Pse Bullgaria ndërpreu procedurën parahetimore?!

    Foto: BTA

    Pas kërkesës së familjarëve të viktimave në tragjedinë e ndodhur në Bullgari vitin e kaluar kur u dogjën 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut për të hetuar rrethanat që çuan në aksidentin fatal, Bullgaria njofton se ka ndërprerë procedurën parahetimore.

    Zëdhënësja e kryeprokurores në Bullgari Sijka Mileva tha se është ndërprerë procedura parahetimore për tragjedinë në Struma pasi është kërkuar nga kolegët në Maqedoninë e Veriut të marrin në pyetje më shumë të mbijetuar dhe familjarë të viktimave të tragjedisë së nëntorit të kaluar.

    Mileva për BNT tha se hetimi i deritanishëm ka nxjerrë në pah faktet për atë se çfarë ka ndodhur natën e kobshme. Natën e 23 nëntorit, autobusi u dogj tërësisht, por jo nga 4 tubacionet me benzinë, të cilat i ka bartur shoferi.

    Ato nuk janë shkaku pasi kanë qenë të paprekura. Bankina mbrojtëse ka mbyllur derën, para së cilës udhëtarët janë mbledhur dhe kanë tentuar të dalin nga autobusi që ishte në flakë.

    “Është konstatuar se një numër i madh i udhëtarëve kanë vdekur nga ngulfatja nga zjarri dhe nga temperatura e lartë. Këtu kemi dy ngjarje, aksident trafiku dhe zjarr. Si pasojë e aksidentit ka shpërthyer zjarr. Nga ekspertiza është konstatuar se shoferi ka vozitur me shpejtësi të madhe, për çka dhe ka humbur kontrollin ndaj autobusit”, tha Sijka Mileva, zëdhënëse e Prokurorisë së Bullgarisë.

    Mileva thotë se pas kërkesës së dytë për ndihmë juridike, tani e ka radhën Prokuroria e Maqedonisë së Veriut që t’i marrë në pyetje familjarët dhe të mbijetuarit të cilët ndodheshin në autobusin e Besa Trans.

    “Të gjithë duhet të jenë të njoftuar me të drejtat dhe obligimet sipas procedurës penale bullgare dhe nëse dëshirojnë t’u jepen materialet e hetimit dhe të informohen për rrjedhën e procedurës penale”, u shpreh Sijka Mileva, zëdhënëse e Prokurorisë së Bullgarisë.

    Në këtë procedurë penale në Bullgari u morën në pyetje 30 persona, në mesin e të cilëve një shofer autobusi, të mbijetuarit e tragjedisë dhe dëshmitarë.

    Pas procedurës civile për përgjegjësinë eventuale për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme në autostradën Struma , avokati i një pjesë të familjeve të viktimave dhe udhëtarëve të lënduar Nikollaj Dimitrov ka deklaruar se ekspertiza në terren ka nisur, ndërsa qëllimi është që të hetohet nëse ka rrethana të tjera që çuan në tragjedinë. Kërkesat për dëmshpërblim në tragjedinë e ndodhur është mbi 750 mijë euro, tha Dimitrov. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Artan Fuga: Politika në nivelin më të ulët | Drejtësia e ngadaltë për goditjen e korrupsionit

    Lajmi i rradhës

    Koordinimi në Kuvend pa VMRO-DPMNE-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë