Koordinimi në Kuvend pa VMRO-DPMNE-në

    Deputetët nga nesër i rikthehen punës, kurse procedura e ngecur në gjysmë për zgjedhjen e gjykatësve të rinj kushtetues pritet të jetë çështja e parë me të cilën do të merren.

    Vendimi u mor në koordinimin e parë pas pushimeve verore të thirrur nga kreu i Kuvendit Talat Xhaferi.

    VMRO-DPMNE-ja nuk mori pjesë, ashtu siç kishte paralajmëruar kurse në koordinim ishin LSDM-ja, BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Besa.

    Procedura për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues vijon prej muajsh kurse mosmarrëveshjet politike kanë lënë këtë institucion me 5 nga gjithsej 9 gjykatës sa duhet të ketë.

    “Kryetari Xhaferi u sugjeroi koordinatorëve të grupeve parlamentare që prej nesër të vazhdojë me punë Komisioni i Zgjedhjeve dhe Emërimeve sipas pikës për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues, ndërsa komisionet tjera të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë me shqyrtimin e pikave të mbetura nga rendet e ditës”, thonë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

    “Sot bëmë përpjekje për kontakt me opozitën por kjo nuk u arrit. Me shumë gjasë nesër ose pasnesër do të vazhdojë me punë komisioni për zgjedhje dhe emërime”, u shpreh Jovan Mitreski, LSDM.

    Seanca e parë e re do të jetë më 14 shtator prandaj shumica synon të përshpejtojë procedurën e shqyrtimit të kandidatëve për gjykatës kushtetues që pika të vendoset në seancën e parë të radhës.

    LSDM-ja ftoi deputetët që në këtë rikthim të jenë të përgjegjshëm dhe të angazhohen për funksionimin normal të Kuvendit. I bënë thirrje VMRO-DPMNE-së që të mos vazhdojë me bllokimin dhe pengesat.

    “Posaçërisht të mos përsëriten ofendimet dhe pengesat e deputetëve në një nivel të ulët jodemokratik i cili nuk na ka hije dhe nuk na ka sjell asgjë të mirë kurse më shumë humbi VMRO-DPMNE-ja në sytë e qytetarëve. U vërtetua se asnjë bllokim dhe destruktim nuk mund të jetë i frytshëm por vetëm humbet kohë dhe harxhohen paratë e qytetarëve”, theksoi Jovan Mitreski, LSDM.

    VMRO-DPMNE-ja sot nuk është prononcuar por gjatë ditëve të kaluara ka bërë të ditur se do të vazhdojë me bllokimin aktiv të ligjvënësit, gjë të cilën e ka filluar që në maj, si përpjekje për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pse Bullgaria ndërpreu procedurën parahetimore?!

    Lajmi i rradhës

    Ministria e Arsimit siguron se materialet shkollore do të jenë gati për nxënësit para 1 shtatorit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë