Putin: Pasi “injoruan” kërkesat tona, SHBA kërkon të mos përshkallëzohet situata

    Presidenti Vladimir Putin ka pohuar përsëri se kërkesat e sigurisë së Rusisë janë injoruar nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, në mes të përpjekjeve intensive diplomatike për të lehtësuar tensionet mbi Ukrainën.

    Duke folur në Moskë, Putin tha më 1 shkurt se Kremlini “po analizon me kujdes përgjigjet me shkrim të marra nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, por shtoi se “tashmë është e qartë se shqetësimet themelore ruse përfunduan duke u injoruar”.

    Këto ishin komentet e para të rëndësishme publike të Putinit në javët e fundit mbi krizën e shkaktuar nga frika e një pushtimi rus të Ukrainës.

    Të njëjtin mesazh, ai ia dha javën e kaluar presidentit francez Emmanuel Macron, duke thënë më pas se Rusia do të “vendoste për veprime të mëtejshme” pasi të studionte përgjigjet e SHBA-së dhe NATO-s ndaj kërkesave të saj të sigurisë.

    Rusia ka kërkuar garanci ligjërisht të detyrueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO se Ukraina nuk do të bashkohet kurrë me bllokun, dhe që NATO të tërheqë trupat që ka aktualisht në vendet e ish-bllokut sovjetik.

    Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë kërkesën e Rusisë për të ndaluar Ukrainën nga NATO, por ofruan atë që u quajt “rrugë të re diplomatike” për të dalë nga kriza.

    “Ne nuk pamë një konsideratë për kërkesat tona kryesore në lidhje me parandalimin e zgjerimit të NATO-s. Le të imagjinojmë se Ukraina është një anëtare e NATO-s dhe fillon këto operacione ushtarake. A duhet të shkojmë në luftë me bllokun e NATO-s? A e ka menduar dikush këtë? Me sa duket jo”, tha ai.

    Putin foli gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin hungarez Viktor Orban, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kërkoi de-përshkallëzimin “e menjëhershëm” dhe tërheqjen e trupave nga Rusia nga zonat pranë kufijve të Ukrainës.

    Pas takimit, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se dallimet midis Perëndimit dhe Rusisë për krizën në Ukrainë janë “të tej kalueshme”.

    “Situata është serioze, dallimet janë thelbësore”, tha Orban në një konferencë të përbashkët shtypi.

    “Dallimet ekzistuese janë të tejkalueshme, është e mundur të arrihet një marrëveshje e tillë që garanton paqen dhe sigurinë e Rusisë, dhe kjo është gjithashtu e pranueshme për anëtarët e NATO-s”, tha ai.

    Rusia, tash e sa javë, ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën.

    Sipas inteligjencës perëndimore, trupat janë vendosur në distancë sulmi.

    Rusia mohon se planifikon të sulmojë Ukrainën dhe ka paraqitur një sërë kërkesash për SHBA-në dhe NATO-n. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kovid protokolle të reja në Gjermani dhe Spanjë për shtetasit e RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Lista Serbe kundërshton “reduktimin e kompetencave” të Asociacionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë