Qeveria i kërkon KE-së dhe presidencës franceze të ndihmojnë në përshpejtimin e zgjidhjes mes Shkupit dhe Sofjes

    Maqedonia e Veriut gjatë presidencës franceze pret angazhim të përforcuar nga Komisioni Evropian  për të ndihmuar në zhbllokimin e procesit të zgjerimit.

    Këtë e kërkoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij zyrtare në Bruksel. Kovaçevski e ka informuar presidenten e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen, për grupet e punës me Bullgarinë.

    Siç komunikojnë nga ekzekutivi, nga grupet e punës priten rezultate konkrete të cilat do të përkthehen në udhërrëfyes i cili do ta përshpejtojë procesin e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

    Përfshirja e KE-së dhe presidencës franceze në këtë proces është me rëndësi kyçe që të mundësohet gjetja e zgjidhjeve në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane, komunikojnë nga Qeveria.

    “Angazhimi i të dy vendeve për gjetjen e zgjidhjes dhe intensifikimin e dialogut është përshëndetur qartë. Në bisedime me miqtë tanë Sharl Mishel në Këshillin Evropian dhe Roberta Metsolla në Parlamentin Evropian është konfirmuar mbështetja për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Këtu të gjithë janë të mendimit se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë negociatat për anëtarësim në BE menjëherë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Presidenti Stevo Pendarovski nga ana tjetër, gjatë aktiviteteve ditore në Shkup, komentoi qasjen e kryeministrit bullgar ndaj vendit. Sipas tij, Petkov në asnjë moment nuk e ka përkeqësuar situatën por është përmbajtur konotacionit të brendshëm të vendit të tij rreth kësaj çështje.

    “Unë mendoj se Petkovi nuk merret me individin, nuk ofendon dhe nuk ndjek retorikën e cila, nëse e mbani mend, deri dje, ishte rutinë standarde ditore, posaçërisht për disa ministra të qeverisë së kaluar. Të ju them sinqerisht, nga ajo që e dëgjoj nga Petkov javët e fundit që kur është kryeministër është si të flasë Nelson Mandella, në krahasim me atë si flisnin disa ministra të qeverisë së kaluar të Borisovit, kur kishim sasi ditore ofendimesh ndaj nesh si popull”, u shpreh presidenti Pendarovski.

    Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski bëri të ditur detaje nga takimi i para dy javëve me kryeministrin bullgar në Shkup. Sipas tij, ka çështje që për to janë të papranueshme.

    “Bullgarët nga unë nuk kanë kërkuar të heq dorë nga asgjë. E përmendën atë që e thanë edhe në opinion për ndryshimin e Kushtetutës që të përfshihet një pjesë e popullit bullgar i cili në Maqedoni është pakicë shumë e vogël. Këtë e kërkuan. Për këtë nuk janë të gatshëm për reciprocitet për një pjesë të konsiderueshme të popullit tonë maqedonas që jeton brenda kufijve të fqinjit tonë. Dhe nuk janë të gatshëm ta heqin fusnotën nënçmuese nga gjuha maqedonase e cila është e kodifikuar dhe e ndryshme dhe e pavarur nga gjuha bullgare”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk arrihet marrëveshja për pagën minimale për 18 mijë denarë

    Lajmi i rradhës

    Xherdan Shaqiri kërkon largimin prej Lyonit për t’u transferuar në Amerikë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë