Punimet pranë Xhamisë së Larme / QNK Shkup nuk është në dijeni për ndërhyrjet

    Një barakë e vendosur pranë Xhamisë së Larme në Tetovë ka hapur debat mes institucioneve, organizatave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Qendra Nacionale e Konservimit – Shkup për Nistorin paralajmëron se do të dalë në terren për të inspektuar situatën dhe dokumentacionin ekzistues të kësaj prone të mbrojtur, për të ofruar informacione të sakta rreth ndërhyrjes, shkruan Nistori.

    “Duhet ta vërtetoj, sepse unë jam drejtor gati tre muaj. Jam drejtor i ri, duhet të kontrolloj dokumentacioni që t’ju përgjigjem. Nuk mundem t’ju përgjigjem sot. I kam obliguar kolegët të kontrollojnë dokumentacionin. Ndoshta do të duhet edhe në terren të dalim”, thotë drejtori i Qendrës Nacionale të Konservimit, Aleksandar Jordanoski.

    “Lidhur me punimet pranë Xhamisë së Larme në Tetovë, Qendra Nacionale e Konservimit Shkup do të inspektojë situatën dhe dokumentacionin ekzistues të pronës së mbrojtur në ditët në vijim me qëllim që të ofrojë informacione më të hollësishme”, thonë nga Qendra Nacionale e Konservimit, Shkup.

    Përgjigjja e drejtorit dhe Qendrës Nacionale lënë hapësirë për paqartësi. Me fjalë të tjera, nuk po thonë asgjë konkrete për vetë punimet, as nëse janë të ligjshme apo nëse u është marrë mendim nga komuna e Tetovës. Kjo tregon se ka dyshime për mungesë koordinimi ose për ndërhyrje të paautorizuar pranë një objekti të mbrojtur me ligj. Po shmangen duke thënë se “do të inspektojnë” dhe “do të ofrojnë informacione më vonë”, që praktikisht nënkupton se:

    • ose nuk kanë qenë të informuar paraprakisht për punimet,
    • ose nuk duan të deklarohen pa e parë situatën, për të mos marrë përgjegjësi publike para se të kenë raport zyrtar.

    Nga ana tjetër, Myftinia e Tetovës mohon që baraka të ketë karakter tregtar. Sipas myftiut Selver Xhemaili, ajo është ngritur si qendër informimi për turistët dhe nuk përbën ndërhyrje të përhershme në hapësirën e xhamisë.

    “Një kohë të gjatë kemi bërë kërkesë që të jepet leje për Qendër për informim për turistët, komuna na e ka mundësuar këtë. Baraka është bërë me buxhet të xhamisë dhe buxhetet e xhamive janë të lidhura me të muftinisë. Nuk është investim i komunës. Ne kemi kërkuar forma të ndryshme për informimin e turistëve, kemi disa broshura rreth Xhamisë së Larme dhe Arabatit dhe atë barakë e kemi vendosur për këtë punë. Kërkesa për këtë barakë tash ka kaluar në këshill. Aty nuk shitet asgjë, por do të jepen broshura për të informuar turistët për Xhaminë e Larme. Ajo është e lëvizshme, nëse nuk duket mirë, mund të lëvizet pasi nuk është afatgjate. Por ishte e nevojshme që të kemi info-qendër dhe ata të komunës aty e kanë paraparë vendin. Për vendin dhe lejen është kujdesur komuna. Këshilli i xhamisë do ta angazhojë një person aty, ndërsa më tej ne do ta angazhojmë një person tjetër të kulturës islame, i cili do të jetë si ciceron për turistët. Turistët për momentin janë pa kokë, kur kemi delegacione të larta për vizitë në Xhaminë e Larme, ne thirrim profesorë specialë për të ligjëruar. Për momentin për arsye buxhetore nuk mund të angazhojmë person. Për momentin turistët i informojnë imamët e xhamisë, por kjo është ngarkesë e tepërt për ta. Pra kjo barakë është e destinuar vetëm për të dhënë informacione”, shton më tej Xhemaili.

    Përkundër kësaj, disa organizata lokale e kanë cilësuar ndërhyrjen si shëmtim të një objekti të mbrojtur kulturor. Nisma “Më Mirë për Tetovën” akuzon komunën për mashtrim dhe mungesë transparence, duke pretenduar se baraka është vendosur në kundërshtim me premtimet e dhëna më herët.

    “Ajo për të cilën alarmuam, fatkeqësisht ndodhi: dje, në parkun e Xhamisë së Pashës u vendos një kontejner, i cili shëmton dhe poshtëron vlerën e këtij objekti kulturor-fetar. Të vetëdijshëm për mendësinë e kësaj udhëheqësie komunale dhe asaj që përgatisin, më datë 30.09.2025 i jemi drejtuar Komunës së Tetovës me kërkesë për sqarim lidhur me arsyen e shtrimit të bekatonëve në parkun pranë Xhamisë së Pashës. Ndaj kërkesës sonë, kemi pranuar përgjigje me shkrim nga Kryetari i Komunës, z. Bilall Kasami, i cili ka siguruar se në atë lokacion nuk planifikohet të vendoset barakë. Por sot qytetarët e Tetovës janë dëshmitarë që ai dje neve të gjithëve na gënjeu dhe pikërisht në Parkun e Xhamisë së Larme u vendos baraka. Është e papranueshme që Kryetari i posa zgjedhur i Komunës, i cili ka për detyrë të mbrojë interesat e qytetarëve, të lejojë shëmtimin e pamjes së Xhamisë së Pashës, me një objekt për përfitime të vogla financiare. Tetova nuk meriton gënjeshtra dhe manipulime të ulta!”, thuhet në reagimin e MMPT.

    Edhe organizata HUTA kërkon reagim institucional dhe zhvendosjen e barakës, duke ngritur pyetje mbi procedurat ligjore dhe nëse për këtë veprim është marrë mendim nga Ministria e Kulturës.

    “(HUTA) ngre shqetësim lidhur me vendosjen e një kiosku përpara Xhamisë së Pashës, e cila dëmton dhe shëmton pamjen estetike të kësaj xhamie historike.

    Ne i drejtojmë pyetje Komunës së Tetovës dhe BFI Myftinia e Tetovës:

    • Pse gjatë kohës së zgjedhjeve u betonizua parku pranë Xhamisë së Pashës dhe u vendosën ulëse të vjetra, ndërsa pas zgjedhjeve u vendos një kiosk?
    • A është marrë mendim paraprak nga Ministria e Kulturës për një veprim të tillë?

    Kërkojmë nga Komuna e Tetovës që të ndërmarrë masa për dislokimin e këtij kiosku në një vend më të përshtatshëm, ku nuk do të cenohej pamja dhe karakteri historik i Xhamisë së Pashës”, deklarojnë nga HUTA.

    Ndërsa debati vazhdon në opinion për mbrojtjen e vlerave historike e kulturore, u anulua për nesër përurimi i Info Qendrës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    A do ta kthjellojë shuplaka evropiane sistemin gjyqësor në Maqedoni?

    Lajmi i rradhës

    Hetimi italian për “snajperët e fundjavës” rihap plagët e Sarajevës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë