‘Porositëm’ Naser Zyberin, na erdhi Talat Xhaferi

    Pavarësisht se BDI në vitin 2020 fushatën për kryeministrin e parë shqiptar në RMV e zhvilloi me Naser Zyberin, tashmë Avokat i popullit, BDI dje vendosi krejtësisht dikë tjetër në vend të tij. Kështu, nga janari i vitit 2024, Talat Xhaferi do të jetë kryeministër i qeverisë teknike, shkruan Nistori.

    Sipas opinionistit për çështje politike, Besim Nebiu, propozimi që Talat Xhaferi të jetë kryeministër teknik, paraqet veprim simbolik, pa peshë dhe domethënie thelbësore, sidomos për popullin shqiptar.

    “Mashtrim i opinionit sa për ta komufluar gënjeshtrën zgjedhore se BDI do të japë kryeministër. Premtimi elektoral i BDI-së ishte kryeministër dhe jo kryeministër teknik. Vetëm disa javë pas zgjedhjeve BDI hoqi dorë nga ky premtim qendror elektoral. Kjo tani nuk është as zëvendësim, as kompenzim, por një akrobacion që mundohet ta kamuflojë këtë gënjeshtër të madhe”, deklaron Nebiu për Nistorin.

    Edhe ish-ministri i Financave, Xhevdet Hajredini thotë se nuk meriton të jetë një shtet anëtare e BE-së, përderisa të rëndësishme e ka që kryeministër teknik në 100 ditëshin e fundit të jetë shqiptar, ndërsa 1360 ditë të ketë kryeministër jo teknik maqedonas.

    “Nuk meriton asnjë kandidat për anëtar në BE të jetë shteti në të cilin aq të rëndësishëm e ka që për 100 ditë që kryeministri teknik të jetë shqiptar, ndërsa 1360 ditë një kryeministër jo teknik maqedonas, ndërkohë të përballet me një epidemi të korrupsionit katastrofik”, shprehet Hajredini.

    Sipas Hajredinit, përderisa skandalet më të mëdha korruptive, përfshirë Deutsche Telekomin dhe Daka Davidoviqin, me ndihmën e Kovaçevskit, pastrohen dhe në listën e zezë të ShBA-ve nuk gjenden persona të tjerë nga BDI-ja, sigurisht do të realizohet vizioni i paralajmëruar nga Ali Ameti, të paktën 10 ditë presidenti teknik i vendit të jetë shqiptar.

    Në një komunikatë për Nistorin, Lidhja Europiane për Ndryshim (LEN), thotë se BDI së pari i mashtroi shqiptarët me Naser Zyberin, tani për së dyti me Talat Xheferin si kryeministër teknik – administrativ.

    “BDI-së nuk i interesojnë pozitat e larta shtetërore për të punuar në interes të shqiptarëve dhe të shtetit, por vetëm për të manipuluar opinionin dhe për të vjedhur, e për të sjellë investitor për kazino e bastore nga Serbia dhe Rusia. Me kryeminstrin Teknik, BDI mashtron dyfish shqiptarët, sepse kryeministri shqiptarë do të jetë funksionari i dështuar në 20 vite. Duke i shtuar dhe skandalet e fundit që është në kontakt me Nikolla Gruevskin për të punuar kundër opozitës shqiptare. BDI ka propozuar një kandidat për kryeministër shqiptar një person i cili nuk do të ketë asnjë kompetencë, por do të jetë kukull në karrigen e kryeministrit, sa për rë organizuar zgjedhjet”, kumton LEN.

    Ndryshe, të vetmin kusht që BDI të tërhiqet nga propozimi i kryeministrit të parë shqiptar ishte që VMRO-DPMNE të votojë ndryshimet kushtetuese. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Serbia po kryen spastrim etnik në Luginë të Preshevës, nëpërmjet pasivizimit të adresave

    Lajmi i rradhës

    Partitë politike po përgatiten për qeveri teknike dhe për zgjedhje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë