Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, theksoi se shoqëria duhet të tejkalojë ndarjet dhe të përqendrohet te profesionalizmi kur bëhet fjalë për provimin e jurisprudencës. Ai solli shembullin e shteteve të zhvilluara, ku testimi zhvillohet në gjuhën që zgjedh secili kandidat, duke shtuar se “të rinjtë duan përparim dhe jo ndarje, dhe testimi duhet të jetë në gjuhën që zgjedh secili, por në radhë të parë të garantojë profesionalizmin.”, shkruan Nistori.
“Mendoj se disa çështje tashmë duhet të ishin tejkaluar, çështje që si shoqëri i kemi kaluar. Shikoni shembujt e shteteve të zhvilluara: atje pyetja është sa di dhe jo në cilën gjuhë zhvillohet provimi. Në Zvicër, testohesh në gjermanisht, frëngjisht ose italisht. Askush nuk të pyet në cilën gjuhë po testohesh, por në cilën gjuhë dëshiron të testohesh. Këtë duhet ta arrijmë edhe ne. Më tej, shoqëria duhet të ecë përpara dhe jo me ndarje, siç ndodh fatkeqësisht me këtë qeveri, në çështje të tilla të mbyllura si Ligji për gjuhët, Balancuesi e të tjera. Të rinjtë nuk e duan këtë; ata duan përparim. Për këtë do të largohen nga vendi. Absolutisht nuk shoh asnjë problem që testimi të bëhet në çfarëdo gjuhe. Në radhë të parë, të jetë profesionalizmi,” tha Filipçe.
Deklarata e Filipçes vjen ndërsa debati mbi mundësinë e zhvillimit të provimit në gjuhën shqipe vazhdon në Maqedoninë e Veriut. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, insiston se provimi nuk mund të mbahet në shqip, duke argumentuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk mund të interpretohet në izolim nga ligjet që rregullojnë hyrjen në sistemin gjyqësor. Ai theksoi se të gjitha ligjet për gjyqësorin, prokurorinë, avokaturën, noterët dhe përmbarimin kërkojnë njohjen aktive të gjuhës maqedonase si kusht themelor.
“Provimi i jurisprudencës është parakusht për gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë dhe përmbarues. Të gjitha këto profesione kërkojnë njohuri aktive të gjuhës maqedonase, sepse procedurat dhe aktet zyrtare zhvillohen kryesisht në këtë gjuhë,” theksoi ministri.
Zëvendëskryeministri Bekim Sali, nga ana e tij, u shpreh se të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk kanë nevojë të përsëriten në çdo ligj apo rregullore, pasi ato duhet të zbatohen automatikisht nga institucionet.
“Nëse diçka është e shkruar në Kushtetutë, ajo inkorporohet në praktikën e institucioneve dhe studentët do të kenë mbështetjen tonë,” tha Sali, duke theksuar se kërkesa e studentëve ka bazë kushtetuese dhe refuzimi nuk lidhet me mungesë argumentesh ligjore, por me mungesë vullneti.
Deklaratat e Filipçes, Fillkovit dhe Salit nënvizojnë tensionet rreth zbatimit të Ligjit për gjuhët dhe mënyrës se si të drejtat kushtetuese përkthehen në praktikë, duke nxitur një debat të hapur për profesionalizmin dhe përparimin e të rinjve në sistemin gjyqësor. /Nistori/






