Putin pritet të nënshkruajë “traktatet e aneksimit”

    Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të nënshkruajë më 30 shtator ato që Rusia i konsideron “traktate të aneksimit”.

    Përmes këtij hapi, Rusia do të aneksojë zyrtarisht katër territore ukrainase që janë pushtuar pjesërisht nga ushtria ruse – Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 30 shtator se Moska do t’i konsiderojë sulmet kundër rajoneve që mëton t’i aneksojë, si agresion ndaj vetë Rusisë.

    Në ceremoni do të marrin pjesë liderë të instaluar nga Moska në këto katër rajone.

    Më pas në Sheshin e Kuq të Moskës do të mbahet një koncert.

    Afër skenës së koncertit tashmë janë vendosur mbishkrimet “Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – Rusi”.

    Putin e ka njour pavarësinë e rajoneve ukrainase, Herson dhe Zaporizhja përmes dekreteve të nënshkruara një ditë më parë.

    Ky vendim ia hap atij rrugën për t’i aneksuar rajonet në fjalë.

    Këto dekrete janë të ngjashme me ato që Putin i ka nënshkruar në muajin shkurt për rajonet Donjeck dhe Luhansk para se të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

    Këto katër territore krijojnë një korridor të rëndësishëm në mes të Rusisë dhe Gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.

    Së bashku, të pesë rajonet përbëjnë 20 për qind të territorit ukrainas.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ushtria e tij të cilit ka nisur një kundërofensivë të suksesshme në fillim të muajit shtator – duke çliruar disa qytete e fshatra – është zotuar se do të ketë përgjigje të ashpër ndaj vendimeve të autoriteteve ruse.

    Kryeministrja britanike, Liz Truss, e ka kritikuar Putinin për “shpërfillje të jetëve të popullit ukrainas në rajonet që pretendon se përfaqëson”.

    “Mbretëria e Bashkuar nuk do të injorojë kurrë vullnetin sovran të këtyre njerëzve dhe nuk do të pranojmë kurrë që rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjas të jenë diçka tjetër përveçse territore ukrainase”, ka shtuar ajo.

    Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara i kanë dënuar ashpër planet e Rusisë për të mbajtur këtë ceremoni dhe kanë thënë se nuk do t’i njohin rezultatet e të ashtuquajturave referendume për bashkim me Rusinë, që janë mbajtur për pesë ditë në këto rajone.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë në territorin ukrainas.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se referendumet janë një tjetër përpjekje për të “grabitur tokë në Ukrainë”, dhe ka thënë se rezultatet “janë orkestruara nga Moska dhe nuk reflektojnë qëndrimin e popullit ukrainas”.

    Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë përgatitur sanksione shtesë për të izoluar Rusinë.

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë presion Putinit që të marrë hapa për t’i ulur tensionet.

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se aneksimi do të shënonte “përshkallëzim të rrezikshëm” që do të dëmtonte synimet për paqe.

    Guterres ka thënë se çfarëdo vendimi për të marrë kontrollin e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjas në Ukrainë, “nuk do të kishte vlerë dhe duhet të dënohet”.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Përçahen mësimdhënësit

    Lajmi i rradhës

    Sarrazin: Procesi i Berlinit nuk është kundër asnjë projekti

    Lajme tjera

    FUSHATË ME IFTARE!

    Përdorimi i religjionit në politikë në vendet e Ballkanit është një çështje e ndërlikuar e në veçanti kur…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë