Qeveria e gatshme të diskutojë për propozimet e partive më të vogla politike

    Foto: Nistori

    Qeveria është e gatshme të diskutojë për propozimet e partive më të vogla politike rreth ndryshimit të Kodit zgjedhor ose modelit zgjedhor. Megjithatë, ministri i Drejtësisë në largim Bojan Mariçiq vlerëson se nuk duhet të ketë kufizim kohor dhe duhet të arrihet konsensus politik.

    Përgjigja e Mariçiq vjen një ditë pasi partitë e vogla thanë se kushtëzojnë veprimin e tyre brenda shumicës parlamentare dhe votimin e Qeverisë së re. Nëse deri më 15 prill nuk diskutohet për modelin me një njësi zgjedhore, ata do ta lëshojnë shumicën.

    “Mendoj se Qeveria është e gatshme për dialog, të gjitha partitë janë të gatshme për dialog. Unë i vlerësoj argumentet edhe të Lidhjes Demokratike edhe të partive të tjera që e kanë mbështetur atë iniciativë. Kam biseduar me to disa herë deri më tani dhe mendoj se edhe ministri i ardhshëm do të ketë mundësi t’i dëgjojë argumentet dhe t’i diskutojmë edhe në Qeveri. Nëse ka vullnet të mirë, mendoj se mund të arrihet gjithçka. Megjithatë nuk është në pyetje vetëm korniza ligjore por edhe votimi i Kodit zgjedhor me konsensus”, tha Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë.

    Në një shkresë dërguar kreut të Kuvendit Talat Xhaferi, deputetët Pavle Trajanov, Maja Moraçanin, Monika Zajkova, Bobi Mojsoski, Ljupço Balkoski dhe Bejxhan Iljas, nga Lidhja Demokratike, Ripërtëritje Demokratike e Maqedonisë, Partia Liberal Demokrate, VMRO-Popullore dhe Partia Demokratike e Turqve, kërkojnë vazhdimin e seancës plenare e cila daton që nga 18 maji i vitit të kaluar dhe në të cilën është propozimi i tyre për një njësi zgjedhore.

    “Duke pasur parasysh rëndësinë e ligjit, ne insistojmë që të caktohet një seancë plenare sa më shpejt dhe të hapet debati për projektligjin. Përndryshe, me ndryshimet propozohet që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë një njësi zgjedhore, me model zgjedhor proporcional dhe pa prag”, thuhet në shkresën dërguar kryetarit të Kuvendit

    Negociatat për Kodin zgjedhor kanë filluar që vitin e kaluar por nuk dihet nëse do të vazhdojnë. Mariçiq tha se nuk është hequr dorë nga ideja e krijimit të një ligji tërësisht të ri.

    “Mendoj se është koha të hapet ai dialog sa më shpejt dhe këtë vit mundemi të miratojmë Kod të ri zgjedhor ose ndryshim të kodit aktual por meqë ka pasur shumë ndryshime deri tani ndoshta është më mirë që të gjithë ata ndryshime, të bashkohen me ndryshimet e deritanishme në një Kod të ri zgjedhor”, pohoi Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë. Qeveria e re pritet të votohet të dielën. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Poroshenko nuk shqetësohet nëse do të arrestohet pas kthimit në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Pse dëshirojmë të udhëtojmë, historia e pa rrëfyer se si u bëmë turistë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë