Psikologët: Rreth 30% e nxënësve në RMV ushtrojnë bullizëm

    *Fotografi ilustruese

    Pas masakrës në Serbi, Ministria e Arsimit zgjohet nga gjumi. Për nesër ka caktuar një takim me komunitetin akademikë të cilët pritet të japin propozime dhe nisma se si të ngritet kujdesi institucional ndaj nxënësve, me qëllim parandalimin e dhunës në shkolla. 25-30% e nxënësve të shkollave të mesme ushtrojnë njëfarë forme të dhunës ndaj moshatarëve të tyre, tregojnë anketat e fundit të sektorit joqeveritar. Ndërkaq 14% e nxënësve pranojnë se kanë qenë viktimë e bullizmit nga moshatarët e tyre për një periudhë të gjatë.

    Psikologët alarmojnë se bullizimi i cili nuk parandalohet me kohë, dhe nuk vërehet nga ana e prindërve apo mësimdhënësve mund të shkojë deri në shkallën ekstreme ku një fëmijë në vetëmbrojtje mund të ndërmerr veprime të rrezikshme për shoqërinë. Psikologët thonë se shenjat e para të bullizimit të cilat janë mbyllje në vete, ankth dhe të qara pa arsye duhet të jenë një alarm i vërtetë për prindërit dhe mësimdhënësit.

    “Shenja e parë që fëmija manifeston është ankthi, më pas mund të shkojë deri në depresion pastaj kemi raste kur fëmija kalon në ekstremin tjetër kur në vetëmbrojtje fëmija merr iniciativa të cilat mund të jenë devijante që janë më shqetësuese për shoqërinë. Kur një fëmije i mbushet kupa nga bullizimi i cili bullizohet vazhdueshëm dhe në mënyrë sistematike ai arrin në atë pikë sa mendon se është zgjidhje që ai të hakmerret qoftë në formë fizike apo me metoda tjera që ai përzgjedhë vetë”, tha Hatixhe Sefa, Psikologe.

    Sipas psikologëve, qytetarët druajnë të kërkojnë ndihmë nga profesionistët për shkak të paragjykimeve dhe stigmatizimit.

    “Rastet të cilat kërkojnë ndihmë janë atëherë kur ata mbështeten në mur dhe kur nuk kanë se si të përballen më tej me problemin, kur nuk dinë se çfarë metodash tjera të përdorin. Janë shumë të rralla rastet e prindërve që kërkojnë ndihmë për shkak të ankthit apo shqetësimeve që përjeton fëmija për shkak të bullizmit. Realisht numri është shtuar shumë, derisa edhe bullizmi kibernetik është prezent ne përsëri themi që numri është më i madh se sa ne mund ta parashikojmë. Nëse bëjmë një krahasim se sa është numri dhe sa kërkojnë ndihmë, kërkimi i ndihmës është shumë i vogël. Janë shumë të pakta rastet që kërkojnë ndihmë”, u shpreh Hatixhe Sefa, Psikologe.

    Rasti i fundit tragjik që ndodhi në Beograd ditën e djeshme ku një nxënës qëlloi me armë moshatarët e tij, ka ngritur dilemat nëse veprimet e të miturit kanë ardhur si pasojë e bullizmit të vazhdueshëm më të cilin është përballur ai. Në Serbi madje janë pyetur autoritetet shtetërore për tu zbardhur nëse veprimi i të miturit ka të bëjë me bullizëm. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    TRAGJEDIA NË SERBI | Sociologët në RMV: Prindërit dhe shkollat të kenë kujdes me nxënësit

    Lajmi i rradhës

    Lloga i reagon Jolevskit: Këshilli ta dorëzojë procesverbalin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë