Mianmarin dënohet për korrupsion, shkelje të ligjit për sekrete shtetërore, BE e quan vendim të motivuar politikisht

    Një gjykatë në Mianmar e dënoi me katër vjet burgim lideren e rrëzuar nga pushteti, Aung San Suu Kyi. Ajo u gjet fajtore për nxitje kundër ushtrisë dhe shkeljen e kufizimeve kundër COVID-19.

    Vendimi i 6 dhjetorit po shihet si vendimi i parë gjyqësor në një seri dënimesh që mund ta burgosin për dekada të tëra 76-vjeçaren, Suu Kyi, partia e së cilës u rrëzua nga pushteti përmes një puçi ushtarak në muajin shkurt.

    Që prej puçit ushtarak, Suu Kyi ka qëndruar në arrest shtëpiak dhe ndaj saj janë ngritur 11 akuza përfshirë edhe akuza për korrupsion, mashtrim në zgjedhje, shkelje të ligjit për sekrete shtetërore dhe shkelje të protokolleve kundër koronavirusit.

    Ende është e paqartë nëse Suu Kyi do të dërgohet në burg për ta vuajtur dënimin.

    Ekipi i saj ligjor i mohon të gjitha akuzat.

    Ish-presidenti i Mianmarit, njëherësh anëtar i partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci, Win Myint po ashtu u dënua me katër vjet burgim nën akuzat e njëta si Suu Kyi.

    Organizata Amnesty International tha më 6 dhjetor se “dënimet e ashpra ndaj Aung San Suu Kyies për këto akuza false janë shembulli i fundit i vendosmërisë së ushtrisë për ta eliminuar të gjithë opozitën dhe për të ngufatur liritë në Mianmar”.

    Një prej akuzave që u dënua Suu Kyi thoshte se ajo ka nxitur trazira duke bërë thirrje për të kundërshtuar grushtshtetin, thirrje të cilat i kishte lëshuar partia e saj, pasi Suu Kyi veçse ishte në arrest shtëpiak.

    Po ashtu, gjykata e gjeti fajtore atë për shkeljen e kufizimeve të vendosura kundër pandemisë, pasi ajo kishte përshëndetur me dorë një grup të mbështetësve gjatë fushatës për zgjedhjet e mbajtura vitin e kaluar, teksa kishte pasur maskë dhe mbrojtëse të fytyrës.

    “Vendim i motivuar politikisht”

    Shefja për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Michelle Bachelet dënoi juntën e Mianmarit për dënimin e Aung San Suu Kyi.

    “Dënimi i saj pas një gjyqi mashtrues, me procedura të fshehta para një gjykate të kontrolluar nga ushtria nuk është asnjë tjetër veçse një dënim i motivuar politikisht”, tha Bachelet përmes një deklarate.

    “Nuk ka bëjë vetëm me një ndalim arbitrar të lirisë së saj, por po ashtu mbyll edhe një derë për dialog politik”, shtoi ajo.

    Ndërkaq, Bashkimi Evropian tha se dënimi i Suu Kyis përbën “shkelje flagrante të të drejtave të njeriut”.

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell në emër të 27 shteteve anëtare të bllokut, tha se dënimi i Suu Kyis “paraqet një hap përpara shkatërrimin e sundimit të ligjit”.

    “Bashkimi Evropian dënon fuqishëm këtë dënim të motivuar politikisht, që përbën një kthim të madh prapa për demokracinë në Mianmar, që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit”, tha Borrell.

    “Veprimet e ushtrisë përbëjnë përbuzje të plotë të vullnetit të popullit, që është shprehur qartazi në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020”, shtoi ai.

    Borrell tha se është e domosdoshme që autoritetet ushtarake të Mianmarit të lejojnë kthimin e shtetit në rrugën e demokracisë.

    Suu Kyi, që është edhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe, ka luajtur rol kyç në demokratizimin e pjesshëm të Minamarit, që më herët njihej me emrin Burma.

    Nën juntën ushtarake, që u rivendos pasi ushtria rrëzoi udhëheqësit e vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, anëtarë të tjetër të lartë të partisë së Suu Kyies, Lidhjes Kombëtare për Demokraci, po ashtu janë dënuar me dënime me burg.

    Ushtria në Mianmar mori pushtetin pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e përgjithshme, që u mbajtën vitin e kaluar dhe të cilat i fitoi partia e Suu Kyi.

    Megjithatë, vëzhguesit e pavarur zgjedhorë kanë thënë se këto zgjedhje kanë qenë të lira dhe fer.

    Puçi ushtarak nxiti protesta dhe ushtria e Mianmarit i ka shtypur ato duke arrestuar protestues, aktivistë dhe gazetarë.

    Suu Kyi dhe mbi 10,600 persona janë arrestuar që prej puçit ushtarak të shkurtit, ndërkaq të paktën 1,303 persona janë vrarë gjatë protestave, ka thënë Shoqata për Ndihmë të të Burgosurve Politikë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria e re nuk do ta gjejë në kryeministri Zoran Zaevin!

    Lajmi i rradhës

    Rastet e montuara politike në RMV dhe marrëveshja Zaev – Gashi, ekspertët: Vështirë e realizueshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë