Pronarët e kompanive të ndërtimit kërkojnë nga Qeveria që të punojnë të dielave

    Pronarët e kompanive të ndërtimit kërkojnë nga Qeveria që të punojnë të dielave. Biznesmenëve nuk u pëlqejnë ndryshimet në Ligjin e Punës që lejojnë punëtorët e ndërtimit të jenë të lirë të dielave. Shoqata e Ndërtuesve thotë se projektet e tyre janë të lidhura me afate dhe nëse punëtorët nuk punojnë të dielave, punët ndërtimore do të vonohen dhe për këtë do të duhet të paguajnë gjoba.

    “Kjo zgjidhje ligjore do të ndikojë seriozisht në sektorin e ndërtimit, do të ndikojë në kushtet organizative në të cilat operojnë kompanitë e ndërtimit, do të ndikojë në të ardhurat dhe shpenzimet e kompanive të ndërtimit”- deklaroi Adreja Josifovski- kryetar i Shoqatës së ndërtuesve.

    Ministri i transportit thotë se do të pranojë takim me ndërtuesit dhe do të dëgjojë e shqyrtojë edhe një herë kërkesat për përjashtimin e këtij aktiviteti nga rregullat e reja për punë ditën e diel. Boçvarski nuk tha nëse nuk do të ndikojë negativisht në realizimin e projekteve kapitale fakti që ndërtuesit nuk do të punojnë të dielave, por theksoi se me organizim të mirë gjërat mund të shkojnë pa probleme.

    “Besoj se në çdo ligj dhe në çdo pjesë të shoqërisë duhet të gjejmë një ekuilibër të caktuar, që do të jetë siguri, dhe për këtë rast sektorin e ndërtimit, por edhe për të drejtat e punëtorëve. Nga ky aspekt, Ligji që është miratuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është diskutuar seriozisht në publik dhe mendoj se është një zgjidhje e mirë për të ngritur nivelin e të drejtave të punëtorëve”- pohoi Blagoj Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

    Sipas informacioneve nga zgjidhja ligjore, 92% e të punësuarve në sektorin privat do të fitojnë një ditë pushim të dielave, të garantuar. Tetë për qind tjerë të mbetur, janë të punësuar në industri ku procesi i punës nuk mund dhe nuk guxon të ndalet. Ligji hyn në fuqi më 1 janar 2022. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    ZAEVI LARGOHET NGA POLITIKA – për disa si hero e për disa si tradhtar

    Lajmi i rradhës

    Të gjithë ata që ia zgjatën jetën këtij regjimi, sot u pa se kanë kontribuar që të arrihet deri te falja e kriminelëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë