PThP ngre aktakuzë ndaj tetë personave për rastin „Lotaria Shtetërore“, dëmi rreth 8,25 milionë euro

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj gjithsej tetë personave për keqpërdorime në rastin „Lotaria Shtetërore“. Sipas Prokurorisë Publike, dëmi i shkaktuar arrin në 507.632.173 denarë, njofton Nistori.

    Për ish-drejtorin Përparim Bajrami, i cili ndodhet në arrati, është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi është propozuar vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak.

    Ndaj të pandehurve të tjerë janë caktuar masa të tjera sigurie: detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në Gjykatë, konfiskimi i përkohshëm i dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe ndalimi për t’iu afruar, për të vendosur apo për të mbajtur kontakte me persona të caktuar.

    Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë qenë në dijeni se Shoqëria Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit „Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve të videolotarisë në territorin e vendit. Kjo për shkak se, në vitin 2013, këtë të drejtë e kishte investuar si kontribut jomonetar, në vlerë prej 6.244.898 eurosh, gjatë themelimit të Shoqërisë për Organizimin e Lojërave të Fatit „Videolotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë – CASINOS AUSTRIA DOO Shkup“, duke fituar 51 për qind të kapitalit të shoqërisë.

    Pavarësisht kësaj, i pandehuri i parë, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm dhe kryetarit të Bordit të Drejtorëve të „Lotarisë Shtetërore“, më 9 maj 2023 i dorëzoi të pandehurit të tretë, sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, një informacion mbi nevojën për ndërmarrjen e aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit.

    Në informacionin, së bashku me konkluzionet e propozuara, thuhej se vlera e prokurimit arrinte në 42 për qind të vlerës kontabël të aseteve të kompanisë, të përcaktuar në bazë të pasqyrave të fundit financiare. Si e tillë, marrëveshja do të konsiderohej transaksion i madh, miratimi i të cilit ishte në kompetencë të Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë.

    Më 6 qershor 2023, sekretari i përgjithshëm e propozoi këtë informacion si shtesë të një pike të rendit të ditës në një seancë të Qeverisë. Sipas Prokurorisë, ai veproi në kundërshtim me nenin 119, paragrafi 2, të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi nuk ia ktheu informacionin parashtruesit dhe as nuk ia përcolli organit kompetent.

    I pandehuri i dytë, i cili, sipas Prokurorisë, kishte ndikim real në menaxhimin e SHA „Lotaria Shtetërore“, në cilësinë e personit përgjegjës kryesoi një seancë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila vepronte në cilësinë e Kuvendit të „Lotarisë Shtetërore“. Ai propozoi miratimin e pikës së ndryshuar të rendit të ditës, megjithëse ishte në dijeni se një vendim i tillë nuk ishte në kompetencë të Qeverisë në cilësinë e Kuvendit të shoqërisë aksionare.

    Informacioni u miratua dhe SHA „Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ u obligua të ndërmerrte aktivitetet e nevojshme për të filluar në mënyrë të pavarur organizimin e lojërave elektronike të fatit, si dhe të zhvillonte procedurë për prokurimin publik të terminaleve të videolotarisë.

    Të pandehurit e tjerë, kryetari dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, megjithëse, sipas Prokurorisë, ishin në dijeni se procedura ligjore nuk ishte respektuar, miratuan vendim për fillimin e procedurës së prokurimit publik të terminaleve të videolotarisë për organizimin e lojërave elektronike të fatit, si një transaksion i madh.

    Procedura e prokurimit publik u zhvillua dhe u morën përsipër detyrime financiare, me ç’rast, sipas Prokurorisë Publike, SHA „Lotaria Shtetërore“ u dëmtua në shumën prej 507.632.173 denarësh.

    Lajmi Paraprak

    Lumi Ibër duhet të sjellë ujë, jo politikë nacionaliste

    Lajmi i rradhës

    Një takim i rrallë mes qiellit dhe tokës, një çast që nuk përsëritet shpesh në të njëjtin horizont

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë