Pleqtë e Dibrës te fëmijët e tyre në Europë

    Shpërngulja e dibranëve vazhdon. Është një proces shqetësues i cili sa i takon Dibrës dhe rajonit është prezent dekada me radhë. Për shkaqe politike dhe ekonomike në të kaluarën dibranët në mënyrë masovike kanë migruar ose kanë qenë në të detyruar të braktisin vatrat e tyre nëpër shtete të ndryshme në botë. Për fat të keq edhe në shekullin e 21 ka vazhduar intensiteti migrimit të popullatës edhe atë nga të gjithë kategoritë dhe grup moshat. Duhet theksuar se migrimi kryesisht ka të bëjë në pjesën më të madhe nga ana e të rinjve, por kohëve të fundit duke shfrytëzuar mënyrat të ndryshme të shpërnguljes përdoret edhe bashkimi familjar. Me këtë bashkim tani kanë filluar vendlindjen ta braktisin edhe moshat e treta, respektivisht prindërit të fëmijëve.

    Në Itali, Austri, Zvicër, Gjermani shtete të Beneluksit dhe shtete skandinave kohëve të fundit udhëtojnë në një drejtim edhe prindërit të të rinjve të cilët kanë migruar vite më parë. Në këto shtete mund të shfrytëzohet e drejta që ka të bëjë me bashkimin familjar. Pikërisht kjo metodë ka ndikuar që shumë prindër të fëmijëve që kanë jetuar në Dibër të braktisin qytetin e tyre dhe të marrin rrugën e migrimit, atje ku jetojnë fëmijët e tyre. Rastet janë të shumta si nga qyteti i Dibrës ashtu edhe nga fshatrat e Dibrës dhe komunës rurale Qendër Zhupë. Ka shumë raste të këtilla dhe sipas të dhënave jozyrtare, përveç familjeve që tani kanë bë bashkim familjar në të kaluarën ka një interes të theksuar që kjo dukuri të vazhdojë.

    Këto ditë drejt Italisë janë nisur prindërit të A.M i cili jeton në Romë të Italisë. Prindërit janë në moshë të tretë dhe siç na informoi A.M (34) vjeç i cili këto ditë ishte në Dibër, ai në Itali është afro një dekadë.

    “Vendosa definitivisht që në Itali t’i marrë edhe prindërit e mi të cilët jetojnë vitet e 70-ta. Ata këtu kanë jetuar me një ndihmë sociale, dhe kam qenë i detyruar t’i ndihmoj ata për çdo muaj me afro 300 euro. Besoj se rrugëdalja e vetme për një jetë më të mirë të tyre është që edhe ata të vijnë në Itali dhe të jetojmë së bashku me, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi. Së bashku me bashkëshorten gjatë një muaji përfitojmë afër 4 mijë euro dhe ata para garantojnë një jetë normale dhe me prindërit e mi”, thotë ai.

    Sipas tij nga Dibra tani nuk migrojnë vetëm të rinjtë por edhe pleqtë. Në stacionin e autobusëve në Dibër takojmë edhe dy pleq të tjerë nga komuna rurale Qendër Zhupë. Ata na thanë se janë Mustafai dhe Resmija, bashkëshortët të cilët të tre fëmijët i kanë në Zvicër. Ata na informuan se kanë vendosur që të jetojnë përgjithmonë së bashku me fëmijët e tyre të cilët kanë migruar jashtë vendit para më shumë se dhjetë viteve.

    Sipas tyre në Itali, Zvicër dhe Gjermani u janë bashkëngjit fëmijëve shumë pleq nga komuna Qendër Zhupë. Ata na tregojnë se në vendet ku migrojnë u mundësohet edhe njëfarë ndihme sociale dhe faktikisht atje do të përfitojnë edhe mjete financiare. Dukuria në fjalë paralajmëron de fakto një shpopullim të Dibrës dhe rajonit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Me pretekstin ndëretnik, çfarë po ndodh në Çashkë

    Lajmi i rradhës

    EUROINTEGRIMI / RMV në garë me kohën!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë