatshëm të kryejnë faljet ditore–namazet përgjatë gjithë vitit (sepse kjo do të thoshte një adhurim i përhershëm që bëhet pjesë e strukturuar e ekzistencës), por duke qenë se as nuk e durojnë dot idenë të jenë tërësisht neglizhentë në detyrimet ndaj Zotit, shfrytëzojnë natyrën sezonale të Ramazanit për ta projektuar agjërimin si dëshmi të vullnetit të mirë ndaj Zotit. Por e vërtetë është edhe kjo: duke qenë se namazet janë të hapura, kurse agjërimi praktikë në mirëbesim, rritet numri i agjëruesve pasi kështu mund të jenë në rregull me Zotin, pa iu dashur të suportojnë presionin e opinionit publik. Po ashtu, me sa duket, duket se masa e madhe e joagjëruesve janë më të prirur t’i mirëkuptojnë (duke ua toleruar tradhtinë) ata që agjërojnë, duke qenë se agjërimi si një adhurim pa elemente simbolike, individual dhe vetëpësues, nuk shkakton presion ndaj atyre që nuk i përgjigjen Zotit.

    Këto janë pak a shumë njohuritë dhe qëndrimet e përgjithshme e të përafërta të publikut shqiptar për agjërimin dhe agjëruesit dhe për faktin që agjëruesit janë më të shumtë në numër sesa besimtarët që falen në xhami përgjatë gjithë vitit.

    Nga ana tjetër, pikërisht ata të cilët vetëm agjërojnë dhe nuk kryejnë adhurime të tjera, ata e dinë që ka mes tyre që agjërojnë duke synuar veç kënaqësisë së Zotit, edhe përfitime në fitnes apo që synojnë fat të mirë duke ditur se në këtë muaj, gjatë Ramazanit, caktohet risku vjetor i gjithsekujt, apo ato që agjërojnë ndër të tjera prej nostalgjisë për personat e afërt që i kanë parë të agjërojnë më herët, apo që agjërojnë sepse duke e pasur prej natyre të lehtë, me oportunizëm nuk neglizhojnë mundësinë të përfitojnë shpërblim prej Zotit, sadopak e mundshme të ndodhë u duket kjo.

    Kurse mes besimtarëve që nuk i shtohen fluksit të adhuruesve një herë në vit, për një muaj, përmes agjërimit, por që pra falin namazet ditore përgjatë gjithë vitit, ata praktikisht të gjithë e dinë të sigurt që agjërimi i Muajit të Ramazanit është një e drejtë e Zotit ndaj njerëzve, një premtim përmbushja e të cilit është e vetëkuptueshme.

    Mirëpo, jo të gjithë këta besimtarë e dinë se kjo e drejtë e Zotit ndaj njerëzve është shpallur shprehimisht në Fjalën e Zotit, në Kuran. Pra, e dinë që është një adhurim që vetëkuptueshmërisht duhet kryer (duke as mos e çuar në mend neglizhimin e tij, duke mos pranuar me asnjë çmim dorëheqjen prej tij), por nuk dinë të thonë nëse është në Kuran, në cilën Sure (kapitull) të Tij dhe si është formuluar. Përndryshe, pra, nuk kanë dijeni për ekzistencën në tekstin kuranor, të ajetit 183 të Sures Bekare, ku thuhet: “O ju që keni besuar, ju është bërë ju obligim agjërimi, si atyre që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm”. (Ja ejuhel ledhine amenu kutibe alejkumul sijamu kema kutibe ala ledhine min kablikum lealekum tetekun).

    Dhe ata të cilëve u mungon kjo njohuri, për fat të keq, janë pjesa më e madhe e masës së atyre që falin namaz. Ama, kjo mosdijeni rreth pohimit të lidhjes së shkakësisë mes agjërimit dhe devocionit, nuk do të thotë se këta persona nuk preken nga devocioni që vjen prej agjërimit, por ndoshta ata nuk e dinë që kjo që po ndodh me ta quhet devocion; dhe po ashtu ndoshta nuk e dinë atë që thotë ajeti, pra, që devocioni është qëllimi i agjërimit. Gjendja e re për veten, lartësuese, mrekulluese, vetëshijuese, që mbërrin besimtari gjatë agjërimit, është në thelb përjetimi i devocionit, por ata agjërues që nuk e njohin këtë ajet, mjaftohen me shijen e këtij përjetimi, duke e identifikuar me emrin e përgjithshëm mrekulli dhe jo edhe me emrin e posaçëm devocion.

    Nga ana tjetër, ajo pakicë e agjëruesve (ku bën pjesë edhe shkruesi i këtyre radhëve) që e njeh këtë ajet dhe e di që është ky ajet që e ka konsakruar agjërimin dhe e di që agjërimi synon devocionin, në fakt në njëfarë mënyre ka ngecur në pohimin e kësaj të vërtete, pa ia dalë që nga ofrimi i situatës (të agjërosh) dhe i vlerës së saj (të bëhesh i devotshëm) që vijnë prej Kuranit, të thellohet në përvojën periodike të këtij agjërimi, për të zhbiruar realitetin e devocionit. Pra, ka adaptuar rutinën e perifrazës duke e cituar ajetin kuranor shprehimisht apo dhe me formulime të ngjashme, ku përmendja e devocionit dhe e kuptimit të tij merret e vetëkuptueshme, kryesisht duke besuar se thelbi i tij (devocionit) është një ruajtje e posaçme nga të këqijat.

    II. Dhe kështu edhe është, por s’është vetëm kaq. Por për ta rrokur gjithë rrezen kuptimore të termit duhet një përpjekje më shumë, për të cilën, për fat, siç thamë kemi se ku mbështetemi: Kurani na jep situatën dhe vlerën e saj, kurse përvoja bazë më e përhapur e agjërimit të Ramazanit, që më lart ndër të tjera e cilësuam si vetëshijuese, na jep shkëndijën për të hedhur dritë për lidhjen mes agjërimit dhe devocionit.

    Përderisa devocioni në themel është ruajtje, ruajtje nga të këqijat a gjynahet, edhe agjërimi në themel është ruajtje nga ushqimi i tepërt (pija e tepërt, fjalët e tepërta, joshjet e tepërta etj.,); (e thënë e njëjta: përderisa agjërimi është abstenim nga ushqimi, pija, marrëdhëniet intime, devocioni është abstenim nga ligësitë dhe tundimet). Dallimi mes tyre është fakti se abstenimi i agjërimit ka të bëjë me gjëra, të cilat për nga natyra janë të nevojshme, të lejuara, të mira, të dobishme, të tilla që nevoja për to është natyrë e dytë e qenieve njerëzore, ndërsa devocioni vjen si abstenim nga mëkatet dhe padrejtësia, të cilat në origjinë e shqetësojnë zemrën njerëzore dhe e mbulojnë me hije. (Po ashtu, ndërsa agjërimi është abstenim i përkohshëm dhe i kontrolluar, devocioni në të kundërt, është – apo synohet të jetë – i përhershëm dhe pa kushte.)

    Duke qenë agjërimi një lloj kundërvënie përkohshme ndaj asaj që është e natyrshme, përvoja bazë e agjërimit është sensacioni i ndryshimit të rendit të gjërave: pra, ndërsa bota dhe njerëzit mbeten të njëjtët, ka ndryshuar relacioni mes gjërave, përderisa veprime që je mësuar deri në automatizim që t’i bësh (të ngrënët, të pirët, të tymosurit) i ndërpret dhe braktis. Dhe sikur vetëm kaq, për një masë të konsiderueshme ditësh të njëpasnjëshme, mjafton për të tronditur sigurinë e rutinës së përditshme: futja e një doze vëmendje dhe vetëdije mu në mes të fluksit të veprimeve njerëzore, e dyzon dhe çrregullon ngrehinën e shprehive dhe automatizmave që strukturon jetët njerëzore. Dhe jo vetëm kaq, por përmes një dispozitivi bazik për natyrën njerëzore, siç është kërkimi akut i koherencës, agjëruesi abstenon jo vetëm aktet fiziologjike të ngrënies pirjes tymosjes, por edhe aktet me natyrë morale të gënjeshtrës hiles mashtrimit, sepse befasisht zbulon që edhe këto janë shndërruar në automatizma, i janë bërë natyrë e dytë, të tilla që s’mund ta ushtrojë ekzistencën e tij pa to. Me këtë dublim të abstenimit (pra, abstenimi i veprimeve të rendit fiziologjik, dublohet nga abstenimi i veprimeve të rendit moral) agjëruesi përjeton në mënyrë akute sensacionin e ndryshimit në kohë reale të rendit të gjërave.

    Është pikërisht ky dublim që i mundëson agjëruesit të pranojë jo thjesht si një pohim të vërtetë mes shumë të tjerëve, por ta vërejë si parim të gjallë aktiv, në veprim e sipër, bindjen e vlerës së paqëndrueshme dhe rëndësisë së rreme të shumicës së veprimeve që përbëjnë indin e ekzistencës. Konstatimi dhe përjetimi i gjallë i kësaj bindjeje, i drejtpërdrejtë dhe i pandërprerë, përfton atë gjendje mrekullimi apo vetëshijimi, që më lart ia atribuuam devocionit. Sepse me ndihmën e asaj që përjeton agjëruesi, zbuluam thelbin e devocionit: ai është rendi i dytë i ruajtjes prej të këqijave. Pra, rendi i parë është të ruhesh apo të braktisësh të këqijat veç e veç dhe herë pas here, kur mundesh dhe si të mundesh, ku sistemi i gjërave nuk cenohet nga kjo përpjekje e izoluar. Kurse rendi i dytë i ruajtjes apo devocioni, ajo që pohohet nga Fjala e Zotit në Kuran, është që me një akt vullneti të ruhesh në mënyrë tërësore nga të gjithë të këqijat, veset dhe gjynahet, sepse e vërteta e tyre, pra, që janë të tepërta dhe të padomosdoshme, nuk është më e fshehtë, por është zbuluar me intensitet të njëjtë me atë të dritës së diellit. Në këtë mënyrë, sistemi i gjërave, mënyra e rregullimit të gjërave, shfaqet e ndryshuar në përputhje me qartësinë e zbulimit të kotësisë së një pjese të madhe të veprimeve njerëzore, duke e shoqëruar me hare refuzimin e së keqes.

    III. Çka thamë tregon se diferencat mes kategorive të ndryshme të agjëruesve që përmendëm më lart, janë të vogla, përderisa kjo qartësi (apo tjetër qartësi gjithmonë e mundshme) rreth konceptit të devocionit duket jothelbësisht e njohur prej asnjërës prej kategorive) (ndërkohë që më tepër nevojë për këtë qartësi ka masa e shumicës së këtij populli, pra, e atyre që nuk agjërojnë).

    Por çka thamë, po ashtu çel pamjen për të parë qartë, së paku në tri drejtime të ndryshme, që po ashtu sugjerohen nga ajetet kuranore ku flitet për agjërimin.

    Së pari: Në ajetin që ne e sollëm më lart edhe të transliteruar në shqip, shpallja obligim e agjërimit i adresohet atyre, të cilët kanë besuar (ja ejuhel ledhin amenu…) dhe edhe në komentet e traditës së tefsirit, merret e mirëqenë se ky obligim ka të bëjë me të gjithë bashkësinë – popullin (madje në ligjëratat e folura për Ramazanin, është e zakonshme që ky ajet ndeshet edhe me këtë përkthim: “… ju është bërë agjërimi obligim, siç u ishte bërë popujve të mëparshëm” duke e përkthyer “ala ledhine min kablikum” jo fjalë për fjalë, pra “atyre që kanë jetuar më parë”, por duke e përdorur pra emrin “popujt” në vend të përemrit “atyre”). Ky lloj ambiguiteti mund të kapërcehet përmes çka thamë më lart. Fjala popull apo komb (kaum) që shprehimisht mungon në ajetin 183 (dhe e cila në Kuran përdoret shumë dendur, si apelativ me të cilin profetët i drejtohen secili prej tyre popullit të vet), mungon sepse do të dukej si kusht që agjërimi është obligim vetëm për ata që janë pjesë e një populli që beson në tërësi si i tillë (thënë ndryshe, nëse në tërësi popullata nuk beson te Zoti apo nuk beson tek agjërimi, atëherë përmendja eksplicite e fjalës popull mund të interpretohej se ndoshta s’duhet të agjërojnë ajo pjesë e popullatës që beson). Përdorimi si apelativ në shumës i përemrit dëftor -lidhor “o ju të cilët (keni besuar)”, lejon edhe interpretimin secili që ka besuar (pavarësisht të tjerëve), edhe interpretimin secili që ka besuar së bashku me të tjerët.

    Dhe duke përfshirë në interpretim atë që konkluduam më lart, pra, që devocioni ka si kusht që braktisja e të këqijave të reflektojë edhe si ndryshim i rendit të gjërave, atëherë rezulton që shumësi i përemrit, pa përmendjen specifike të emrit popull, do të thotë se agjërimi si obligim që kulmon me devocionin është një akt që kryhet së bashku me të tjerët, në grup dhe jo individualisht (duke pasur parasysh dhe aspektin e mundimshëm të agjërimit, mund të shpjegohet edhe sesi në Sheriat, obligimi individual i agjërimit nuk lidhet me devocionin, por me ndëshkimin dhe kompensimin). Nëse ky grup është relativisht i vogël, atëherë ai do ta reflektojë këtë përjetim të njësuar devocioni në habitatin e vet si refleks të një rendi të ndryshuar të gjërave (çka shpjegon zellin me të cilin falen namazet vullnetare të terapive përgjatë gjithë Ramazanit: ka ndryshuar rendi i gjërave, pa ky namaz atipik shijohet dhe konsiderohet i natyrshëm). Nëse ky grup është masiv dhe aq më tepër kur e gjithë shoqëria agjëron, atëherë devocioni dhe përmes tij përjetimi i një rendi tjetër gjërash, begaton gjithë hapësirën publike dhe frymën e përgjithshme të asaj shoqërie. Por që kjo të ndodhë, duhet që vetëdija e lidhshmërisë së shënjuar në Kuran mes agjërimit dhe devocionit të jetë dominuese në shoqëri, sepse në të kundërt devocioni do të perceptohet si mrekulli dhe jo si një gjendje e mbërritshme prej qenieve njerëzore. Si mund të mbërrihet kjo?

    Së dyti: Këtu do shqyrtojmë ndryshimin në rendin e koncepteve si të bashkëlidhur me atë që deri më tani e kemi quajtur ndryshim i rendit të gjërave (shpjegim që do ndihmojë edhe t’i përgjigjemi pyetjes së sapobërë më lart). Që sugjerohet po ashtu nga Kurani: ajeti vijues i sures Bekare, ajeti 184, duke iu referuar këtij agjërimi devocionues, fillon me fjalët “Ditë të numëruara…” (ejamen madudeti), që shprehimisht e përjashton agjërimin si përvojë të përhershme të pandërprerë. Përcaktim i domosdoshëm, për sa sapo kemi kuptuar, që, i kryer siç duhet, agjërimi në grup garanton devocionin dhe dominimi i devocionit do të thotë zgjidhje e problemeve dhe praktikisht shoqëri e përsosur (kur një popull beson në tërësi, mund të joshet të agjërojë pandërprerë si garanci për mirësinë e përgjithshme). Por përcaktimi sezonal i agjërimit vë në dukje jo vetëm aspektin e mundimshëm të agjërimit, por edhe se kjo nuk është rruga kryesore sesi do të mbërrihet devocioni, por shërben si udhërrëfyese e rrugës kryesore (përndryshe “ditë të numëruara” do të kishte kuptimin që edhe devocioni është sezonal, apo që mjafton ta marrësh njëherë dhe e ke përgjithmonë. Sa s’mund të jetë a vërtetë as njëra, as tjetra, mbetet, pra, që agjërimi i Ramazanit u bën dhuratë besimtarëve përjetimin e devocionit, nuk ua paraqet nga jashtë, por ua përbrendëson si përvojë bazike, u jep sigurinë që ai nuk është kimerik, por një gjendje e mbërritshme dhe tjetër lloj çdo gjëje tjetër e frytshme).

    Pra, u zbulon njerëzve sekretin e devocionit: të gjejë dhe kërkojë atë të paktën apo të vetmen që është e mjaftueshme, për t’u çliruar nga pesha e morisë së gjërave të domosdoshme. E thënë ndryshe: e domosdoshmja nuk është e përhershme, ekziston vetëm (sado gjatë) si krah dikotomik me të rastësishmen dhe opsionalen, vetëm sa kohë që nuk është mbërritur tek ajo që e vetme apo e paktë, është e mjaftueshme, pra, që do t’u dilte qenieve njerëzore për të zhvilluar plotësisht veten. Gjatë agjërimit, besimtari zbulon që e pakta (ushqimi, pija) janë pikërisht prandaj të mjaftueshme, dhe i Vetmi, pra Zoti, është i Mjaftueshëm. Pjesa tjetër, e shumta dhe e shumëllojta (nëse e ke mbërritur dhe përjetuar të mjaftueshmen), ekziston e tëra si sprovë, si pashmangshmëri, ose (për sa nuk e kem mbërritur të mjaftueshmen) ekziston ose si domosdoshmëri, ose si kotësi. Pra, domosdoshmëria ekziston konvencionalisht si parim organizimi i gjërave sa kohë që nuk është mbërritur realiteti suprem i së mjaftueshmes. Dhe të besosh se e domosdoshmja është e përhershme do të thotë ta konsiderosh opsionale sprovën dhe të papërfytyrueshme, Praninë e Mjaftueshme të Zotit. Dhe devocioni është, pra, gjendja e besimit që i shmang këto konfondime duke e përjetuar të drejtpërdrejtë përvojën që ekziston vetëm Zoti si i Mjaftueshmi dhe pos tij Sprovat (përtej dikotomisë e domosdoshme / opsionale) si të shumëllojta dhe të pashmangshme.

    Ky është ndryshimi në rendin e koncepteve që aktivizohet o nga agjërimi sezonal i tërë një shoqërie, o nga devocioni i mbërritur si përpjekje e pandërprerë vjetore, për të zhbërë iluzionin që i falsifikon sprovat si domosdoshmëri. Dhe këtu gjendet edhe përgjigjja për pyetjen e mbetur pezull më lart: lidhshmëria e dëshmuar në Kuran, mes agjërimit dhe devocionit, bëhet dominuese në shoqëri edhe jashtë sezonit të Ramazanit, vetëm nëse zbulohet dhe përbrendësohet gjithmonë e nga më shumë pjesëtarë të shoqërisë që në tërësi agjëron, se kategoria e jashtëzakonshme dhe e përkohësisht e pazëvendësueshme e të domosdoshmes, është në vetvete pengesë për perceptimin e jetës në këtë botë si një sprovë.

    Dhe së treti: Në fillim të ajetit tjetër, ajetit 185 të së njëjtës sure thuhet: “Muaji i Ramazanit në të cilin u shpall Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz, dhe rrëfyesi i rrugës së drejtë dhe dallues…” (Shehrru rramadane ledhi unzile fihil kuranu huden li nasi uel bejineti minel hude uel furkan…). Nga ku bëhemi me dije që Muaji i Ramazanit, para se të jetë muaji i agjërimit, përkatësisht devocionit, është muaji i Kuranit, pra, se është muaji në të cilin ka zbritur Kurani njëherazi prej Pllakës së Ruajtur në qiellin më të lartë, në qiellin më të afërt të kësaj bote. E duke pasur parasysh që sipas doktrinës islame, Kurani është Fjalë e Zotit, jo vetëm për hir të vërtetësisë përtej çdo dyshimi, pra, jo vetëm në aspektin e Përmbajtjes, por është Fjalë Autentike e Zotit, që do të thotë se edhe organizimi dhe formulimi ligjërimor janë drejtpërdrejt prej Zotit, pra, është hyjnor edhe në aspektin e Formës, atëherë prania ligjërimore e Kuranit mes njerëzve, është i vetmi realitet hyjnor i vizitueshëm në këtë botë.

    Duke qenë kështu, agjërimi dhe devocioni përgjatë Muajit të Ramazanit janë orbita të rrotullimit të besimtarit përreth fushës gravituese të Kuranit. Edhe nëse ai nuk është i vetëdijshëm për këtë, ose paradoksalisht, sidomos për ata që kanë këtë pavetëdije, sepse përvoja vetëshijuese që përjeton gjatë agjërimit, me origjinë te sensacioni i kontaktit me të mjaftueshmen, për myslimanin bëhen të mundshme vetëm si të prejardhura nga mënyra sesi flet Zoti në Kuran (mënyrë që ka mrekulluar dhe frymëzuar më të mirët mes myslimanëve, që këta të fundit e kanë filtruar në trajtat bazë që shquajnë në histori qytetërimin islam). Dhe. edhe për një besimtar që mund të mos jetë i vetëdijshëm që ajo që po bën apo ajo që po përjeton, kushtëzohet nga natyra e marrëdhënies së qenies njerëzore me Fjalën Hyjnore, agjërimi i tij dhe devocioni tjetër lloj i pashpresuar që ai shijon, janë përkujtim (reminishencë) të mënyrës sesi Forma Hyjnore e Kuranit sapo përzanohet, nxit pashmangshmërisht te dëgjuesit nevojën për abstenim ndaj çdo ligjërimi tjetër, si tribut ndaj begatimit me Të Mjaftën që dhuron Kjo Formë.

    Por tashmë e kemi treguar se cila është ligjësia rregullative: vetëm për një muaj Forma e Kuranit jep shijen puro të një ligjërimi të pakonkurrueshëm, haku i të cilit kërkon braktisjen si të tepërt të ligjërimeve të tjera (mundësuar nga sinkronizimi me braktisjen e të tepërtës së ushqimeve dhe të tepërtës së domosdoshmërive); pas këtij muaji, përgjatë vitit, kthimi i nevojës për të domosdoshmen në mungesë të së mjaftës, e bën të pashmangshme aktivizimin e gjithë repertorit të mundshëm të trajtave ligjërimore njerëzore. Që të ripërftohet përjetimi i të qenit E mjaftë e Fjalës së Zotit, ka vetëm një rrugë (ixhtihadi – që është në fakt rruga bazë): të ekzaltohet në mënyrë permanente jo vetëm Forma, por edhe Përmbajtja e Kuranit, duke aktualizuar-kuptimësuar realitetin kalimtar me Kuptimet e Përhershme të Tij. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    PISA PO VJEN

    Lajmi i rradhës

    Punonjësit e Drejtorisë për Librat Amë sot filluan grevën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë