Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA), kanë reaguar për helmimin e studentëve në mezen studentore në konviktin “Pellagonia”. Sipas FNA-së Ministria e Arsimit dhe Shkencës në krye me ministrin Jeton Shaqiri si dhe drejtorin e konviktit “Pellagonia” në Shkup, Agim Fejzullahu, me çdo kusht, mundohen të fshehin faktin se, më shumë se 5 studentë janë helmuar nga ushqimi në mezen e këtij konvikti studentor, përcjell Nistori.
Nga FNA thonë se, studentëve përveç që u servohet helm në pjatat e tyre, ata për këtë detyrohen të paguajnë nga 3600 denarë në muaj. Studentët, banorë të konvikteve në Maqedoninë e Veriut, me helm përballen nga momenti kur hyjnë në dyert e konviktit, kur përdorin banjon si dhe në dhomat e fjetjes.
“Nëse alarmi i ndërgjegjes ende nuk i ka rënë drejtorit Fejzullahu dhe të japë dorëheqje nga posti, kërkojmë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ta shkarkojë urgjentisht nga detyra. E nëse i duhen fakte për ta mbështetur këtë, #FNA po i numëron vetëm tri arsye: Helmimi është konfirmuar nga drejtoresha e Klinikës për Sëmundje Infektive, Milena Stevanoviq.
Kontrolli i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka konstatuar se higjiena në kuzhinë nuk ka qenë në përputhje me kriteret mikrobiologjike për higjienën që bien në kontakt me ushqimin.
Studentët për dy javë janë detyruar ushqimin ta sigurojnë vetë, përkundër obligimit ligjor që këtë ta sigurojë drejtoria e Konviktit. Përveç kësaj, kërkojmë që të gjithë studentët e helmuar nga ushqimi i pasigurtë në mezen studentore të këtij konvikti të dëmshpërblehen si dhe të mos paguajnë as një denarë për një shërbim që i ka çuar ata në spital.” – shtojnë nga Forumi.
Përveç kësaj, FNA kërkon që të gjithë studentët e helmuar nga ushqimi i pasigurtë në mezen studentore të këtij konvikti të dëmshpërblehen si dhe të mos paguajnë as një denarë për një shërbim që i ka çuar ata në spital. Nga sot kjo meze studentore hapi dyert sërish. Megjithatë, nga vetë fakti që askush nuk po mban përgjegjësi për helmimin e lartëpërmendur, asgjë nuk na siguron se ky rast nuk do të përsëritet sërish. /Nistori/