Prej nesër masa të reja restriktive

    Rritet ndjeshëm numri i rasteve të reja me Covid-19 në vendin tonë. Numri i rasteve aktive tashmë ka shkuar në 5.043, pas diagnostikimit të 792 rasteve të reja gjatë ditës së djeshme, shkruan Alsat. Sipas ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, gjendja më kritike është në Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Kërçovë, ku po mbushen repartet infektive. Analizë e bërë një javë më parë tregoi se deri në 40 për qind e të shtruarve në spital në atë kohë kanë dhënë të dhëna epidemiologjike se kanë qenë një ndonjë aheng. Filipçe nuk është optimist për atë që na pret në javët e ardhshme.

    “Nëse shikojmë dinamikën me të cilën po rritet numri, mund të themi se kemi para nesh disa javë në të cilat situata mund të jetë vërtet kritike. Disa nga pacientët transferohen edhe në Shkup. Klinika Infektive është e mbushur me këta pacientë dhe disa nga pacientët që diagnostikohen në qytetin e Shkupit. Tani po aktivizohen edhe Kovid qendrat tjera”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

    Ka një moment të ri në raport me masat kufizuese që fillojnë nga dita e nesërme.

    “Përveç certifikatës së kërkuar të vaksinës, të paktën një dozë, për hyrjen në të gjitha ngjarjet e organizuara në hapësirë të mbyllur dhe të jashtme, do të jetë e mjaftueshme të bashkëngjitet edhe një vërtetim se pacienti ka qenë i infektuar me Kovid në afat prej 45 ditëve. Ato janë 30 ditët e nevojshme për të kaluar kohën e vaksinimit dhe 15 ditë për të organizuar vaksinimin”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

    Filipçe nuk përjashton mundësinë e masave të reja në periudhën e ardhshme.

    “Ne do të flasim më tutje. Tani ky është hapi i parë me të cilin duam të nxisim vaksinimin. Do të shohim se cilat do të jenë njohuritë. Është e mundur që të ndërmarrim masa shtesë në javët e ardhshme, por diçka që është shumë e qartë dhe që po ndodh në të gjithë botën, është që të gjitha vendet zgjidhjen e vetme e shohin në vaksinimin”, pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

    Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, nga 16 gushti ndalohet puna e objekteve gastronomike në ambiente të mbyllura, ndërkaq në ambientet e hapura me kapacitet mbi 30 persona do të mund të pranohen vetëm personat e vaksinuar me së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ose persona që janë në 45 ditët e para pas shërimit nga Covid-19. Në çdo objekt gastronomik do të ketë person për mbajtjen e rendit që do të kontrollojë mysafirët, kurse objektet me kapacitete nën 30 persona nuk do të jenë të obliguar të kenë të angazhuar persona për mbajtjen e rendit.

    Lajmi Paraprak

    Moti sot në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Dy helikopterë të angazhuar për shuarjen e zjarrit në rajonin e Dibrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë