PROBLEMI I PASAPORTAVE PËR TË RINJTË / Sivjet jo për punë sezonale jashtë

    Kaosi me zëvendësimin e dokumenteve personale prishi edhe planet e shumë të rinjve që gjatë sezonit veror punojnë në Evropë, përfshirë edhe studentët. Regjistrimi nëpër agjenci ka filluar, ndërsa të rinjtë nuk dinë ende se sa do të zgjasë procedura e pasaportave.

    Studentja nga Shkupi M.B, tha për gazetën Koha se nga e gjithë kjo katrahurë po ndodh, më së shumti po e vuajnë studentët.

    “Nuk e di nëse përsëri do punoj jashtë, e gjitha varet se kur do të mund të pajisem me dokumentet personale. Nuk është në rregull, me paratë që fitoj atje paguaj semestrin. Jo vetëm që nuk po na lëshojnë bursat në kohë që po shkakton probleme financiare te studentët, tani edhe jemi të izoluar dhe nuk po mund të dalim”, tha studentja nga Shkupi në studimet deri-diplomike.

    Ndërkaq Ministri teknik i Punëve të Brendshme (MPB), Pançe Toshkovski, ditë më parë tha se qytetarët e fotografuar që nuk kanë marrë dokument udhëtimi janë rreth 105 mijë. Ai ka shpjeguar se këta persona do t’i marrin pasaportat maksimumi për një muaj e gjysmë. Ai shtoi se gjatë ditëve të kaluara është bërë ricaktimi për 56 mijë persona të tjerë të cilët më parë kanë pasur një termin për fotografim në qershor, korrik apo gusht.

    Megjithatë, një agjenci në Çarshinë e Shkupit tha se si pasojë e problemit me pasaportat, numri i të interesuarve për punë në Evropë, ka rënë dukshëm.

    “Mbi 200 persona që kanë punuar në Evropë janë kthyer për të ndërruar pasaportat. Edhe numri i të interesuarve për këtë sezon ka rënë nën 100. Partnerët e huaj janë të befasuar nga çorganizimi i institucioneve tona për nxjerrjen e dokumenteve të reja. 95 për qind e njerëzve me të cilët punojmë janë të rinj. Është dashur të bëhet një fushatë, që njerëzit të informohen me kohë për rëndësinë e dokumenteve, sepse jo të gjithë i ndjekin mediat rregullisht” thanë nga një agjenci turistike në Çarshinë e Vjetër. Nga atje shtojnë se ka një ngarkesë të madhe negative nga ana e të rinjve, ku siç theksojnë ata, si pasojë e periudhës parazgjedhore janë lënë të harresë.

    Lajmi Paraprak

    Murtezi: koalicioni VLEN do t’i fitojë deri 20 deputetë

    Lajmi i rradhës

    Narrativa parazgjedhore edhe më e ashpër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë