“Njihuni me fshatin e ndërtuar nga paratë britanike” | “Daily Mail” nuk ndalet, sërish jehonë largimit të shqiptarëve

    E famshmja britanike “Daily Mail” kësaj radhe ka mbërritur në fshatin Muzhak, aty ku familjet kanë dërguar fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar.

    Tashmë shtëpitë e fshatit janë ndërtuar me paratë që të rinjtë sjellin nga Britania, aty ku fitojnë gjashtë fish më shumë se në vendlindjen e tyre.

    Me një popullsi prej 1,200 personash, çdo familje ka të paktën një deri në tre anëtarë të larguar në mënyrë ilegale.

    “Daily Mail” shkruan se gjatë 15 viteve të fundit të paktën 300 të rinj janë larguar nga fshati, i cili ndodhet rreth dy orë larg Tiranës.

    Me paratë që kanë fituar në Britani, ata kanë ndihmuar në financimin e ndërtimit të dhjetëra shtëpive të reja, duke zëvendësuar ndërtesat njëkatëshe me shtëpi luksoze.

    Në qytetin fqinj të Burrelit, kryebashkiaku Agrom Malaj tha për median britanike se 2000 të rinj janë larguar nga rajoni në kërkim të punës gjatë 12 muajve të  fundit, duke i lënë fshatrat atje të duken si qytete fantazmë.

    “Rajoni ynë ka parë që shumica e njerëzve të largohen dhe të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, sepse ata e shohin atë si një vend të mundësive, ata mund të fitojnë një rrogë të mirë ndërsa këtu opsionet për ta janë të kufizuara. Të gjithë në Burrel dhe fshatrat fqinjë kanë dikë në familje që është larguar në Britani dhe në disa raste të gjithë fëmijët e një familjeje kanë shkuar duke lënë vetëm prindërit. Nëse jetoni këtu ose në fshat jashtë qytetit, nuk ka shumë mundësi, kështu që nuk i fajësoj të rinjtë që janë larguar, ne kemi parë një brez të tërë burrash të shkojnë”, tha ai.

    Gjithçka filloi rreth 15 vjet më parë dhe atëherë ishte me kamionë, ku paguanin rreth 20,000 paund për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, por tani është me varka të vogla dhe çmimi ka rënë deri në 3,000 paund.

    “Njerëzit që shkojnë në Britani i dërgojnë të ardhurat e tyre në shtëpi dhe ne kemi familje që i kanë rindërtuar shtëpitë e tyre me paratë që kanë bërë në Britani”.

    Nuk është e vështirë të kuptosh pse njerëzit duan të largohen nga Burreli dhe zonat përreth, duke e kthyer atë në një qytet fantazmë, pasi paga mesatare javore për ata është 125 paund krahasuar me 640 që marrin në Britani.

    E famshmja britanike ka arritur të marrë informacione nga banorët e fshatit, Ali dhe Hike Trumci, të cilët jetojnë në shtëpinë e ndërtuar nga djemtë e tyre.

    Tre djemtë e çiftit shqiptar janë larguar në mënyrë ilegale e më pas kanë kërkuar azil në Britani.

    Me kalimin e kohës ata kanë nisur të punojnë, duke sjellë të ardhura prindërve të tyre që ndodhen ende në Muzhak. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Agjencia e Sigurisë e pranon gabimin në rastin e oligarkut ukrainas, Onyshenko

    Lajmi i rradhës

    Mbi 80 për qind e shtëpive në RMV kanë qasje në internet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë