Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka sjellë vendim, i cili parasheh krijimin e kartelave elektronike (M-Smart Card) për shtetasit (turistët) serb, të cilët do të transitojnë në Korridorin 10 gjatë kohës së sezonit veror, në periudhën prej 15.06.2021 deri 15.08.2021.
Për këtë, Ministria e Financave është obliguar të harxhojë 172 milionë denarë, gjegjësisht 2.7 milionë euro, për përgatitjen e 200 mijë kartelave për turistët serb, të cilët do të lirohen nga pagesat rrugore.
“Në drejtim të premtimit për lirimin e shtetasve të Serbisë nga pikat pagesore gjatë kohës së sezonit veror, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka shqyrtuar dhe miratuar Informacionin e përgatitur nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore dhe Ministria për Transport dhe Lidhje, për përgatitjen e kartelave elektronike (M-Smart Card) për makinat e turistëve nga Serbia, të cilët do të transitojnë në Korridorin 10 gjatë kohës së sezonit veror prej 15.06.2021 deri 15.08.2021”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndërsa Ministria për Punë të Brendshme është obliguar për shpërndarjen e kartelave elektronike tek shtetasit serb, të cilët do të hyjnë në territorin e RMV-së.
Ndryshe, lirimi i turistëve serb nga pagesat rrugore vjen si falënderim nga Qeveria e RMV-së për Serbinë, pasi kjo e fundit i dhuroi vaksina kundër COVID-19, Maqedonisë së Veriut./Nistori/