Qendra e vjetër tregtare në Tetovë, cak i hajnave

    Fotografi ilustruese

    Pronarët e lokaleve që punojnë qendrën tregtare “Saranda” që njihet edhe si kompleksi i vjetër, kanë alarmuar se brenda dy jave janë thyer gjashtë lokale nga persona të panjohur. Demoluesit, sipas dyshimeve, për qëllim kanë pasur të marrin paratë dhe në disa lokale kanë arritur të marrin sasi të konsiderueshme të parave. Kjo ka shqetësuar pronarët e lokaleve në këtë qendër tregtare, të cilët thonë se rastet janë paraqitur në polici, është bërë hetim, por nuk ka informacione kthyese. Krahas dëmeve që janë shkaktuar në demolimin e lokaleve, pronarët janë të shqetësuar se nëse nuk merren masa më rigoroze, të njëjtat do të vazhdojnë edhe më te jenë cak i hajnave.

    “Shqetësimet tona janë se kjo dukuri është shfaqur kohëve të fundit, ku disa lokale janë demoluar. Në disa lokale hajnat kanë arritur të marrin edhe para, kurse në disa ka patur tentim për vjedhje. Edhe gjatë vikendit është thyer një shitore. Kërkojmë nga organet policore që të marrin masa dhe të mos shndërrohet kjo qendër tregtare e pasigurt, sepse kështu na detyrojnë që të largohemi”, thotë një pronar lokali. Ata janë ankuar se kjo qendër tregtare është lënë pas dore, prandaj edhe ka shumë pak biznese që janë funksionale. Sipas tyre, edhe pse ka patur premtime nga kryetarët e komunave në të kaluarën se do të intervenohet në infrastrukturën e së njëjtës, megjithatë qendra tregtare është lënë pasdore, prandaj edhe ndodhin raste të shpeshta të thyerjeve të lokaleve.

    “Mungesa e investimeve e ka bërë të veten. Mbylljja e lokaleve në vazhdimësi, mos angazhimi i autoriteteve që të përmirësojë kushtet dhe infrastrukturën ka bërë që edhe qytetarët të largohen. Shumë biznese në të kaluarën kanë qenë atraktive në këtë kaluarën dhe ka pasur shumë vizitorë. Por, tash, mezi punojnë rreth 10 biznese, por nëse vazhdohet ky trend do të detyrohemi edhe ne të largohemi”, pohon një tjetër pronar lokali. Sipas evidencës në Sektorin e Punëve të Brendshme të Tetovës, nga fillimi i vitit 2024 deri më 22 janar, në kompleksin “Saranda ” në Tetovë janë raportuar disa vjedhje.

    “Më 16 janar në ora 08:40 në SPB-Tetovë, G.D. (34) nga Poroji i Tetovës, ka raportuar për dëmtim të xhamit të derës së hyrjes në lokalin që ndodhet në katin e parë, duke shkaktuar dëme materiale. Më 20 janar, në ora 09:45, A.A.(48) nga Tetova ka raportuar për vjedhje në tentativë në lokalin e tij, gjatë së cilës është dëmtuar dera e hyrjes me send të fortë, por askush nuk ka hyrë në objekt. Më 21 janar në ora 20:15, Sh.R.(66) nga Reçica Madhe e Tetovës ka raportuar se me send të fortë i është dëmtuar xhami i dyqanit. Në të tre rastet e raportuara është kryer inspektimi dhe po punohet për zbardhjen e tyre”, njoftuan nga policia e Tetovës. Kjo qendër e ndërtuar në fillim vitet e 90-ta, vite me radhë po përjeton neglizhcën e institucioneve.

    Kjo qendër tregtare me dhjetëra lokale, dikur shkëlqente ku të gjitha lokalet dhe bizneset e vogla punonin dhe kishte mjaft vizitorë. Me kalimin e kohës u pakësuan vizitorët, u mbyllën shumë lokale ndërsa e njëjta gjithnjë e më pak frekuentohej kurse pronarët e lokaleve dhe ato që ishin me qira u larguan. Ngelën vetëm disa prej tyre të cilët e mbajtën gjallë këtë kompleks, duke mos patur rrugëdalje tjetër dhe duke punuar sa për të mbijetuar. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    PROGRAMI VJETOR NË DIBËR / Mbi 65 milionë denarë për rrugë

    Lajmi i rradhës

    PAKËNAQËSI TE KULTIVUESIT E DUHANIT, ZBRAZEN FSHATRAT

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë