Qeveria përfundon procedurat për furnizimin urgjent të ilaçit për fibrozën cistike

    Foto: Nistori

    Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut informon opinionin se procedurat administrative që ishin të nevojshme për blerjen e menjëhershme të medikamentit Trikafta për pacientët më kritikë që vuajnë nga fibroza cistike kanë përfunduar edhe atë në afat sa më të shkurtër.

    “Dorëzimi i medikamentit Trikafta për këta pacientë pritet të realizohet nga furnizuesi, në periudhën më të shpejtë të mundshme, jo më të gjatë se 30 ditë, sipas procedurave të punës së prodhuesit dhe furnizuesit, ndërsa të ndërlidhur me specifikat e vetë medikamentit. Për këtë qëllim javën e kaluar nga Fondi i Shëndetësisë janë miratuar mbi 2.2 milionë euro dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse, në ditët e kaluara kanë përfunduar të gjitha procedurat që mundësojnë blerjen e menjëhershme të pandërprerë të medikamentit Trikafta për pacientët në gjendje kritike që vuajnë nga fibroza cistike”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

    Prej atje njoftojnë se gjatë ditës së sotme në Qeveri do të mbahet takim i dytë i organit të posaçëm në të cilën janë përfshirë drejtpërdrejt institucionet dhe përfaqësues nga Shoqata për Fibrozë Cistike.

    “Në takimin e sotëm, në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, pritet të finalizohen ndryshimet e nevojshme në zgjidhjet ligjore, të cilat do t’i mundësojnë shtetit të negociojë drejtpërdrejt për furnizimin e medikamentit Trikafta dhe në këtë mënyrë të sigurohet medikamenti për të gjithë pacientët. Me këto ndryshime në rregulloret ligjore ekzistuese, të cilat grupi i punës pritet t’i përfundojë deri në fund të javës, jepet një zgjidhje sistematike, sepse shteti do të mund të sigurojë terapinë e nevojshme përmes negociatave të drejtpërdrejta me prodhuesin e medikamenteve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Pacientët me vite e kërkojnë këtë ilaç, madje me protestë, megjithatë deri tani nuk është furnizuar.

    Më 8 shkurt ndërroi jetë pacienti i sëmurë rëndë nga sëmundja e rrallë e fibrozës cistike, Bllagojçe Ilievski.

    Një ditë më vonë, anëtarët e Asociacionit për Fibrozë Cistike u mblodhën para Qeverisë për të shprehur revoltën e tyre ndaj mosfurnizimit të këtij ilaçi të nevojshëm.

    “Është fatkeqësi që në shekullin 21 kemi ilaç për fibrozë cistike, ndërkaq njerëzit vdesin nga kjo sëmundje. Nuk duhej të vdiste Bllagojçe dhe pastaj gjatë natës të gjenden paratë”, tha Ivana Vasilevska nga Asociacioni për Fibrozë Cistike.

    Pas protestës, anëtarët e Asociacionit u takuan me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili u garantoi se janë siguruar mjetet dhe se shteti do të sigurojë ilaçin e nevojshëm. /Portalb/

    Lajmi Paraprak

    Nuk përjashtohet bashkëpunimi midis Gashit dhe Kasamit

    Lajmi i rradhës

    Më zu një mall

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë