Është lidhur kontratë midis Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë dhe Porsche Leasing SHPKNJP për prokurimin e 45 automjeteve me anë të lizingut operativ në kohëzgjatje prej 36 muajsh, siç mund të shihet në kontratën e publikuar në ueb-faqen e prokurimeve publike, shkruan Meta.mk
Kontrata është lidhur më 30 prill të këtij viti, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës arrin mbi 139 milionë denarë ose 2,2 milionë euro. Kësti mujor për një automjet do të jetë 1.400 euro. Bëhet fjalë për automjete “Shkoda Superb” – Shkoda New Superb Collection 2.0 TDI, ndërsa çmimi i një veture është rreth 50.000 euro. Është paraparë kilometrazh prej 120.000 për periudhën tre vjeçare për një automjet.
Çmimi për kilometër të kaluar pas 120.000 kilometrave të kontraktuar për 36 muaj për automjet do të jetë 7,50 denarë me TVSH të përfshirë për një kilometër të kaluar.
Duke pasur parasysh se Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja humbi në zgjedhjet parlamentare, automjetet do të trashëgohen nga Qeveria e re të cilën do ta formojë VMRO-DPMNE-ja.
Shpallja për automjetet u bë në mars të këtij viti, ndërsa zëvendës kryeministri Fatmir Bytyqi atëherë deklaroi se nuk ka asgjë kontestuese në prokurimin e automjeteve gjatë procesit zgjedhor e as edhe që SHPPP-ja ka vendosur përsëri për lizing operativ, në vend të blerjes së automjeteve.
“Duhet të pyesni te Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, ato vendosin se si është më sigurt që të transportohen funksionarët. Nga përvoja ime jashtë politikës, lizingu operativ është në gjithë botën mekanizmi më i përdorur për automjete zyrtare sepse në afat të gjatë shpenzimet për mirëmbajtje janë shumë të të ulta. Në BE automjetet zyrtare janë më lizing operativ. Automjetet do të merren në nëntor, sepse ky është aktivitet në plan të rregullt të prokurimeve, është pjesë e programit të Qeverisë, pavarësisht nga procesi zgjedhor. SHPPP-ja shpall procedurë për prokurim në moment të caktuar kur të arrihet kilometrazhi I planifikuar”, deklaroi atëherë Bytyqi.
As Kryeministri teknik Talat Xhaferi nuk shikonte asgjë kontestuese në prokurimin parazgjedhor qeveritar të automjeteve të reja.
“Për periudhën e lizingut për aq za zgjat ose në kohë ose në kilometra, garancioni dhe mirëmbajtja janë të dhënësit të shërbimit, e jo të kërkuesit, në këtë kontekst pesë vite nëse mbeten automjetet në institucion mirëmbajtja do të jetë më e shtrenjtë se sa të bëhet ndërrim mekanik i automjetit sipas kushteve të kontratës”, tha Xhaferi.
Qeveria edhe para tre vitesh mori 45 automjete “Shkoda Superb”, ndërsa çmimi i një automjeti ishte rreth 40 mijë euro.
Praktika e prokurimit të automjeteve zyrtare me lizing filloi prej vitit 2012 edhe përkundër kritikave në publik se çmimi për marrjen me qira të automjeteve të shtrenjta për periudhë 3 vjeçare është thuajse identik me vlerën e tyre nëse blihen dhe voziten për një periudhë më të gjatë kohore, duke pasur parasysh se janë të reja. Në vitin 2012 Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski realizoi prokurim të 30 automjeteve për të cilat janë paguar 860 mijë auro, ose 28 mijë euro për automjet. Prokurimi i dytë është në vitin 2015 përsëri nga qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, ku u bë prokurim i 40 automjeteve “Passat” me lizing, ndërsa një automjet kushtonte 40 mijë euro. Pastaj, qeveria e LSDM-së e vazhdoi praktikën dhe prokuroi 45 “Volkswagen Passat” për të cilat u paguan 1,8 milionë euro.