Prona e sekuestruar e Gruevskit do të nxirret në shitje

    Agjencia për Menaxhim me Pasurinë e Sekuestruar e Maqedonisë së Veriut ka nisur procedurën për shitjen e pronës së sekuestruar të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

    Sipas njoftimit të agjencisë, bëhet fjalë për pesë apartamente dhe tokë ndërtimore, gjegjësisht dy parcela në zona atraktive në Shkup.

    Ish-kryeministri Nikolla Gruevski në vitin 2018 ka marrë azil politik në Hungari pas ndjekjes nga organet gjyqësore maqedonase për shpërdorim të detyrës zyrtare.

    Ai, për gjashtë vepra penale është dënuar me 14 vjet burgim, ndërsa disa procese të tjera janë duke u zhvilluar ende.

    Por, përveç dënimeve me burgim, atij, me vendime gjyqësore të formës së prerë i është sekuestruar edhe pasuria për dëmet që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit në disa miliona euro.

    “Me hyrjen në procedurë qeveritare fillon kthimi i mjeteve në buxhetin e shtetit nga pasuria e sekuestruar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski… Pronat e sekuestruara do të vihen në shitje sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Menaxhim me Pasurinë e Sekuestruar.

    Këto prona që ishin zbuluar në vitin 2021, ishin ngrirë me vendim të Gjykatës Penale të Shkupit dhe me një vendim tjetër të kësaj gjykate janë nxjerrë në shitje.

    “Vendimi për sekuestrimin e pasurisë duhet të merret me vendim të plotfuqishëm”.

    Njohësit e çështjeve juridike, thonë se organet e ndjekjes penale duhet të kenë kujdes apo të marrin vendime pasi të kenë përfunduar të gjitha procedurat pasi mund të ndodhë që ai të kërkojë kthimin e pronës në rast të ndryshimit të vendimit gjyqësor.

    Kjo, sipas Bashkim Selmanit, profesor i së drejtës penale, mund të ndodhë pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal, që mund të përfshijë edhe vepra, për të cilat është dënuar ish-kryeministri Gruevski.

    “Tani nuk i dimë se cilat janë aktgjykimet për të dyshuarin Gruevski, sepse pa aktvendim të plotfuqishëm nuk mund të sekuestrohet pasuria. Duhet të dihet se për cilat prona është konstatuar se janë fituar në mënyrë të paligjshme”.

    “Vendimi për sekuestrimin e pasurisë duhet të merret me vendim të plotfuqishëm. Kjo sepse nëse ndodh që nesër të kthehet Gruevski, të njëjtat prona sërish mund t’i kthehen, sepse askush nuk mund të cenojë pronën e dikujt pa i ditur shkaqet dhe prejardhjen e saj. Kjo edhe për faktin se një pjesë e pronës së tij është në emra të ndryshëm”, thotë Selmani.

    Ndërkohë, përveç pronës së sekuestruar të Nikolla Gruevskit, në procedurë është edhe shitja e pronës së familjarit dhe bashkëpunëtorit të tij të afërt, Sasho Mijallkov.

    Ish-shefi i Policisë Sekrete të Maqedonisë së Veriut, ndodhet në vuajtje të dënimit me burgim për shpërdorim të detyrës. Agjencia e Kadastrës ka të evidentuar 33 pasuri të paluajtshme në vlerë prej rreth 15 milionë eurosh, shumë kjo për gati 15 milionë euro më pak nga 30 milionë euro sa kishte prezantuar ish-prokurorja për luftë kundër krimit të organizuar, Vilma Ruskoska, në korrik të vitit 2022.

    Ekspertët juridikë thonë se organet e ndjekjes dhe të institucioneve tjera duhet të kenë kujdes në vlerësimet që japin për pronat e sekuestruara.

    “Është me rëndësi që prokurorët të jenë shumë më të kujdesshëm në dhënien e deklaratave se sa është sekuestruar dhe sa duhet të jetë prona që pritet të merret, sepse mund të lërë dyshim te qytetarët se pas shpalljes së aktgjykimit mund të ketë pasur ndërhyrje… Pra, kjo mund të lëkundë besimin e qytetarëve në organet gjyqësore pasi mund të dyshojnë se ka pasur marrëveshje për pronat para se të jepej aktgjykimi”, ka deklaruar Ivana Petkovska nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

    Sipas të dhënave të Kadastrës, vetëm në dy ndërtesa banimi, Mijallkov ka 25 apartamente, garazhe dhe objekte afariste në vlerë prej 8 milionë eurosh.

    Agjencia për Menaxhim me Pasurinë e Sekuestruar ka bërë të ditur se nga shitja e pasurisë së Mijallkovit në buxhetin e shtetit janë derdhur 11.3 milionë euro.

    Agjencia më 6 shtator kishte njoftuar shitjen edhe të një pjesë tjetër të pasurisë së Mijallkovit në vlerë prej 244 mijë eurosh.

    Të gjitha dyshimet për shpërdorim të detyrës, për të cilat ende zhvillohen procese gjyqësore kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit me Maqedoninë e Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. /REL/

    Lajmi Paraprak

    INVESTIMET KAPITALE | Kujdes jo i mirë për paratë!

    Lajmi i rradhës

    Shumë qytetarë në RMV në varfëri ekstreme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë