Protesta të mëdha në Gjermani

    Bllokada e rrugëve në Gjermani / Fotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

    Megjhithë faktin që qeveria gjermane ka bërë lëshime, shoqatat e fermerëve kanë paralajmëruar për nesër fillimin e protestave të mëdha në të gjithë Gjermaninë. Protestat do të zgjasin një javë, ndërsa manifestimi qendror do të mbahet me 15 janar. Autoritetet llogarisin me pengesa të mëdha në rrugë dhe me bllokada të rrugëve e autostradave, si dhe pengesa të shumta në institucione të tjera.

    Ministri i Financave dhe kreu i FDP, Christian Lindner kritikoi protestat e paralajmëruara. Partitë e Unionit, nga ana tjetër, mbështesin fermerët. Autoritetet federale i frikësohen radikalizimit dhe infiltrimit të qarqeve ekstremiste në protesta.

    Bllokadat e rrugëve

    Autoritetet policore në mbarë vendin presin bllokime rrugore dhe veprime të mëtejshme me traktorë dhe pajisje të tjera bujqësore. Priten edhe bllokada “në shumicën e hyrjeve të autostradave”. “Për të siguruar furnizime për popullatën”, autoritetet lejuan transportin e mallrave në distanca të gjata edhe të dielën, që zakonisht nuk lejohet. Sindikata e policisë ka frikë se policia do të mbingarkohet. “Shumë veprime jo vetëm që shkojnë shumë përtej këndvështrimit ligjor, por paraqesin edhe rrezik trafiku dhe një kërcënim për sigurinë dhe rendin publik,” shpjegoi anëtari i sindikatës së policisë Thorsten Grimm. Këto bllokada mund të pengojnë shumë punonjës të shkojnë në vendet e punës. E në disa vende është paralajmëruar edhe mbyllja e shkollave dhe disa institucioneve të tjera.

    Shkaqet e protestave

    Shoqata Gjermane e Fermerëve (DBV) ka bërë thirrje për një javë protesta mbarëkombëtare kundër politikave të qeverisë federale. Zemërimi i fermerëve u ndez nga shkurtimet e planifikuara të subvencioneve në vazhdën e krizës buxhetore. Qeveria federale tani i ka tërhequr kryesisht planet, por DBV nuk ka hequr dorë nga protestat.

    Protestave pritet t’u bashkohen edhe sektorë të tjerë, si shoqatat e peshkimit dhe disa shoqata të hoteleve dhe restoranteve. Gastronomët janë kundër rikthimit të taksave në vlerë të shtuar nga 7 në 19 %, sa ka qenë para pandemisë corona. Ka dhe paralajmërime që protestave t’u bashkangjiten edhe shoferët e kamionëve e madje edhe punonjësit në hekurudha, por akoma nuk ka ndonjë vendim konkret. Autoritetet kanë frikë se protestat mund të keqpërdoren nga qarqet ekstremiste.

    Ekstremistët

    Para dy ditësh një grup ekstremistësh në radhët e protestuesve kanë sulmuar edhe një anije ku ishte ministri i Ekonomisë Robert Habeck. Ai nuk është dëmtuar, por ky sulm ka treguar se qarqet djathtiste do të përpiqen ta shfrytëzojnë pakënaqësinë për qëllime politike. Përfaqësuesit e shoqatave të fermerëve janë distancuar nga këto sulme dhe kanë bërë thirrje që në protesta të mos marrin pjesë qarqet ekstremiste politike. Të dhjathtët dhe grupet e tjera radikale nuk i duam në protestat tona, deklario kryetari i Shoqatës së Fermerëve Joachim Rukwied. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Biseda e gazetarit francez me Ismail Qemalin, pak javë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE nuk do ta përkrahë në Kuvend Talat Xhaferin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë