Sistemit energjetik të Maqedonisë së Veriut po i vijnë faturat e shtrenjta të investimit të vogël në kapacitetet e reja prodhuese për energjinë elektrike. Me dekada shumë pak është investuar në impiante që do të rrisin prodhimtarinë vendore të rrymës. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vetëm ka përkeqësuar situatën me furnizimin me rrymë dhe gaz në tërë Evropën, me rritje tej mase të çmimeve të këtyre energjenseve. Vendi në vitet e kaluara duke mos prodhuar mjaftueshëm rrymë vendore, mungesën e ka kompensuar me importin nga jashtë që është problem sidomos në muajt e dimrit kur kemi rritje të konsumit të energjisë elektrike ku gati një e treta e popullatës ngrohet me këtë energjens.
Nga ana tjetër, në vend po “bëjmë be”, në Termocentralin e Manastirit, të ndërtuar para 50 vitesh që prodhon 40 për qind të energjisë elektrike në vend së bashku me Osllomenë, në vitin 2021. Në vend të dytë për prodhimin e energjisë elektrike dhe asaj të ngrohje me 28,7 për qind është centrali teto në Shkup që punon me gaz, pasojnë hidrocentralet me 27,5 për qind dhe kapacitetet e tjera me erë, diell, apo centralet e biomasëes prodhojnë pjesën e mbetur prej 3,96 për qind.
Të dhënat e Komisionit Rregullator për Energjetikë vetëm konfirmojnë rënien e madhe të prodhimtarisë vendore të rrymës prej 6.744 Giga vat orë në vitin 2010, në 5.284 Giga vat orë në vitin 2021. “Arsyet e trendit të zvogëlimit të prodhimtarisë në termocentralet janë defektet e shumta dhe ndërprerjet në punën e TEC -Manastir, zvogëlimi i mihjeve dhe cilësia thëngjillit në Manastir, afrimi i fundit të jetës së termocentraleve dhe investime joadekuate, ulja e efikasitetit në punë e tjerë”, theksohet në raportin e Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Nga kapacitetet shtetërore për prodhimin e rrymës, në të kaluarën është ndërtuar hidrocentrali Kozjak që prodhon rrymë gati njësoj sa kapacitetet e instaluara që prodhojnë rrymë nga era dhe dielli. Në ndërkohë po punohet me të madhe për shfrytëzimin e energjisë diellore ku po ndërtohen kapacitete prej 120 megavat në Kërçovë që do të prodhojnë 15-17 gigavat orë rrymë të nevojshme për nevojat e afër 2800 amvisërive, si dhe 32 megavat në Shën Nikoll, etj. Po ndërtohet edhe një park tjetër me erë, që gjendet 80 kilometra në juglindje të Shkupit- Bogoslloveci. Projekti kap vlerën e 61 milionë eurove dhe duhet të përfundojë në vitin 2023. Me ndërtimin e tij është planifikuar një furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike të gjelbër dhe ekologjike për rreth 20 mijë familje për 25 vitet e ardhshme. Po ndërtohet edhe parku i ri me erë “Gjevgjelia” me fuqi 30 megavat. Bëhet fjalë për një investim prej 40 milionë eurosh, i cili do të ndërtohet në lokacionin ndërmjet fshatrave Stojakovë dhe Selemli të Komunës së Bogdancit, afër kufirit me Greqinë.
Parku i dytë me erë në Bogdanci do të prodhojë 72 gigavat orë energji elektrike, e cila do të jetë e mjaftueshme për të furnizuar 18 mijë amvisëri. Investimi duhet të përfundojë deri në vitin 2023. Ndërsa po punohet edhe në ndërtimin e elektranave të tjera me burime të rinovueshme të energjisë.
Gjithashtu pritet që investitori grek të fitojë dritë jeshile nga kompetentët për ndërtimin e hidrocentralit Çebren. Deri në mesin e muajit nëntor, pritet të shqyrtohet oferta e kompanisë greke PPS, pas së cilës komisioni do të paraqesë një raport në Qeveri. Nëse vlerësimi është pozitiv, kontrata pritet të nënshkruhet në gjysmën e parë të vitit 2023. Partneri privat pritet të investojë mbi 550 milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë deri në vitin 2028. Hidrocentrali është projektuar me një fuqi minimale të instaluar prej 333 megavat, dhe prodhimi i parë pritet në vitin 2029. Prodhimi i energjisë elektrike varet nga karakteristikat teknike të digës si lartësia, kapaciteti i instaluar, mënyra e funksionimit etj.
Vlerësohet se prodhimi i energjisë elektrike nga “Çebren” do të shkonte nga 870 deri në 1140 gigavat-orë. Apo sa një e pesta e totalit të prodhimit të energjisë elektrike në vitin e kaluar. Sivjet po bëhen përgatitje maksimale të vendosen deri në fund në funksion Termocentrali i Negotinës me mazut, që kompania private të Teto me gaz që pritet të sigurohet nga Serbia të prodhojë rrymë dhe ngrohje për Shkupin si dhe të sigurohen sasi të mjaftueshme të qymyrit për termocentralet në Manastir dhe Osllomesë.
Qeveria ka detyrim të sigurojë energji elektrike për rreth 600 mijë familje dhe rreth 70 mijë kompani të vogla, me më pak se 50 punonjës dhe me xhiro më të vogël se 2.5 milionë euro. Për ta shteti siguron energji elektrike më të lirë, ku qytetarët furnizohen me rrymën prej rreth 45 euro për megavat orë, ndërsa kompanitë e vogla me rreth 220 euro për megavat orë.
Mbi 1600 kompani të mëdha, blejnë energjinë elektrike në tregun e lirë, ku çmimet aktualisht lëvizin prej 400-500 euro për megavat orë. Mirëpo ekziston frika se ato do të rriten edhe më shumë. Një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend, fabrika Feni në Kavadar mbylli përkohësisht kapacitetet e saja në pamundësi që të përballojë rrymën e shtrenjtë.
Nga Oda ekonomike e Maqedonisë kanë apeluar ndaj ekzekutivit, që sa më parë të gjejë zgjidhje dhe të ndihmojë fabrikat që ballafaqohen me vështirësi të mëdha. Nga atje shtojnë se ka nisur procesi i zvogëlimit të numrit të punonjësve, uljes së prodhimit dhe mbylljes së kapaciteteve. Bile përkeqësimi i situatës pritet të ndodhë në dy muajt e ardhshëm, kur do të nënshkruhen kontratat për furnizim me energji elektrike për vitin e ardhshëm. /koha/