Puna gjatë ditëve të festës, reagojnë shoqatat

    Ditët e festave janë të mirëseardhura për të gjithë, por nuk do t’i gëzohen edhe punëtorët e gastronomisë dhe shitjeve me pakicë. Kjo pasi që tregtarët kanë marrë pëlqimin e qeverisë për t’i mbajtur në punë punonjësit edhe të dielën në natën e ndërrimit të mot moteve por edhe më 1 janar. Ndonëse me ligj, festat shtetërore dhe të dielat janë ditë jo pune, Qeveria rekomandoi që dyqanet dhe kioskat që ushtrojnë tregti me pakicë të jenë të hapura në datat 31 dhjetor, më 1, 7 dhe 8 janar. Kjo për kryeministrin e vendit është një mundësi e mirë që tregtarët të përfitojnë dhe punonjësit me apo pa vullnetin e tyre, do të marrin një mëditje simbolike nga punëdhënësit, por do të mungojnë në familje.

    “Kjo ishte një kërkesë e tregtarëve dhe sektorit të gastronomisë, pasi që në festat e fund vitit është periudha kur qytetarët duan të blejnë dhurata, kjo është në gjithë botën por edhe te ne. Secili sa mundet! Për tregtarët ajo është një mundësi e mirë të bëjnë më shumë fitim, për të punësuarit në tregti gjithnjë është mundësi e mirë të marrin më shumë të hyra, kështu që do të paguhen punonjësit sipas ligjit për punë në ditët jo pune, si të dielën. Mendoj se nuk do të ketë problem sepse çdo punëdhënës dëshiron ti ketë punëtorët e kënaqur që në fund të ditës varet edhe kompania”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

    Qëllimi i këtij rekomandimi, siç sqarohet nga Ministria e Ekonomisë, është plotësimi i nevojave të qytetarëve gjatë festave të fund vitit, veçanërisht në qytetet e vogla dhe vendet ku nuk ka qendra tregtare. Gjithashtu, siç shpjegohet në qëndrimin zyrtar, gjatë festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve është rritur numri i turistëve në të gjithë vendin, prandaj lind nevoja për t’u mundësuar atyre blerjet, gjë që do të kontribuojë në rritjen e konsumit në vend. Por, kjo kundërshtohet ashpër nga shoqata për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat “Glasen Tekstilec”, të cilët kanë reaguar përmes një kumtese.

    “Me shqetësim të madh morëm lajmin se Qeveria në seancën e fundit u ka rekomanduar punëdhënësve që dyqanet dhe kioskat që ushtrojnë tregti me pakicë për ditët 31 dhjetor 2023 dhe 1, 7 dhe 8 Janar 2024. Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj se puna jashtë orarit, puna në ditë festash dhe në ditët e pushimit javor, nuk paguhet nga shumica e kompanive private, por megjithatë qeveria tani po u rekomandon punëdhënësve që ta shkelin sërish ligjin që vetë e kanë miratuar, bazuar në kërkesat tona të kamotshme”, thonë nga Shoqata “Glasen Tekstilec”.

    Fiks para një viti, u bënë ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për marrëdhënie pune dhe Ligjin për tregti, duke bërë të dielën ditë jo pune. Në këtë kategori hynë edhe festat shtetërore, që duhet të jenë të lira për të gjithë qytetarët e vendit, duke iu bashkangjitur edhe festat tjera të bashkësive etnike dhe festat fetare. Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 28 ditë jo pune, vetëm gjatë festave të shumëllojshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Besa Ademi një hap larg përgjegjësisë nga Këshilli Gjyqësorë

    Lajmi i rradhës

    Spasovski paralajmëron vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër autostrada

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë