Punonjësit e NPK Tetovës si ‘rrogëtarë jetimë’, rrogat u lëshohen sipas qejfit të politikës

    Sot këshilltarët komunal të BDI-së në komunën e Tetovës para NPK Tetova akuzuan kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami për mos pagesa të rrogave, punëtorët të lënë pa sigurim shëndetësor dhe gjendjen e pastërtisë në qytet. Sipas këshilltarit të BDI Veton Murati, para një viti komuna ndau 25 milionë denarë dhe askush nuk ka dhënë llogari se, ku kanë përfunduar ato mjete, raporton Nistori.

    “Sot pas një viti punëtorët e NPK-së vazhdojnë të jenë të lënë në harresë dhe tre muaj pa paga dhe pa sigurim shëndetësor, prandaj kërkojmë nga kryetari i komunës që në vend se të shëtitet nëpër Europë, të dalë dhe të mbajë përgjegjësi për gjendjen e rëndë të punëtorëve dhe të tregojë se ku kanë përfunduar 25 milionë denarë të destinuara për pagat e punëtorëve te NPK-së, pasi ai vetë disa herë ka ardhur këtu dhe iu ka premtuar se do të ua përmirësojë kushtet e punës dhe do jua paguajë pagat”, tha Veton Murati – këshilltar i BDI-së.

    Para medias foli edhe një punonjës i NPK Tetova. Ai u ankua për mos sigurim shëndetësor dhe se ndërmarrja ende nuk e ka bërë pagesën e tre pagave tjera ndaj tyre.

    “Unë punoj qe 25 vite në këtë ndërmarrje. Kanë qenë PDSh-ja, BDI-ja dhe nuk jam i kënaqur prej asnjërës. BDI na futi në borxh 10 milionë në borxh. Bilalli tash ka hy, gjynah ky nuk ka çfarë të bëjë. Ia kanë lënë kompaninë në minus. Ne kemi shpresa. Kemi familje, kemi fëmijë, me barna, gruaja nuk ka sigurim, sepse nuk kam as unë sigurim shëndetësor. Të shkosh te mjeku, duhet privat të paguash. Na dhanë një rrogë, na bën qejfin që të paguajmë ndonjë shpenzim, rrymë, por ajo rrogë që e morëm na shkoi për rrymë dhe internet. Katër muaj kemi qenë pa rroga, tash jemi tre. Për muajt 9, 10 dhe 11 nuk i kemi marrë. Sigurim nuk kemi, unë duhet shkoj në mjek, kam problem me syrin, perden ta heq, nuk mund të shkoj se nuk kemi sigurim, nuk kemi asgjë”, deklaroi punëtori i NPK Tetova.

    I pytur nga Nistori se si ia del në këtë krizë pa rroga, ai tha se përpiqet brenda mundësive që i ka.

    “Nuk mund të ushqehemi me ato ushqimet që duhet apo të bëjmë punët që duhet. Por shyqyr Zotit që kemi shëndet. Kemi shpresa se do të bëhet më mirë. Më tutje nuk e di se çka do të bëhet”, shtoi punëtori i ndërmarrjes.

    Nga komuna e Tetovës thonë se rritja e pagës minimale ka shkaktuar krizë edhe më të thellë në ndërmarrjen në fjalë.

    “Mjetet prej 25 milionë denarë kanë përfunduar në llogari bankare të të punësuarve. Por problemet që janë mbledhur me vite të tëra nuk mund për një periudhë të shkurt t’i zgjidhim. Për shkak të rritjes së pagës në mënyrë lineare, gjendja financiare në këtë ndërmarrje është vështirësuar. Ashtu si vitin e kaluar komuna e Tetovës do të ndihmojë financiarisht NPK-në”, deklaroi Besarta Ramadani – zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

    NPK Tetova para një jave u premtoi rroga të punësuarve, por kjo u bë vetëm për një rrogë, ndërsa për tre rroga punonjësit duhet të presin deri me datë 15 dhjetor duhet të paguhen dy rroga të tjera, ndërsa si rrjedhojë, punonjësit do të vazhdojnë me grumbullimin e mbeturinave dhe pastrimin e qytetit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    LEN akuzon pushtetin për datën e zgjedhjeve: po anashkalohet diaspora

    Lajmi i rradhës

    DY FJALË PËR REZULTATET E “PISA 2022”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë