Psikologët: Prindërit të jenë më të kujdesshëm për kohën që fëmijët kalojnë në rrjete sociale dhe lojërat me dhunë

    Agresiviteti tek adoleshentët gjatë ditëve të sotme është në rritje e sipër dhe për këtë të gjithë jemi dëshmitar. Një ndër shkaqet e agresivitetit është ajo që atyre po ju imponohet që kur janë fëmijë nëpërmjet lojërave të cilat në vetvete si bazë përmbajnë dhunën. Prindërit, të cilët e duan më të mirën e tyre pikërisht ata në mënyrë indirekte, duke mos dashur që fëmija i tyre të ndjehet inferior nga moshatarët po kontribuojnë në rritjen e një agresori më shumë. Në një deklaratë për Gazetën KOHA psikologja Fatime Ziberi tha se lodrat dhe lojërat janë ato që luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës.

    “Lodrat dhe lojërat padyshim që luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve si në moshën fëmijërore, po ashtu edhe në periudhën e adoleshencës, si dhe në gjitha fazat e tjera zhvillimore. E them këtë pasi shumë aspekte të zhvillimit psikik dhe emocional determinohen që nga mosha e hershme dhe aktivitetet e asaj moshe. Fatkeqësisht sot me zhvillimin e teknologjisë shumë lojëra edukative dhe kreative janë zëvendësuar me lojëra me përmbajtje të rrezikshme, të cilat njëkohësisht krijojnë varshmëri nga rrjetet sociale dhe interneti”, tha psikologja Ziberi.

    Sipas saj ndikim në komunikimin jo të shëndetshëm të fëmijëve kanë edhe përmbajtjet e këtyre lojërave.

    “Përmbajtjet e papërshtatshme dhe agresive ndikojnë që fëmijët të mos krijojnë një komunikim të shëndetshëm, të përdorin fjalë dhe shprehje vulgare që shumë lehtë shndërrohen edhe në shprehi negative dhe sjellje agresive”, ka deklaruar Ziberi duke shtuar se përdorimi i tepërt i lojërave online ndikon edhe në izolimin social, pasi që fëmijët mbahen të mbërthyer para mjeteve teknologjike, largohen nga aktivitetet fizike dhe shoqërimi me moshatarët.

    “Gjitha këto shprehi dhe sjellje barten edhe në moshën më të vonshme, dhe me të drejtë themi se sjelljet agresive tek adoleshentët janë drejtpërdrejtë të ndikuara nga përdorimi i lojërave me përmbajtje agresive”, deklaroi ajo.

    Ajo që është edhe periudha më turbulente në zhvillimin e fëmijës sipas Ziberit është periudha e adoleshencës, pasi në vete përmban shumë sfida.

    “Adoleshenca si periudhë turbulente e zhvillimit në vete bart shumë sfida dhe ulje ngritje emocionale, ku frustrimi, agresiviteti, ankthi dhe sjelljet jo të përshtatshme sociale janë tipike për këtë periudhë zhvillimi. Gjithë këto që i përmendëm janë pasojë e lojërave me përmbajtje agresive, ku ata i përdorin si modele dhe i integrojnë në stilin e jetesës”, përfundoi psikologja Ziberi.

    Që zhvillimi i pakontrolluar i teknologjisë po ndikon shumë në rritjen e dhunës tek adoleshentët pajtohet edhe sociologu Skender Iseni i cili në deklaratën e tij për gazetën KOHA tha se në ditët e sotme e vështirë është edhe të qenit prind pasi faktorët e socializimit të fëmijëve janë shumëfishuar.

    “Rrethanat në të cilat po jetojmë tani mund të themi se janë ndër rrethanat më të vështira sa i përket procesit për ngritjen e brezave të rinj. Ditët e sotme barrë e madhe është bërë edhe të qenit prind, pasi faktorët e socializimit, kulturizimit dhe edukimit të fëmijëve janë shumëfishuar. Tani kemi përdorim masiv të mjeteve të ndryshme siç janë smartfonat, kompjuterët dhe shumë mjete tjera tek të cilat çdokush mundet që shumë lehtë të ketë qasje, kurse në ato mjete qarkullojnë lloj-lloj përmbajtje të dhunshme e që në çdo moment janë në qasje si të fëmijëve po ashtu edhe të më të rriturve. Tani në internet kemi edhe lojëra special që mund t’i instalojnë dhe të luajnë me ta”, potencoi sociologu Iseni.

    Sipas tij këto lojëra janë po ata lojëra që njihen edhe me emrat sikurse, KANTER, MINICRAFT, ROBOX e shumë tjera, që në esencë të tyre përcjellin dhunë të tepruar tek fëmijët dhe në të njëjtën kohë krijojnë varshmëri tek ata.

    “Këto lojëra krijojnë varshmëri si dhe ndikojnë në dhunën e fëmijëve, por në të njëjtën kohë ndikojnë që ata të largojnë koncentrimin dhe interesin nga gjërat themelore e që preokupimi i tyre kryesor duhet të ishte fokusimi në përmbajtjen e lëndëve mësimore shkollore”, përfundoi Iseni. 

    Lajmi Paraprak

    Zbutësit e rrobave – A janë të dëmshëm për shëndetin?

    Lajmi i rradhës

    Çfarë ndodh në trupin tuaj kur kërcisni dhëmbët?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë