Qeveria nuk përgjigjet për borxhet e komunave, Ivanovska: Mos mbledhja e tatimeve, shkelje e madhe

    Foto: Lirim Shabani

    Qeveria ende nuk përgjigjet në pyetjet e televizionit Alsat se a ka kërkuar llogari nga komunat për borxhet e tyre të larta, duke qenë se disa herë ekzekutivi ka ndarë para nga buxheti për të ndihmuar komunat e zhytura në borxhe. Një prej tyre është edhe komuna e Haraçinës, disa nga kryetarët e së cilës një ditë më parë pranuan se në këtë komunë nuk ka pasur as software për mbledhje të tatimit mbi pronën. Nga Komisioni Antikorrupsion thonë se në këtë rast bëhet fjalë për shkelje të madhe në sistem.

    “Nuk jemi të informuar për këtë situatë. Duket se bëhet fjalë për lëshim të madh në sistem. Pyetja është se a ka qenë ndonjëherë i instaluar ai software, a është përdorur apo asnjëherë nuk është instaluar. Pra ka një sërë pyetjesh që duhet të marrin përgjigje fillimisht, që më pas të mund themi nëse ka keqpërdorim të detyrës zyrtare nga mospërdorimi i software-it apo keqpërdorim për fatin që asnjëri nuk është angazhuar të instalojë një të tillë”, deklaroi Biljana Ivanovska – Komisioni Antikorrupsion.

    Muzafer Bislimi, i cili në krye të kësaj komunë ka qenë në vitin 2006 deri në vitin 2009, përgënjeshtron pasardhësit e tij duke thënë se kur ai ka drejtuar me komunën janë regjistruar 1800 shtëpi dhe është mbledhur 10% e tatimit mbi pronën. Ai thotë se faji është tek kryetarët që kanë ardhur pas tij, të cilët, siç thotë, nuk kanë vazhduar dhe as nuk kanë përforcuar këtë sistem.

    “Ato para janë të regjistruara dhe mund të vërtetohet kjo në arkivin e komunës. Ekziston kjo, besoj se ekziston nëse nuk e kanë shkatërruar. Ato që kanë ardhur pas meje është dashur që atë që e kanë gjetur ta mbi ndërtojnë dhe ta forcojnë edhe më tepër. Nga të gjithë kryetarët nuk di të më jetë drejtuar ndonjëri për sqarime se a ka pasur apo jo të dhëna. Kryetari që ka ardhur pas meje, sigurisht që i kam treguar se ka të dhëna”, u shpreh Muzafer Bislimi- ish kryetar i Haraçinës.

    Megjithatë, Basri Bajrami i cili komunën e mori pas Muzafer Bislimit, demanton këtë të fundit por edhe kryetarin aktual, Ridvan Ibraimin i cili tha se asnjë njeri nuk ishte marrë me mbledhjen e tatimit mbi pronën.

    “Nuk është e vërtetë se nuk kemi lëshuar vendime për pagesë të tatimit mbi pronën. Shërbimet e administratës e kanë gjithë dokumentacionin dhe mund të japin detaje.
    – Kur keni marrë mandatin, a ju ka informuar z. Bislimi se në komunë ka databazë më të dhëna nga mbledhja e tatimit?
    – Jo.”, u përgjigj Basri Bajrami- ish-kryetar i Haraçinës.

    Komuna e Haraçinës është ndarë nga ajo e Gazi Babës në vitin 1996, ndërsa decentralizimi është bërë në vitin 2005, prej kur vet komunat do të ishin përgjegjëse për mbledhjen e tatimeve nga banorët. Për momentin askush nuk jep të dhëna nëse dha sa para janë arkëtuar gjatë këtyre viteve në llogarinë e komunës nga pagesa e tatimit mbi pronën. Ajo që nga një hulumtim i Qendrës për Komunikime Civile i publikuar në mars të vitit të kaluar është se gjatë vitit 2017, 2018 dhe 2019 komuna e Haraçinës ka mbledhur 0 denar nga tatimet mbi pronën.

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti nuk i din arsyet e ngecjeve për shtetësinë

    Lajmi i rradhës

    Si kanë lëvizur çmimet e derivateve të naftës në RMV në dy vitet e fundit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë