Prerja e druve në “Strasho Pinxhur”, komuna: Vendimi është në bazë të Inspektoratit për Ekologji

    Drunjtë në rrugën “Strasho Pinxhur” në Tetovë janë prerë në bazë të një vendimi të Inspektoratit Komunal për Ekologji dhe ndërmarrjes publike për Gjelbërim.

    Në dokumentin të cilin e ka siguruar Alsat thuhet se vendimi është marrë pas konstatimit se drunjtë në këtë rrugë duhet të priten dhe të zëvendësohen me fidane të reja, por edhe ankesës së disa prej pronarëve të lokaleve të cilët me peticion i janë drejtuar komunës për shkak të depërtimit të rrënjëve në dyqanet e tyre dhe pengesave që kanë hasur këmbësoret. Nga sektori komunal për veprimtari publike thonë se dokumentacioni do të dorëzohet në mbledhjen e radhës të këshilltarëve që pritet të mbahen brenda ditëve, pas çka edhe do fillojnë punimet për rikonstruimin e rrugës “Strasho Pinxhur”.

    “Është se kanë kërkuar vet qytetarët për vazhdimin e punës dhe largimin e druve që janë pengesë për bizneset e tyre, se janë pengesë për këmbësorët dhe kam potencuar disa herë se kanë pasur problem me shitoret se iu kanë depërtuar rrënjët e druve. Ne para nisjes me punët ndërtimore e kemi obligim dhe i drejtohemi inspektoratit për ambient jetësor dhe del e konstaton gjendjen e druve, inspektorati ka dalë në prezencë të mbikëqyrësit dhe udhëheqësit të parqeve dhe gjelbërimeve dhe me proces verbal është konstatuar se të njëjtët duhet ndërruar dhe zëvendësuar me fidane të reja”, deklaroi Memet Jonuzi. shef i sektorit për veprimtari publike.

    Nga Lista “Më mirë për Tetovën”, thonë se në seancë të radhës, gjitha këto dokumente dhe vendime që pretendojnë se i kanë të kompletuara në komunë, do ti kërkojnë ti shohim dhe të diskutohet për to.

    “Vendimin për prerje të drunjëve nuk mund ta bjer inspektori, mbikëqyrësi i brendshëm dhe përfaqësuesi i NPK-së. Njëkohësisht në projekt nuk mund të qëndrojë aq lehtë informata për ndërrimin e gjelbërimit apo botanikës pa u dhënë paraprakisht edhe mendimi i një eksperti të ambientit – fushës së botanikës. Ne edhe dje theksuam se punët ndërtimore duhet të vazhdojnë por jo prerja e drunjëve”, njoftojnë nga Lista “Më mirë për Tetovën”.

    Nga komuna e Tetovës thonë se rikonstruimi i kësaj rruge do të kryhet në afatin e paraparë, në muajin qershor. Punimet në këtë rrugë kanë nisur një muaj para fushatës për zgjedhjet lokale nga ish-kryetarja e komunës, Teuta Arifi, por punimet ishin lënë në gjysmë me përfundimin e zgjedhjeve.

    Lajmi Paraprak

    “Stop grabitjes” dhe “No Pasaran” kërkojnë nga ministri i drejtësisë ndryshime në Ligjin për përmbarim

    Lajmi i rradhës

    Qeveria ka përgatitur Ligj të ri për falje, parashikon dhe rehabilitimin e përkohshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë