Qeveria britanike do të hetojë rrjedhjen ‘mizore’ dhe ‘imorale’ të planit top secret që do të vihet në zbatim me vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II. Nxjerrja e planit ka shkaktuar zemërim në Buckingham Palace.
‘Operation London Bridge’ (Operacioni Ura e Londrës), që është emri i koduar i planit, dihet nga vetëm një grup i vogël njerëzish dhe parashikon uljen e flamurit në gjysmështizë brenda 10 minutave, pasuar nga fjala në televizion dhe një tur në Mbretërinë e Bashkuar nga Princi Charles dhe një shërbim memoriali të para-planifikuar në Katedralen e Shën Palit.
Buckingham Palace ka refuzuar të bëjë komente, por një burim tha për Daily Mail se zyrtarët nuk janë të lumtur. Ekspertja mbretërore Angela Levin tha: ‘Mendoj se është e tmerrshme dhe mizore të nxjerrësh planet ‘top secret’ për vdekjen e Mbretëreshës. Ku e kemi moralin?’
Plani 10-ditor iu dha POLITICO-s pasi përditësua me rastin e pandemisë së coronavirusit dhe dita në të cilën Mbretëresha mbyll sytë duhet ‘D-Day’.
Plani është hartuar në vitet ’60, por kurrë nuk është publikuar me kaq shumë detaje. Sidoqoftë, nuk ka asnjë sinjal që Madhëria e Saj, 95 vjeç, nuk gëzon shëndet të mirë.
Sipas planit, personi i parë jashtë Buckingham Palace që do të mësojë lajmin e hidhur është kryeministri, të cilit do t’i telefonojë Sekretari Privat i Mbretëreshës, për të vijuar me një ‘ujëvarë’ telefonatash për anëtarët e kabinetit dhe figurave të tjera, përfshirë të Forcave të Armatosura që planifikojnë përshëndetje me të shtëna topi në të gjithë vendin disa orë më vonë.
Të gjithë ata do të marrin të njëjtin mesazh: ‘Sapo jemi informuar për vdekjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës. Kërkohet vetëpërmbajtje’.
Më pas, familja mbretërore do të nxjerrë njoftimin zyrtar, duke i dhënë publikut lajmin e hidhur përmes televizionit e shtypit, ku përfshihet edhe njoftimi se funerali i Madhërisë së Saj do të zhvillohet dhjetë ditë më pas në Abacinë e Westminster-it, para se të varroset në kriptën e familjes pranë bashkëshortit të saj, Princit Philip, në Kështjellën Windsor.
Para kësaj, trupi i saj do të prehet për tri ditë në Pallatin e Westministerit, i cili do të jetë i hapur 23 orë në ditë për homazhe nga publiku.
Operacioni London Bridge përmban edhe plane për median sociale dhe është azhurnuar për epokën e internetit.
Siti i Familjes Mbretërore do të jetë i gjithi i zi, me një deklaratë të shkurtër që konfirmon vdekjen e Madhërisë së Saj. Të gjitha sitet gov.uk do të kenë një banderolë të zezë.
Çdo Twitter dhe ReTwitter nga llogaritë qeveritare në social media dhe nga ministrat do të miratohen para se të publikohen. Nuk do të lejohet asnjë deklaratë publike nga deputetët pa folur më parë kryeministri, ndoshta në (selinë e tij në) Downing Street në orët pas vdekjes.