Prioritet rekomandimet e OSBE/ODIHIR | Takohet Grupi i Punës për Kodin Zgjedhor

    Për herë të parë u mblodh grupi i punës që do të hartojë Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari i saj, Aleksandar Novakovski, thotë se prioritet është zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR për kodin zgjedhor, si dhe hartimi i një ligji të ri me tekst të rafinuar.

    “Unë shpresoj se do të dalim me një propozim dhe do t’ia dalim në ruajtjen e afateve që janë përcaktuar nga disa standarde evropiane, që këto ndryshime të zbatohen në një periudhë prej gjashtë muajsh përpara zgjedhjeve”, deklaroi Aleksandar Novakovski, kryetar i grupit punues.

    Megjithatë, gjithnjë e më i mundshëm është edhe debati për modelin e ri zgjedhor. Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga përsëri ftoi VMRO-në që të dërgojë përfaqësuesin e saj në grupin e punës. Nga VMRO-DPMNE dje thanë se nuk do të marrin pjesë deri sa koalicioni qeverisës të dalë me një propozim për modelin zgjedhor. Opozita kërkon një njësi zgjedhore.

    Qeveria ka pikëpamje të ndryshme. Socialdemokratët dje theksuan se edhe ata mbështesin një njësi zgjedhore, por sipas tyre, model i ri zgjedhor i mundshëm duhet të miratohet me konsensus të të gjitha partive. BDI theksoi se përveç konsensusit ndërpartiak, nevojitet edhe konsensus ndëretnik për këtë çështje, sepse në Kuvend patjetër duhet të reflektohet përbërja etnike e shoqërisë.

    “Nëse do të flasim për modelin dhe nëse vendosim për një njësi zgjedhore, atëherë duhet të vendosim edhe prag dhe lista të hapura. Për prag prej pesë për qind ka përvoja të tilla… por unë do të përmbahem nga komentet e mëtejshme, duke lënë hapësirë për të diskutuar në mënyrë konstruktive brenda grupit të punës”, u shpreh Arbër Ademi, deputet i BDI-së.

    Tema e një njësie zgjedhore u ngrit pas kërkesës nga partitë më të vogla politike, por edhe pasi OSBE/ODIHR vuri në dukje barazinë e votës në gjithë vendin. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shqipëri, RSF- Gazetarët viktima të krimit të organizuar

    Lajmi i rradhës

    “Përse jetët tona të jenë më pak të vlefshme se sa jetët e pacientëve me fibrozë cistike, por që jetojnë në shtete tjera” / Protestohet para Ministrisë së Financave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë