Punëtorët e NPK-së në Tetovë disa muaj nuk kanë marrë rroga (Video)

    Punëtorët e NPK “Tetova” në Tetovë pothuajse në çdo menaxhment komunal kanë hasur në mospagesën e rrogës në mënyrë të rregullt. Aktualisht, NPK-ja u ka borxh disa rroga punëtorëve të saj. Bëhet fjalë në veçanti për punëtorët të cilët janë me kontratë në vepër, gjegjësisht një pjesë e konsiderueshme e administratës dhe poashtu punonjësit të cilët janë në seksionin e Higjienës komunale (seksion i cili përbën numrin më të madh të të punësuarve). Aktualisht punëtorët nuk kanë arritur të përvetësojnë tri rroga. Brenda javës pritet të bëhet pagesa e muajit prill. Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, kjo ndodh edhe për arsye se qytetarët nuk e bëjnë në mënyrë të rregullt pagesën e faturave ndaj NPK-së dhe për kaq sa ndodh kjo nuk mund të rritet paralelisht niveli i pagesës së taksave. Por Kasami, premtoi se, komuna është e gatshme që të ndihmojë nëpërmjet subvencionimit NPK-në, me qëllim që t’u bëhet pagesa punëtorëve të ndërmarrjes, shkruan Nistori.

    “Jemi në koordinim me Ndërmarrjen Komunale dhe ne si komunë do të ndihmojmë për shkak se e përmenda më herët, pra pagesa e faturave të qytetarëve është e nivelit më të ulët dhe derisa në bashkëpunim me qytetarët edhe këtë investimin e sotëm që e promvojmë, t’i bindim qytetarët se, ne si pushtet lokal jemi të përkushtuar që ta rritim nivelin e shërbimeve që ofrojmë dhe paralel të rritet niveli i pagesës së taksave. Ne, si komunë jemi të gatshëm që të ndihmojmë me subvencionim NPK-në. Brenda javës do të ndihmojmë, jemi në komunikim ta shohim sa është nevoja që të bëhet pagesa e rrogës së prapambetur dhe besojmë para festës së Bajramit të mund të bëhet edhe pagesa e rrogave të mbetura.” – deklaron Kasami.

    A do të dënohen qytetarët të cilët nuk janë rregullt me pagesat e faturave të NPK-së?

    “Sigurisht do të ketë masa ndëshkuese aty ku na e lejon ligji, domethënë aty ku ne si pushtet lokale mund të veprojmë konform ligjit dhe rregullativit. Nuk mund të them se nuk do t’u merren mbeturinat apo do t’iu ndërpritet uji, sepse atë nuk e kemi si mekanizëm, por qytetarët e kanë si obligim si shlyerje të borxhit për ujin dhe mbeturinat. Përderisa jemi në fazën e sensibilizimit të qytetarëve se duhet të paguajnë, faza e dënimit duhet të jetë mekanizmi i fundit.” – thekson kryetari i Komunës së Tetovës.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë më të përgjegjshëm në pagesat e NPK-së, sepse mos kryerja e pagesave nga ana e tyre sjell në një situatë si kjo, e cila na çon pas, ku si pasojë NPK ka mbi 10 milionë euro borxh nga mos pagesa e qytetarëve dhe komuna nuk mund të ndihmojë NPK-në në mënyrë të vazhdueshme, sepse edhe ato para janë të qytetarëve dhe duhet të shkojnë edhe për projekte të tjera.

    “Fatkeqësisht pagesa është shumë e vogël dhe në mesatare nuk kalon mbi 30% të pagesës së faturave. Kemi lokalitete, vendbanime, fshatra, ku ajo nuk kalon as 20% (15-18%), prandaj, unë sinqerisht si qytetar në këtë rast, jo si kryetar komune, bëj ftesë që të rritet vetëdija e qytetarëve për pagesën e faturave, sepse NPK nëpërmjet atyre parave bën pagesën e pagave, kostove tjera.” – shton Kasami.

    Gjendja e NPK-së që nga publikimi i borxhit të komunës nga ana e menaxhmentit të ri në Komunën e Tetovës.

    NPK TETOVA
    Detyrime ndaj furnitorëve në vend | 209.697.689.00 (vlera në MKD)
    Detyrime për tatime | 70.091.535.00
    Detyrime tjera të vjetëruara (sek.publik) | 215.916.413.00 (vlera në MKD)
    Detyrime ndaj personave fizik | 15.401.922.00 (vlera në MKD)
    Detyrime ndaj bankave për huamarrje | 84.023.994.00 (vlera në MKD)
    SHUMA E PËRGJITHSHME | 596.031.553.00 (vlera në MKD)

    Ndryshe, sot janë siguruar 100 kontejner metalik për Komunën e Tetovës nga komuna Karataj, qyteti i Konjas. Bëhet fjalë për donacion prej 100 kontejnerëve metalik për nevojat e qytetit, për të cilën, sipas Kasamit, janë bërë të gjitha procedurat e nevojshme dhe të njëjtat nga nesër NPK do të mund t’i vë në funksion duke i vendosur në vendet adekuate për kontejnerë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Reagimi i RMV-së ndaj propozimit francez është shqetësues”

    Lajmi i rradhës

    Frutat që duhet të shmangin diabetikët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë