Qeveria s’e përballon arsimin e lartë falas, pranon ministrja Janevska

    Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për një përgjigje pozitive ndaj kërkesave për arsim të lartë falas, përcjell Nistori.

    Duke iu përgjigjur sot një pyetjeje të mediave, ajo tha se bëhet fjalë për një problem serioz financiar dhe sistemik, i cili nuk mund të zgjidhet pa një bazë të qëndrueshme.

    “Nëse qeveria e mëparshme do të kishte punuar më shumë, sot do ta kishim diskutuar edhe këtë temë. Kur të vijë koha dhe kur vendi të ketë mundësi financiare, atëherë do ta hapim edhe këtë çështje”, deklaroi Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me mundësinë që shteti të prezantojë arsim të lartë plotësisht falas.

    Ajo theksoi se Qeveria aktualisht është e përqendruar në stabilizimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor, përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore dhe ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme, e jo në masa populiste që mund të rëndojnë buxhetin.

    Deklarata vjen në një kohë kur disa organizata studentore po e rikthejnë sërish në debat çështjen e arsimit falas, duke kërkuar një zgjidhje sistemike dhe mbështetje më të madhe shtetërore për të rinjtë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    EShR alarmon: fëmijët në vend të ekspozuar ndaj lodrave me kimikate të rrezikshme

    Lajmi i rradhës

    Provimi i jurisprudencës sipas Filipçes: në Zvicër pyetja është sa di, jo në cilën gjuhë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë