PROGRAMI VJETOR NË DIBËR / Mbi 65 milionë denarë për rrugë

    Në vitin 2024, Komuna Dibër në përputhje me Programin vjetor i cili është miratuar nga Këshilli i Komunës – për ndërtim, rikonstruim, rehabilitim, mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve komunale dhe rrugicave në territorinn të komunës Dibër ka paraparë aktivitete të shumta në sferën e infrastrukturës. Në përputhje me këtë Program janë paraparë të ardhurat në lartësi prej 65.9 milionë denarë. Autoritetet lokale thonë se është një Program shumë serioz me të cilën pritet që të tejkalohen problemet në sferën e infrastrukturës rrugore.

    Sipas këtij Programi, për të cilët kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, thotë se është një Program që do të mundësojë tejkalimin të disa problemeve në sferën e infrastrukturës, janë paraparë ndërtime në sferën e infrastrukturës rrugore në fshatrat Kosovrast i Epërm, Kosovrast i Poshtëm dhe në disa fshatra të tjerë të Komunës Dibër, për çka janë paraparë mjete në lartësi prej 11.6 milionë denarësh. Sa i takon infrastrukturës rrugore në qytetin e Dibrës, janë paraparë mjete në lartësi prej 48.8 milionë denarësh.

    Planifikohen sanime dhe rekonstruime të rrugëve në qytet edhe atë në lagjen “Venec 1” faza e dytë, dhe rekonstruimi i rrugëve “Eqerem Zengo”, “Ibrahim Kolari”, “1 Maji”, rruga “206”, rruga “8 Marsi”, dhe disa rrugë të tjera në qytet. Me këtë Program janë paraparë mjete në lartësi prej 1.5 milionë denarësh për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në qytet dhe fshatra, kurse Programi parasheh edhe mjete për mbushjen e gropave në rrugët komunale si dhe vendosjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në vlerë prej 4 milionë denarëve. Po ashtu, sipas Programit, janë paraparë edhe mjete për përgatitjen e projekteve dhe studimeve për rrugët në Komunën e Dibrës.

    Si burime kryesore për të ardhurat për këtë Program paraqiten ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore” me një lartësi të mjeteve prej 3 milionë denarësh, nga participimet nga komuna dhe qytetarët 10 milionë denarë, 12.5 milionë denarë janë paraparë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale – Byroja për zhvillim rajonal, donacion nga Banka Botërore në lartësi prej 16.5 milionë denarë, nga grante kapitale 6.5 milionë denarë, nga Qendra për Zhvillim të Rajonit planor jug-perëndimor 7.9 milionë denarë dhe nga donacionet e ndryshme 9.5 milionë denarë. Nga institucionet vendore në Dibër programi vlerësohet si shumë serioz dhe ka një pritshmëri të lartë që ai të realizohet në tërësi. Dibra dhe fshatrat me këtë Program dukshëm do të përmirësojnë infrastrukturën rrugore, e cila dekada me radhë në disa pjesë nuk ka patur sanime.

    Angazhimi i Këshillit të Komunës Dibër dhe kryetarit të Komunës në fjalë është që Programi të realizohet tërësisht. Një vend të veçantë pushteti vendor i jep edhe planifikimit për përgatitje të projekteve dhe studimeve për rrugët në komunë. Gjatë viteve që kaluan, shumë rrugë në qytet dhe fshatra janë sanuar dhe aktualisht është në rrjedhë rrjeti rrugor në vendbanimin rrugor “Venec 1” ku jeton një numër i madh i dibranëve, por që më shumë se pesë dekada nuk ka qenë e sanuar. Faza e parë ka përfunduar gjatë vitit 2023, dhe aktualisht pritet faza e dytë e cila është paraparë me këtë Program. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Migrena është e tmerrshme – Pesë mënyra për t’u ndjerë më mirë

    Lajmi i rradhës

    Qendra e vjetër tregtare në Tetovë, cak i hajnave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë