Qeveria nuk i ka numrat, ani se është “pro” hapjes së Kushtetutës

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Qeveria është e gatshme të hap Kushtetutën dhe në preambulë të përfshinë pakicën bullgare dhe jo vetëm. Megjithëse ky vendim kushtëzohet me hapjen e negociatave, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani thotë se nuk ka asgjë kundër që bullgarët, kroatët dhe pakicat e bashkësitë e tjera të jenë pjesë e preambulës, shkruan Nistori.

    “Ajo do të bëhej në kuadër të respektimit të lirive dhe të drejtave dhe sundimit të ligjit. Kështu e parashikon rregullativa Evropiane. Në propozimin francez askund nuk përmendet fjala bullgare, por i referohet pakicave dhe bashkësive. Personalisht mendoj se neve nuk kemi asgjë kundër, madje mendoj se është një vlerë e shtuar që t’i kemi të gjitha pakicat brenda Preambulës. Maqedonia e Veriut nuk e ka këtë problem. Këtë e dëshmojnë edhe raportet vjetore pozitive të Komisionit Evropian”, tha ministri Osmani në një takim me gazetarët.

    Por sa të mundura janë ndryshimet kushtetuese derisa opozita nuk pajtohet me qasjen e Qeverisë në raport me Bullgarinë dhe kontestin i cili po bllokon rrugën euro-integruese të vendit. Aktualisht numrat nuk janë në favor të pushtetit, pasi për të ndërhyrë në Kushtetutë nevojiten 80 vota në Kuvend. Shumica parlamentare momentalisht gëzon 64 deputet (LSDM, BDI, Alternativa), ndërsa sipas deklarimeve do të kishte edhe mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët (8 deputet) dhe dy vota të Lëvizjes Besa, duke e çuar numrin e deputetëve pro ndryshimeve në 74.

    SHUMICA PARLAMENTARE 
    LSDM32
    BDI15
    Alternativa3
    Partia Liberal Demokrate2
    Partia e re socialdemokrate2
    PDSH1
    Partia e Pensionistëve1
    Partia Demokratike e Turqve1
    Lidhja Demokratike1
    Partia për Lëvizjen e Turqve1
    Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë1
    Partia Serbe në Maqedoni1
    VMRO- Partia Popullore1
    Kastriot Rexhepi1
    Skender Rexhepi1
    Numrat e deputetëve të partive në shumicën parlamentare
    OPOZITA 
    VMRO-DPMNE44
    Aleanca për Shqiptarët8
    Lëvizja Besa2
    E Majta2
    Numrat e deputetëve të partive opozitare

    Opozita maqedonase (VMRO-DPMNE dhe E Majta) kanë bashkërisht 46 vota në Kuvend, por qëndrimi i tyre i deritanishëm ishte i prerë: nuk mbështesin ndryshime kushtetuese të cilat burojnë nga propozimi francez, ose siç thonë ata nga “bullgarizimi i Maqedonisë”.

    Presidenti Stevo Pendarovski vlerëson se çdo tentativë i ndryshimeve kushtetuese pa përfshirjen e opozitës në proces, nuk do të kishte sukses dhe nuk do të ishte në të mirë të proceseve.

    “Nëse vjen deri te ndryshimi i Kushtetutës, gjëja më e mirë është që ajo të bëhet në bashkëpunim me opozitën”, tha presidenti Stevo Pendarovski.

    Opozita shqiptare duke paralajmëruar se 20 përqindëshi do të jetë temë diskutimi, vlerëson se përfshirja e bullgarëve në preambulë nuk sjell asnjë dëm për shtetin, shoqërinë dhe grupet etnike në vend.

    “Neve prej në fillim jemi deklaruar si ASh që po në preambulë duhet të jenë bullgarët”, u deklarua ditë më parë kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

    Në vitin 2019 kur u bë ndryshimi emrit kushtetues në përputhje më Marrëveshjen e Prespës, pushteti kishte në mungesë 8 vota. Aso kohe ish kryeministri Zoran Zaev arriti të siguron numrat e nevojshëm duke vendosur Kuvendin para aktit të kryer i cili u detyrua të sjell Ligj për amnisti ndaj 8 personave, të akuzuar për cenim terrorist të rendit kushtetues më 27 prill të vitit 2017 në Kuvend. 8 deputetët e siguruar ishin të VMRO-DPMNE-së të cilët më pas u përjashtuan nga ky subjekt. Aso kohe opozita e cila sapo kishte filluar të udhëhiqej nga Hristijan Mickoski akuzoi pushtetin se përmes kërcënimeve, presioneve, shantazheve dhe parave arriti t’i siguron votat e nevojshme. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Komunat kanë filluar të rritin pagat e punonjësve

    Lajmi i rradhës

    Departamenti i Shtetit: Hapni bisedimet për Shkupin dhe Tiranën!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë