Periudha e festave të fundvitit po shfaq gjithnjë e më shumë ndikim negativ në ritmin e mësimdhënies dhe angazhimin e nxënësve në shkolla. Ndonëse festat kanë një efekt pozitiv në aspektin emocional dhe social, në praktikë ato shndërrohen në një periudhë me mungesa të shpeshta dhe rënie të interesimit për mësim, duke krijuar ngecje serioze në procesin arsimor. Gjatë muajit dhjetor, shumë nxënës e perceptojnë këtë periudhë si më pak të rëndësishme për angazhimin akademik, duke e shfrytëzuar atë për mungesa të shpeshta nga shkolla. Kjo prirje vërehet veçanërisht në javët që paraprijnë Vitin e Ri, kur ritmi mësimor bie ndjeshëm.
Aulona Pocesta, profesoreshë, për gazetën Koha thekson se mungesat gjatë kësaj periudhe janë bërë pothuajse të zakonshme.
“Shumica e nxënësve i përkasin fesë islame dhe nuk i festojnë festat e fundvitit, por megjithatë e shfrytëzojnë këtë periudhë për të munguar, që nga festat e nëntorit e deri në Vitin e Ri, pa marrë parasysh nëse janë ditë pune apo jo. Mendoj se kujdestarët e klasave duhet të ndërmarrin masa më serioze, si mosarsyetimi i mungesave pa konfirmim nga prindi apo kujdestari”, thotë Pocesta.
Sipas saj, interesimi i nxënësve për mësim gjatë festave bie në mënyrë drastike.
“Gjatë kësaj periudhe, nxënësit vazhdimisht kërkojnë orë të lira dhe angazhimi i tyre akademik është minimal. Edhe pse ndikojnë shumë faktorë, gjatë festave të fundvitit ambicia dhe motivimi bien ndjeshëm”, shton ajo.
Mungesat e shpeshta, shpesh të arsyetuara me atmosferën festive ose fundin e vitit, kanë pasoja të drejtpërdrejta në procesin mësimor. Ato shkaktojnë ndërprerje të vazhdimësisë së mësimeve, vështirësojnë realizimin e planit mësimor dhe krijojnë boshllëqe në njohuritë e nxënësve. Kjo situatë ndikon edhe në vlerësimin e progresit të nxënësve, duke shkaktuar vonesa në mbajtjen e testeve, provimeve dhe realizimin e detyrave shkollore, çka reflektohet negativisht në rezultatet përfundimtare dhe notat.
Edhe për mësuesit, kjo periudhë paraqet sfidë serioze. Ata përballen me vështirësi në ruajtjen e ritmit të mësimdhënies dhe në zbatimin e planeve mësimore, pasi mungesat e nxënësve pengojnë organizimin normal të orëve dhe krijojnë një ambient më të çrregullt në klasë. Përmbledhtas, festat e fundvitit kanë një ndikim të dyanshëm në arsimin e nxënësve.
Ndërsa ofrojnë pushim dhe lehtësim emocional, ato njëkohësisht sjellin mungesë angazhimi, vonesa në realizimin e objektivave mësimorë dhe ngecje në procesin arsimor. Kjo e bën të domosdoshme që institucionet arsimore, mësuesit dhe prindërit të bashkëpunojnë për të menaxhuar më mirë këtë periudhë dhe për të ruajtur cilësinë e mësimit edhe gjatë festave.






