Me pretekstin ndëretnik, çfarë po ndodh në Çashkë

    Komuna e Çashkës, e trazuar këto tre javë me protesta kundër hapjes së paraleles në gjuhën shqipe, po përballet jo me problem ndëretnik, por të sajuar. Kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, pohon se komuna po përballet me një problem të stisur, të bartur nga jashtë, të tillë që as nuk duhej të ekzistonte. 

    “Problemi nuk është ndëretnik, pasi që nuk ka as vend dhe as klimë për të ndodhur një gjë e tillë. Më shumë se gjithçka kjo që po ndodh është një betejë ndërpartiake për vota, pasi pas zgjedhjeve parlamentare në pranverë, zgjedhjet lokale do të jenë të rëndësishme. Është kjo arsyeja që popullsia e Çashkës e ka të qartë se çfarë po ndodh e për këtë arsye nuk reagon”, ka deklaruar Stojanovski.

    U bënë rreth njëzet ditë që hapja e paraleles në gjuhën shqipe në shkollën fillore të zonës, ku mësimin do ta ndiqnin vetëm pak nxënës shkaktoi pakënaqësi, bojkot mësimi, tensione dhe incidente në Çashkë. Disa prindër, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në “Todor Janev”, prej ditësh po protestojnë me pretendimin se hapja e klasës është veprim i kundërligjshëm, shkelje e procedurave dhe statutit të shkollës, ndërsa tensionet u përshkallëzuan deri në atë pikë sa ata nuk e lejuan drejtorin të hynte në shkollë, gjë që bëri të nevojshme ndërhyrjen e policisë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës insiston në vijimin e mësimit dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të të gjithë atyre që pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

    Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, së fundi ka bërë të ditur se prindërit kanë kërkuar që ata nxënës që duan të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, të studiojnë në fshatin Slivnik, i cili ndodhet rreth 11 kilometra larg Çashkës. Por ai nuk e pranoi një kërkesë të tillë.

    “Dua t’u bëj apel të gjithë qytetarëve që ata fëmijë nuk janë subjekte politike, as nuk njohin parti politike, as për zgjedhje parlamentare, as për ato vendore, që dikush t’ua cenojë të drejtën kushtetuese për të studiuar në gjuhën shqipe”, tha ministri Arsimit.

    Ndërkohë situata mbetet e njëjtë. Prindërit maqedonas kërkojnë nga MASH shfuqizimin e paraleles në gjuhën shqipe dhe nxënësit shqiptarë të klasës së parë të kthehen në mësim me nxënësit maqedonas me të cilët e kanë ndjekur mësimin muajt e fundit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Llahtov: nevojitet fokus më i madh në edukimin mediatik

    Lajmi i rradhës

    Pleqtë e Dibrës te fëmijët e tyre në Europë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë