Qeveria e re nuk do ta gjejë në kryeministri Zoran Zaevin!

    Qeveria e re nuk pritet të zgjedhet para janarit. Pas zgjedhjeve brendapartiake për kryetar të LSDM-së më 12 dhjetor, vijon periudha për ankesa dhe më vonë procedurat për verifikimin e mandatit të tij brenda organeve të partisë.

    Zgjedhjes së kryetarit do t’i pasojë zgjedhja e nënkryetarëve dhe organeve të tjera të partisë. E gjithë procedura pritet të zgjasë deri në fund të muajit dhjetor. Nga LSDM-ja thonë se proceset do të diktojnë njëra tjetrën dhe për këtë nuk ka një periudhë të definuar në mënyrë precize.

    “Fillimisht të zgjidhet kryetari dhe pastaj organet e partisë. Më pas organet e partisë do të sjellin vendime të këtilla. Shpresojmë në zgjidhje të shpejtë edhe të çështjeve të rëndësishme për fillimin e negociatave me BE-në. Të gjithë këto procese do të jenë në kuadër të këtyre proceseve të planifikuara dhe të thëna publikisht nga kryeministri dhe kryetari aktual Zoran Zaev”, ka thënë Zhaklina Llazarovska nga LSDM.

    Në garë për të parin e LSDM-së janë Dimitar Kovaçevski, Frosina Remenski dhe Jovan Despotovski. Kovaçevski ka mbështetjen e Zaevit i cili madje nuk nguron t’i drejtohet si mandatar i ardhshëm.

    Pasi të përfundojnë proceset brendapartiake, Zoran Zaevi njoftoi se do të deponojë në Kuvend dorëheqjen e tij nga pozita e kryeministrit. Pasi të konstatohet dorëheqja e Zaevit, konstatohet dorëheqja e të gjithë qeverisë.

    Kreu i Kuvendit njofton presidentin se kryeministri është dorëhequr dhe presidenti, në afat prej dhjetë ditësh, duhet t’i japë mandatin partisë ose partive që kanë shumicën. Mandatari i ri duhet të propozojë kabinetin e ri qeveritar dhe programin e Qeverisë para deputetëve në Kuvend.

    Jozyrtarisht, edhe partitë politike të shumicës parlamentare besojnë se gjysma e dytë e janarit pritet të jetë periudha e konkretizimit të gjithë këtyre procedurave. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Vilet e dëshpërimit

    Lajmi i rradhës

    Mianmarin dënohet për korrupsion, shkelje të ligjit për sekrete shtetërore, BE e quan vendim të motivuar politikisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë