PROTESTA KUNDËR PROPOZIMIT FRANCEZ | Prej sot bllokadë në gjithë shtetin

    Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten në Shkup, për të gjashtën ditë me radhë, për të protestuar kundër një propozimi të Francës, që synon t’i zgjidhë disa mospajtime midis Shkupit dhe Sofjes, me qëllim që t’i hapet rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut, raporton REL.

    Partitë maqedonase në opozitë, që organizojnë protestat, thonë se ky propozim vë në rrezik identitetin maqedonas, ndërsa Qeveria, e cila e ka pranuar atë, thotë se ai ruan gjuhën dhe historinë maqedonase.

    Për dallim prej disa ditëve të kaluara, kur protestat u përshkallëzuan në dhunë, tubimet e së enjtes ishin të qeta. Protestuesve iu drejtua udhëheqësi i partisë opozitare maqedonase, Hristian Mickoski, duke iu thënë se ata nuk duhet të lejojnë që të bien “pre e provokimeve”.

    “T’u themi një ‘jo’ të madhe të gjithë atyre që tentojnë të kontaminojnë këtë protestë mbarëpopullore. Forca nuk është te dhuna, forca është te masiviteti”, tha ai.

    Të enjten, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shqyrtoi propozimin e Francës dhe vendosi që ai të kalojë në Kuvend për miratim. Nga Kuvendi nuk japin informacione se kur do të mund të zhvillohet debati rreth tij. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një letër drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të enjten, tha se propozimi francez nuk është i përsosur, por fut vendin në BE.

    Ndryshe, për sot janë paralajmëruar bllokada prej orës 13:00.

    Ndryshe, pasditen e pardjeshme është shmangur incident ndëretnik pasi një grup protestuesish maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës.

    Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”. Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet. Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

    Ndryshe, propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

    Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

    Lajmi Paraprak

    Rusia avancon drejt Slovianskut, Putin paralajmëron ofensivë më të madhe

    Lajmi i rradhës

    Shenjat fillestare të sklerozës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë