Pollogu i fundit me zhvillim, Kumanova dhe Likova më të varfrit

    Rajoni Verilindor ku bëjnë pjesë Kumanova, Likova, Kratova, Nagoriçani i Vjetër, Kriva Pallanka dhe Rankovca ka pagat më të ulëta në Maqedoni me një mesatare prej 420 euro, përderisa rajoni i Shkupit me 586 euro ka pagat më të larta në vend. Ky rajon nuk dallohet as me ndonjë zhvillim më të madh ekonomik duke qenë i parafundit me 3719 euro për kokë banori lidhur me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Dallimet e mëdha në paga, mirëqenien e qytetarëve si dhe Prodhimi i Brendshëm për kokë banori e tregojnë edhe të dhënat e tjera të statistikës për vitin 2023. Në treguesit e tjerë ekonomik për jetesën e qytetarëve në vend, rajoni i Pollogut është i fundit për zhvillimin ekonomik nëse merret parasysh Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori me 3429 euro, përderisa i pari sërish është rajoni i Shkupit me 8603 euro për kokë banori, shkruan gazeta Koha.

    Me fjalë tjera, edhe në PBB, si një mënyrë për të matur zhvillimin e prosperitetit në shoqëri përmes vlerësimit të aktivitetit ekonomik, Pollogu është i fundit lidhur me vlerën totale të të gjithë mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar në këtë rajon – minus vlerën e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për prodhimin e tyre. Rajoni Verilindor është i parafundit në vend edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë që është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i performancës ekonomike dhe një njësi e dobishme për të bërë krahasime të standardeve mesatare të jetesës dhe mirëqenies ekonomike. Problemet me zhvillimin jo të barabartë rajonal në vend janë konstatuar edhe në analizën e Entit Shtetëror të Revizionit.

    Strategjia për zhvillimin rajonal 2021-2031 është miratuar me vonesë, bazuar në një vlerësim të popullsisë, e cila devijon nga rezultatet e censusit, ndërsa politikat për zhvillim të balancuar rajonal nuk japin rezultatet e pritura, thekson Enti Shtetëror i Revizionit në raportin e auditimit të suksesit me temën “Zhvillimi i balancuar rajonal me theks të veçantë tek demografia”.

    Në analizë, revizorët theksojnë se pabarazitë socio-ekonomike dhe demografike ndërmjet dhe brenda rajoneve planifikuese nuk janë ulur pavarësisht aktiviteteve të ndërmarra në nivel qendror dhe rajonal në vitet e mëparshme. “Auditimi i kryer dhe treguesit e analizuar të rajoneve tregojnë se aktivitetet e zbatuara dhe mjetet e përdorura për arritjen e qëllimeve strategjike nuk kanë arritur reduktimin e pabarazive ndërmjet rajoneve planifikuese në vend. Dallimet e vazhdueshme rajonale në zhvillimin socio-ekonomik tregojnë për planifikim joefikas të aktiviteteve për zbatimin efektiv të politikës për zhvillim të balancuar rajonal, i cili kërkon rishikimin e masave të parashikuara në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal dhe veprime të koordinuara për uljen e pabarazive, rritjen e atraktivitetit të rajoneve dhe një cilësi më e mirë jetese për popullatën,” thuhet ndër të tjerash në raportin e Entit për Revizion apo Auditim.

    Përskaj mos respektimit të ndarjes së 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për zhvillimin e barabartë rajonal apo afër 130-140 milionë euro, nga të cilat në periudhën 2019-2021 janë ndarë gati gjysma, janë konstatuar edhe më shumë parregullsi të tjera, raporton Koha.

    Auditimi konstatoi gjithashtu aplikimin jo konsistent të indeksit të zhvillimit gjatë alokimit të fondeve në të gjitha rajonet. Rajoni i Shkupit si më i zhvilluari, ndonëse duhet të marrë pjesë me 7.2 për qind, dhe ai Verilindor si më pak i zhvilluar duhet të merr 17.3 për qind të mjeteve të përgjithshme buxhetore për këtë qëllim, megjithatë rajonit të Shkupit i janë ndarë 26.2 për qind, për dallim nga ai, Rajoni Verilindor që mori 8.4 për qind. Janë përcaktuar edhe dobësitë dhe funksionaliteti jo i plotë i sistemit SiReRa si një platformë e integruar softuerike që ofron mundësi për koordinimin e planifikimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikës për të inkurajuar zhvillimin e balancuar rajonal. Nga PBB-ja totale, 43 për qind krijohet në rajonin e Shkupit, që është më shumë se 8 herë më shumë se PBB-ja në Rajonin Verilindor, i cili merr pjesë në PBB-në totale me vetëm 5 për qind dhe ka shkallën më të lartë të papunësisë prej 32.4 për qind, konstaton raporti.

    Rajoni Juglindor dhe ai i Vardarit janë në prag të mbijetesës, që nënkupton ose më pak para për rajonet me më pak banorë ose një shpërndarje të re rajonale. Siç theksohet në raport , përkundër veprimeve të ndërmarra në nivel qendror dhe rajonal në vitet e mëparshme, pabarazitë socio-ekonomike dhe demografike ndërmjet dhe brenda rajoneve planifikuese nuk janë ulur.

    Shtimi natyror i popullsisë si tregues domethënës për përcaktimin e indeksit demografik, që nga viti 2010 ka shënuar rënie të vazhdueshme, pra nga 2.5 promil , në vitin 2021 ka shenjë negative dhe arrin në -5.4 promil. Një tendencë e uljes së normës së rritjes natyrore vërehet në të gjitha rajonet, ndërsa më e ulëta regjistrohet në rajonet e Lindjes dhe të Pellagonisë. Kjo situatë plotësohet nga rezultatet e Censusit të Popullsisë të kryer në vitin 2021, të cilat tregojnë se dy rajone (rajonet e Vardarit dhe ato Juglindore) nuk plotësojnë numrin minimal të kritereve të popullsisë sipas Nomenklaturës së Njësive Territoriale për Statistikat (NTES 3) prej 150,000. banorëve, andaj rajoni Lindor është në kufirin e minimumit të përcaktuar, thuhet në raportin e Auditimit. Njëherësh në dhjetë vitet e fundit, theksohet se migrimet e jashtme kryesisht kanë bilanc negativ, dhe më së shumti emigrantë të regjistruar janë regjistruar në rajonin Jugperëndimor, të Pollogut dhe të Vardarit.

    Në ndërkohë, edhe pas një dekade të miratimit të Strategjisë për zhvillim të barabartë rajonal, mund të konstatohet se kjo fushë si politikë e rëndësishme zhvillimore, pjesërisht ka arritur disa parametra ekonomik, mirëpo nuk ka arritur qëllimin kryesor, atë të uljes së dispariteteve të zhvillimit të tetë rajoneve planifikuese. Në këtë drejtim, problem paraqet edhe mungesa e analizave, që pamundësojnë matjen e treguesve të suksesit. Njëherësh, të gjithë qeveritë pa përjashtim – kur dalin me të dhënat për mjetet e hаrxhuara për zhvillimin e barabartë rajonal, akoma nuk mund të përcaktojnë se a janë këto deklarime të sakta, për shkak se ka munguar një sistem i vetëm dhe unik për ndjekjen e investimeve nga ana e institucioneve të ndryshme në politikat për zhvillim të barabartë rajonal.

    Lajmi Paraprak

    A duhet të pini qumësht kur jeni të ftohur!

    Lajmi i rradhës

    Paqartësi rreth mënyrës së identifikimit biometrik në zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë