PUNË KA, PUNËTORËT MUNGOJNË! Disbalans në tregun e punës në RMV

    Shumica e vendeve të lira të punës të shpallura nga Agjencia e punësimit gjatë nëntëmujorit të fundit mbeten të paplotësuara, ndonëse mbi 110 mijë qytetarë janë të regjistruar si të papunë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar-shtator 2022 janë shpallur me mijëra vende pune vakante, dhe nuk janë plotësuar. Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikës, në tremujorin e tretë të vitit 2022, fabrikat apo industria përpunuese ka kërkuar 2953 punonjës, në tregti janë kërkuar 1735 punonjës, në transport dhe ndërtimtari po kërkohen 996 dhe 730 punonjës. Vende vakante të punës në fund të muajit shtator janë regjistruar edhe në objektet e hotelerisë – 668, arsim – 418 e kështu me radhë.

    Faktin që ka një numër të lartë punëkërkuesish dhe paralelisht pjesa dërrmuese e pozicioneve janë ende të lira, ekspertët e shpjegojnë me mospërputhjen e kërkesës me ofertën, por edhe me shpërnguljen e madhe të fuqisë punëtorë jashtë shtetit, punën në të zezë, por edhe me pagat që nuk kënaqin kërkesat e punonjësve. Me fjalë të tjera, Maqedonia e Veriut nga njëra anë ka papunësi të madhe, ndërsa nga ana tjetër kompanitë nuk mund të sigurojnë kuadrin e nevojshëm që posedon kualifikimet dhe shkathtësitë e nevojshme.

    Elena Milevska-Shtrbevska nga Oda Ekonomike thotë se arsimi është dhe duhet të jetë një nga prioritetet kryesore, përskaj të gjithë sfidave të tjera përfshi atë me energjinë elektrike. Andaj edhe çështjet që kanë të bëjnë me arsimin dhe sigurimin e kuadrove profesionale për biznesin duhet të jenë në fokus të veprimit si të Odës ashtu edhe të shtetit. “Kemi një mospërputhje mes nevojave të kompanive për punëtorë dhe kualifikimeve të tyre. Kjo është ajo që ne kemi identifikuar në sondazhet tona të deritanishme dhe në bazë të saj kemi konstatuar se ka profesione deficitare, për të cilat do të punojmë intensivisht në këtë periudhë përmes rikualifikimit dhe trajnimeve shtesë në mënyrë që ata të mund t’i bashkohen me sukses procesit të punës dhe në vend që ardhmërinë e tyre më të mirë ta kërkojnë jashtë vendit, një gjë e tillë t’ju mundësohet këtu”, shton Milevska. Sipas saj, në vazhdim e sipër janë më shumë aktivitete të odës për të siguruar punonjës si mbështetja e arsimit dual ku janë përfshirë mbi 500 kompani, janë certifikuar mbi 500 mentorë për punë praktikë, si dhe 56 kompani për rikualifikimet dhe trajnimet shtesë.

    Nga Këshilli për trajnime dhe edukim i Odës ekonomike thonë se një nga problemet kryesore është edhe mungesa e informacioneve se cilat profile apo shkathtësi nevojiten. Andaj nevojitet edhe evaluimi për kuadrin e nevojshëm për punëdhënësit me qëllim të mundësohet inkuadrimi i punëtorëve në këto sfida ku pagat do t’i përcaktojë tregu.

    Nga ana tjetër, fenomeni i gjetjes së fuqisë punëtore cilësore po bëhet gjithnjë e më i theksuar si në Maqedoni ashtu edhe në Evropë. Në situatën më të pavolitshme nuk janë vetëm vendet më pak të zhvilluara, të cilat për shkak të kostos së ulët të fuqisë punëtore janë përballur më parë me një deficit punëtorësh nga aktivitetet e ndërtimit dhe artizanatit, por edhe Gjermania po përballet me mungesë të punonjësve të kualifikuar.

    Sipas Institutit për Kërkime Ekonomike “Ifo” nga Mynihu, pothuajse gjysma e kompanive gjermane janë të prekura nga mungesa e ekspertëve, mungesa më e madhe e punëtorëve vërehet në industrinë e shërbimeve, ku madje janë të prekura 64 për qind e kompanive hoteliere dhe të gastronomisë. Situata është e ngjashme edhe në transport dhe transportin e mallrave. Sipas Institutit gjerman, në sektorin e prodhimit, më e prekura është industria ushqimore, ndërsa në sektorin e ndërtimit 39.3 për qind e kompanive ankohen për mungesë punëtorësh dhe numri do të ishte më i madh nëse kompanitë e ndërtimit mund të punonin me kapacitet të plotë, gjë që për momentin nuk ndodh për shkak të mungesës së materialeve. Gjermania në vitet e fundit me lehtësime të ndryshme po tërheq fuqinë punëtorë nga Ballkani, dhe më gjerë. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Kërkohen masa urgjente ndaj kërcënimeve me bomba në RMV

    Lajmi i rradhës

    Ndotja e ajrit në Maqedoni me pasoja në sistemin nervor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë