Qeveria flet me statistika, por kuleta e zbrazët dëshmon krizën e standardit jetësor në RMV

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Statistikat thonë një gjë, kuleta një tjetër. Përderisa Qeveria pretendon se inflacioni është stabilizuar dhe se nuk ka nevojë për masa të reja për çmimet, opozita dhe sindikatat paralajmërojnë se jeta e përditshme e qytetarëve po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Në qendër të debatit këto ditë u gjendën të dhënat e Eurostatit për fuqinë blerëse, të cilat Qeveria i theksoi si dëshmi të progresit, pavarësisht pretendimeve se rritja e çmimeve po vazhdon ta gërryejë standardin jetësor, shkruan DW, përcjell Nistori.

    Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, vlerëson se inflacioni dhe çmimet për momentin janë nën kontroll dhe se nuk ka nevojë për vendosjen e masave të reja.

    Të dhënat e fundit zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se në korrik të vitit 2026 inflacioni në nivel mujor ka qenë 0,1 për qind, gjë që, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, konfirmon se lëvizjet e çmimeve mbeten stabile dhe se nuk ka tronditje të dukshme në treg.

    „Për momentin, indikatorët zyrtarë nuk flasin për nevojën e vendosjes së masave të reja ndërhyrëse, sepse lëvizjet e çmimeve janë stabile, ndërsa në kategorinë më të rëndësishme, atë të ushqimit, tashmë për të dytin muaj radhazi po shënohet ulje e çmimeve“, thonë nga Ministria.

    Çmimet janë stabile – nuk ka nevojë për masa të reja ndërhyrëse

    Nga Ministria theksojnë se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së standardit jetësor dhe fuqisë blerëse të qytetarëve.

    „Nëse do të ketë tronditje të reja dhe të pajustifikuara të çmimeve apo çrregullime në treg, ne do të reagojmë me kohë dhe do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion për të siguruar kushte të drejta në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve“, thanë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

    Sipas Ministrisë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe gjatë muajit korrik ka vazhduar trendi i uljes së çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat janë ulur me 1,1 për qind krahasuar me muajin e kaluar.

    „Ky është korrigjimi i dytë mujor radhazi në këtë kategori dhe paraqet sinjal pozitiv, duke pasur parasysh se pikërisht ushqimi ka ndikimin më të madh në buxhetin familjar dhe standardin jetësor të qytetarëve. Rritja e shpenzimeve të jetesës në muajin korrik kryesisht është pasojë e lëvizjeve sezonale, para së gjithash në transport, ku është regjistruar rritje prej 4,4 për qind, si dhe në rekreacion, sport dhe kulturë, kategori të cilat tradicionalisht shënojnë konsum më të lartë gjatë periudhës së verës“, thonë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

    Nga Ministria shtojnë se, në nivel vjetor, inflacioni është 2,3 për qind, ndërsa çmimet me pakicë janë 1,8 për qind më të larta krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Sipas Ministrisë, bëhet fjalë për një nivel dukshëm më të moderuar të inflacionit krahasuar me periudhat kur shteti përballej me presione të fuqishme mbi çmimet, të shkaktuara nga kriza globale energjetike dhe ajo e çmimeve.

    Çfarë tregojnë të dhënat e Eurostatit?

    Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, këto ditë iu referua të dhënave më të reja të Eurostatit dhe deklaroi se fuqia blerëse në Maqedoninë e Veriut është më e lartë se në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe në të gjitha vendet e rajonit.

    „Maqedonia nuk është më e dobëta, por është shumë më mirë se disa vende të BE-së dhe se të gjitha vendet e rajonit kur bëhet fjalë për fuqinë blerëse të qytetarëve. Nëse kjo krahasohet me shifrat e para tri apo katër viteve, mund të vërehet një progres i dukshëm“, deklaroi Mickoski.

    Vlerësim të ngjashëm dha edhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, i cili theksoi se, sipas të dhënave më të reja të Eurostatit, vlera e pagës minimale bruto në Maqedoninë e Veriut, e matur sipas fuqisë blerëse, është më e lartë se në shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

    Sipas Eurostatit, Maqedonia e Veriut, me 1.142 njësi të standardit të fuqisë blerëse, renditet para Maltës, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë. Gjithashtu, vendi ka regjistruar rritjen më të madhe të pagës minimale ndër shtetet e analizuara në gjysmën e parë të vitit 2026, me një rritje prej 6,9 për qind.

    LSM: Maqedonia vazhdon të jetë në fund të Evropës për nga paga minimale

    Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), nga ana tjetër, paralajmëron se të dhënat për fuqinë blerëse nuk duhet ta eklipsojnë faktin se vendi vazhdon të jetë ndër shtetet me pagën minimale më të ulët në Evropë.

    Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, në një deklaratë për DW, thotë se të dhënat e reja krahasuese evropiane për korrikun e vitit 2026 e konfirmojnë edhe një herë atë që sindikata e ka theksuar prej vitesh.

    „Maqedonia vazhdon të jetë në fund të Evropës për nga lartësia e pagës minimale. Të dhënat e reja krahasuese evropiane për korrikun e vitit 2026 e konfirmojnë edhe një herë atë që thotë LSM-ja, e kjo është se punëtorët në Maqedoni janë ndër më pak të paguarit në Evropë“, thotë Trendafillov.

    Ai thekson se, sipas lartësisë së pagës minimale bruto, Maqedonia e Veriut, me 624 euro, përkatësisht rreth 421 euro neto, gjendet pothuajse në fund të listës evropiane.

    „Për krahasim, paga minimale është 743 euro në Serbi, 670 euro në Malin e Zi, 1.050 euro në Kroaci, 1.482 euro në Slloveni, ndërsa 2.771 euro në Luksemburg“, thekson kryetari i LSM-së.

    Fuqia blerëse nuk do të thotë se punëtorët jetojnë më mirë

    Trendafillov vlerëson se të dhënat për fuqinë blerëse nuk duhet të përdoren si argument se punëtorët jetojnë më mirë.

    „Edhe pse, sipas përllogaritjeve të fuqisë blerëse, Maqedonia ka një vlerë prej 1.142, që e vendos disi më lart në listë, kjo nuk duhet të jetë arsye për kënaqësi, sepse nuk ka punëtor që do të thotë se me pagën minimale në Maqedoni jetohet më mirë se në vendet e tjera evropiane“, thekson ai.

    Si argument, ai përmend edhe të dhënat për shportën minimale sindikale.

    „Vlera e shportës për muajin korrik është 68.498 denarë, ndërsa paga minimale neto është 26.046 denarë. Kjo do të thotë se paga minimale mbulon vetëm 38,02 për qind të vlerës së shportës dhe se për mbulimin e saj nevojiten 2,63 paga minimale. Pjesën më të madhe e përbëjnë shpenzimet për ushqim dhe pije, të cilat arrijnë në 25.012 denarë“, thekson Trendafillov.

    Sipas tij, fuqia blerëse paraqet një tregues statistikor që krahason vlerën e pagave në raport me çmimet, por nuk e ndryshon realitetin me të cilin përballen çdo ditë punëtorët.

    „Fuqia blerëse nuk do të thotë se punëtorët jetojnë më mirë, por vetëm krahason vlerën e pagave në raport me çmimet. Realiteti është se punëtorët e Maqedonisë vazhdojnë të marrin një nga pagat minimale më të ulëta në Evropë, ndërsa çdo ditë përballen me shpenzime të larta për ushqim, banim, energji dhe nevoja të tjera bazë të jetesës“, thotë kryetari i LSM-së.

    Ai shton se shqetësues është edhe fakti që shumë produkte dhe shërbime nuk janë liruar, pavarësisht uljes së çmimeve të një pjese të energjensëve dhe karburanteve.

    „Kjo do të thotë se barra e krizave përsëri bie mbi kurrizin e punëtorëve“, vlerëson Trendafillov.

    LSM-ja përsëri bën thirrje për rritje të vazhdueshme të pagës minimale dhe të pagave të tjera.

    „Përderisa Evropa i rrit pagat minimale, Maqedonia nuk duhet të mbetet vend me fuqi të lirë punëtore. Punëtorët krijojnë vlerë dhe meritojnë pagë me të cilën do të jetojnë me dinjitet, e jo vetëm të mbijetojnë“, porositi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

    Standardi jetësor është në rënie

    Edhe partia opozitare „E Majta“ vlerëson se deklaratat e Qeverisë nuk përputhen me realitetin që qytetarët e ndiejnë çdo ditë.

    „Është shqetësuese deklarata e zëvendësministrit të Ekonomisë, Marjan Risteski, se nuk ka nevojë për korrigjim të çmimeve në markete dhe për ndërhyrje më të fuqishme të shtetit“, thonë nga „E Majta“.

    Nga partia pyesin se kur ka qenë hera e fundit që një funksionar qeveritar ka qenë në market për t’u bindur personalisht për rritjen e çmimeve dhe pretendojnë se institucionet nuk po e kryejnë në mënyrë efikase rolin e tyre rregullator.

    Nga „E Majta“ rikujtojnë se shporta sindikale e konsumit është rritur nga 72.538 denarë në vitin 2024 në 84.024 denarë në vitin 2026, që paraqet një rritje prej pothuajse 12.000 denarësh brenda dy vjetësh.

    Sipas partisë, më shumë se 72 për qind e të punësuarve marrin pagë më të ulët se paga mesatare, ndërsa rritja e shpenzimeve të jetesës ua zvogëlon fuqinë blerëse qytetarëve.

    Nga partia opozitare LSDM vlerësojnë se Qeveria po i interpreton gabimisht të dhënat e Eurostatit dhe se gjendja në terren paraqet një tablo tjetër. Nga partia theksojnë se një punëtor me pagë minimale në Maqedoninë e Veriut mund të blejë dukshëm më pak naftë sesa një punëtor në Slloveni, Kroaci apo Mal të Zi.

    „Kjo nuk është fuqi blerëse. Kjo është varfëri. Qytetarët e shohin të vërtetën në pompat e benzinës dhe në dyqane. Statistikat nuk mund ta bindin qytetarin se po jeton më mirë sesa jeton në realitet“, reagojnë nga LSDM-ja.

    Nga partia paralajmërojnë edhe për shtrenjtime të mundshme të energjensëve dhe thonë se garancitë e Qeverisë për stabilitet nuk janë të mjaftueshme për t’i qetësuar qytetarët.

    Lajmi Paraprak

    Inteligjenca artificiale dhe planifikimi i pushimeve

    Lajmi i rradhës

    IShP Maqedoni kërkon shmangien e punës në diell nga ora 11:00 deri në 17:00

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë