Ministri i Drejtësisë, Alen Shasivari, paralajmëroi ditë më parë për media organizimin e një takimi konsultativ me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, në kuadër të diskutimeve për mundësinë e organizimit të provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Shasivari tha se Ministria pret edhe kërkesën nga Universiteti i Tetovës, ndërsa theksoi se në periudhën e ardhshme do të zhvillohen konsultime për aspektet praktike të organizimit të provimit në disa gjuhë, shkruan Nistori.
“Presim edhe kërkesën e universitetit të parë me mësim në gjuhën shqipe, pra Universitetit të Tetovës, dhe në periudhën që vjen do të organizojmë këtë takim konsultativ, informues me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanëve të fakulteteve juridike”, deklaroi Shasivari.
Sipas tij, dialogu duhet të trajtojë një sërë çështjesh që lidhen me zbatimin praktik të një modeli të tillë, përfshirë materialet dhe pyetjet e provimit, literaturën dhe dispozitat juridike, kriteret profesionale të vlerësimit dhe përkthimin.
“Ky dialog është shumë i rëndësishëm edhe për t’i adresuar çështjet praktike për organizimin e provimit të jurisprudencës në disa gjuhë. Pra, çështjen e materialeve të provimit, literaturës juridike, dispozitave juridike, pyetjeve të provimit, kriteret profesionale të vlerësimit dhe çështjen e përkthimit”, tha ministri.
Shasivari vlerëson se kandidatëve duhet t’u sqarohet se një zgjidhje e tillë synon avancimin dhe gjithëpërfshirjen.
“Jam i bindur se me një sqarim profesional dhe institucional, studentët dhe kandidatët e ardhshëm do ta kenë të qartë se bëhet fjalë për një avancim dhe për një qasje gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.
Ministri hodhi poshtë pretendimet se procesi po zvarritet, duke thënë se synimi është ndërtimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe në përputhje me rendin juridik.
“Qasja jonë është afatgjatë. Ne nuk e zvarrisim procesin, por kemi ndërtuar një zgjidhje e cila është e qëndrueshme, është në pajtim me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare”, deklaroi Shasivari.
Parlamenti Studentor i Universitetit të Evropës Juglindore: kërkesa jonë është e qartë dhe e pandryshuar
Pas deklaratave të ministrit ka reaguar Besjan Rexhepi nga Parlamenti Studentor i UEJL-së, duke mirëpritur paralajmërimin për takim, por duke kërkuar që procesi të mos mbetet vetëm në nivel konsultimesh.
“Sot, pas njoftimit të djeshëm të ministrit të Drejtësisë, z. Shasivari, përmes mediave, se do të na ftojë në takim për të diskutuar kërkesën tonë lidhur me zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale edhe në gjuhën shqipe, mbetet të shohim mënyrën dhe kohën se si do të realizohet kjo ftesë”, deklaroi Rexhepi.
Rexhepi theksoi se qëndrimi i studentëve mbetet i pandryshuar dhe, sipas tyre, kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe nuk mbështetet në interpretime politike, por në të drejtat që ata konsiderojnë se burojnë nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
“Të jemi të qartë, nga ana jonë, qëndrimet janë të qarta dhe të pandryshuara. Kërkesa jonë nuk është e bazuar në dëshira apo interpretime politike, por në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në ligjet konkrete në fuqi që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe barazinë e qytetarëve”, tha Rexhepi.
Sipas Rexhepit tha se derisa ministri Shasivari thotë se procesi nuk po zvarritet dhe se po punohet për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, përfaqësuesit e studentëve konsiderojnë se nuk ka arsye për shtyrje të mëtejshme.
“Prandaj, nuk ka arsye që kjo çështje të zvarritet më tej. Zgjidhja është konkrete, e mundshme dhe kërkon vetëm vullnet institucional për t’u zbatuar”, theksoi Rexhepi.
Studentët, thotë Rexhepi se e mirëpresin takimin e paralajmëruar nga Ministria e Drejtësisë, por presin që ai të prodhojë rezultate konkrete.
“Ne e mirëpresim takimin e paralajmëruar dhe presim që ai të mos jetë vetëm një tjetër takim formal, por një hap drejt një zgjidhjeje konkrete. Si Parlament Studentor, do të vazhdojmë ta përfaqësojmë këtë kërkesë me përgjegjësi dhe këmbëngulje, sepse barazia gjuhësore dhe respektimi i të drejtave të studentëve nuk duhet të jenë çështje që shtyhen nga një mandat në tjetrin”, deklaroi Rexhepi.
Ai e përmblodhi kërkesën e studentëve në tri pika:
“Kërkesa jonë është e thjeshtë: barazi, zbatim i ligjit dhe respektim i të drejtave të studentëve.”
Ndryshe, studentët dy herë kanë protestuar para ministrisë së Drejtësisë në lidhje me zbatimin e ligjit për gjuhën, konkretisht që provimi i jurisprudencës t’u mundësohet studentëve shqiptarë në gjuhën shqipe. /Nistori/






