Qendra e re Klinike në Shkup po shërben vetëm për vota politike

    Qendra e re Klinike në Shkup po shërben vetëm për vota politike dhe asgjë më shumë, pasi që prej tetorit të vitit 2010 kur edhe u hodh si ide nga ministri i atëhershëm i qeverisë së VMRO-së dhe BDI-së Bujar Osmani, çdo pasardhës i tij e ka futur në prioritetet e tij. Pa-aksesshmëria e Qendrës klinike ekzistuese, vështirësitë për të mbërritur në të, copëtimi i saj, fakti që ndërtesat janë të ndara nga njëra tjetra, ishin disa nga arsyet që nevojitej një Qendër e re Klinike që sipas ministrit të atëhershëm ajo duhej të ndërtohej në periferi të Shkupit. Pritej që ndërtimi të përfundonte në 2020, por në fillim të 2012 kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski njoftoi se Qendra e re klinike do të ndërtohet në lokacionin ekzistues, duke mos e hedhur poshtë mundësinë për ndërtimin e një qendre edhe në Bardovc. U njoftua që klinika e re do të përfshihej në një hapësirë prej 500 metra katrorë, në janar të 2013 u nënshkrua kontrata me kompaninë italiane “Aren SRL” ndërsa ndërtimi i paralajmëruar për në 2013, u shty për në 2014.

    Më 2 janar 2014 me rrënimin e Klinikës së vjetër të Gjinekologjisë, filloi edhe zyrtarisht ndërtimi i objektit të ri, por menjëherë pas nisjes së ndërtimit gjërat u ndalen ndërsa qendra u ngatërrua nëpër tender, shembje të projekteve dhe dokumentacione. Në 2016 ishte ministri i atëhershëm Nikolla Todorov i cili e riktheu në qendër të vëmendjes dukë thënë se punimet do fillojnë në 2017 dhe do mbarojnë në 2021. Më 19 maj 2017 nënshkruan edhe kontratën me kompanitë “Granit” dhe “Beton” të Maqedonisë si dhe atë italiane “Inso Sistem”.

    Ndryshimi i qeverisë solli edhe ndryshim të marrëveshjeve pasi që ministri i asaj qeverie Arben Taravari deklaroi se promovimi i vazhdueshëm i Qendrës së re Klinike, në fakt kishte qenë një ndërtim vetëm për klinikat interne e jo për Qendër Klinike.

    “Maqedonisë i nevojitet ndërtimi i një Qendre Klinike komplet të re, por duke pasur parasysh që lokacioni i Qendrës aktuale nuk është aspak adekuat pasi duam të ndërtojmë një Qendër Klinike sipas standardeve botërore ku do ketë më shumë hyrje, parking, lidhje mes klinikave, siç e parashohin inxhinierët dhe njohësit e fushës, ndërtimi duhet të bëhet diku në periferi të Shkupit dhe jo në kryeqytet”, kishte deklaruar Taravari.

    Pas zgjedhjes së tij për kryetar të komunës së Gostivarit, në 2017 në vend të tij erdhi Venko Filipce i cili tha se Qendra Klinike do të ndërtohet në Bardovc, afër spitalit psikiatrik.

    “Qendra e re Klinike në mënyrë definitive do fillojë të ndërtohet brenda mandatit të kësaj qeverie. Kjo është dicka që pacientët tanë e meritojnë”, ishte deklarata e ministrit Filipçe aso kohe. Fillimi për ndërtimin e kësaj klinike u paralajmëruar edhe në vitin 2020, kur ministri Filipçe paralajmëroi se ndërtimet do fillonin në atë vit dhe do mbaronin në 2027. Në 1 dhjetor 2021 projekti u fut në Parlament ku me procedurë të shkurtuar u soll vendimi për nevojën e ndërtimit të saj, por që vetëm një muaj më pas opozita me 2000 amendamente e bllokoi propozim-projektin.

    Në maj të 2021 ministri Filipçe kërkoi nga opozita të zhbllokoi ligjin për ndërtimin e kësaj qendre me pretekstin se “qytetarët meritojnë një Qendër Klinike moderne dhe të re, ku në një vend do ti marrin të gjitha ndihmat shëndetësore”.

    Në fund të tetorit 2021, pas dorëheqjes së Zaev, dorëheqje dha edhe ministri Filipçe, ndërsa ministër i Shëndetësisë u caktua Bekim Sali, ku fillimisht paralajmëroi se do ta largonte nga Parlamenti propozim-projektin për Qendrën Klinike, por që në korrik të 2022 ky projekt papritmas hyri në prioritetet e tij.

    “Ai është një projekt shumë kompleks i cili kërkon shumë zgjidhje e mes tyre edhe financiare. Për shkak që nuk kemi zgjidhjen më të mirë financiare për realizimin e këtij projekti, po vazhdojmë me rinovimin e qendrës ekzistuese deri në momentin kur ndërtimi i saj do bëhet i patjetërsueshëm”, ishte deklarata e tij. Për ndërtimin e këtij projekti së fundi u zotua edhe ministri i ri i Shëndetësisë

    Fatmir Mexhiti i cili tha se kanë një projekt të detajuar për ndërtimin e Qendrës Klinike.

    “Do ta shohim kohën dhe tajmingun kur do të dalim para mediumeve dhe kur do të jemi shumë të sigurt. E dimë saktë vizionin, idetë i kemi, vetëm presim komplet projektin, dhe do dalim ta përfaqësojmë para mediumeve”, tha Mexhiti. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PASAPORTA BULLGARE | Bullgaria ua vështirëson shtetësinë maqedonasve

    Lajmi i rradhës

    Studentët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë kushte më të mira

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë