Qeveria as në kohë krize nuk i kurseu qytetarët për rritjen e rrogave dhe honorarëve

    Qeveria as në kohë krize nuk kurseu për rritjen e rrogave dhe honorarëve

    Faturën e krizës së viti të kaluar e paguan qytetarët, të cilët u privuan nga projekte vitale të parashikuara nga qeveria. Rikonstruktimi i objekteve shëndetësore, blerja e pajisjeve mjekësore, ndërtimi i kopshteve dhe shtëpive për të moshuarit, ndërtimi i rrugëve, rindërtimi i konvikteve studentore, si dhe projekte për përmirësimin e Mjedisit u reduktuan, ndërsa qeveria u tregua dorëlëshuar me shpenzimet e tjera si kostot e udhëtimit, pagat, honorarët, të cilat u rritën.

    Këto janë konstatimet e hulumtimit të kryer nga Qendra për Komunikim Qytetar, Shoqata e Këshilltarëve Tatimorë dhe Aktivo mbi pasojat e rritjes së kostove buxhetore të krizës në vitin 2022 në fushat që ndikojnë në jetën e qytetarëve, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë komunal.

    “Për të përballuar shpenzimet shtesë të shkaktuara nga kriza energjetike në vitin 2022, Qeveria dhe komunat sakrifikuan projekte të rëndësishme për qytetarët në vlerë prej së paku 220 milionë euro. Në ndryshim nga reduktimi i projekteve me rëndësi për qytetarët, autoritetet vendore u sollën sikur të mos ishte krizë kur bëhet fjalë për kostot e udhëtimit, pagave, shërbimeve me kontratë dhe punësimit të përkohshëm që madje u rritën në vitin 2022”, thuhet në hulumtim.

    Bëhet fjalë për projekte në vlerë prej 170 milionë eurosh të parashikuara për rinovimin e objekteve shëndetësore, blerjen e pajisjeve mjekësore, ndërtimin e kopshteve dhe shtëpive për të moshuarit, ndërtimin e rrugëve, rindërtimin e konvikteve studentore, si dhe projekte për përmirësimin e Mjedisit, po ashtu edhe 50 milionë euro të tjera projekte kapitale do të realizoheshin nga autoritetet lokale. Po ashtu, për të mbuluar ndikimin e krizës energjetike në investime kapitale në vitin 2022, rreth 28% e shpenzimeve kapitale, pra 130 milionë euro, janë shpenzuar për pagesa që nuk mund të reduktohen në kategorinë “kapitale”, si pagesat ndaj SHA Elektrani për tejkalimin e krizës energjetike, si dhe pagesën e garancive me këste për kreditë për ndërmarrjet shtetërore.

    Totali i detyrimeve financiare të raportuara të subjekteve buxhetore vetëm në vitin 2022 është rritur me 186 milionë euro të reja, pra me 30%, duke arritur në shumën totale prej 800 milionë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë në RMV nuk kanë interesim për politikanët dhe nuk i njohin

    Lajmi i rradhës

    Mërgimtarët e Dibrës të interesuar për investime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë