Qeveria po harmonizon Ligjin e Shtetësisë me direktivat e BE-së

    Qeveria akoma nuk ka harmonizuar propozim-Ligjin e Shtetësisë me direktivat e Bashkimit Evropian. Ekspertët brenda organit ekzekutiv po harmonizojnë tekstin e ligjit me kodet mbi të cilat bazohet vendosja e yllit evropian. Pas përpunimit teknik i njëjti do të dorëzohet në Kuvend për miratim.

    Ju informojmë se përpunimi teknik nga ana e disa institucioneve kompetente është duke u zhvilluar dhe pas përfundimit të tyre i njëjti do të dorëzohet për miratim në Kuvend. Presim që këto ndryshime teknike të përfundojnë shumë shpejtë – tha Muhamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.

    Propozuesi i ndryshimeve ligjore në Qeveri, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski nuk komentoi pritjet nëse ndryshimet mund të miratohen para se Kuvendi të shkojë në pushim vjetor.

    Kjo është punë e Kuvendit dhe nuk është falënderuese që unë të flas në emrin e tyre. Ne e bëmë punë tonë. Punën e Kuvendit e planifikon kryetari Kuvendit dhe deputetët. Ashtu siç ata vlerësojnë dinamikën e punës ashtu do të veprojnë – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

    Ndërkohë opozita akuzon pushtetin për keqpërdorimin e yllit evropian. Sipas saj, keqpërdorimi i flamurit të BE-së do të ndikojë negativisht në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

    Keqpërdorim potencial i yllit evropian. Është mirë që Qeveria ta shpjegojë cila direktivë ose rregullativë e BE-së përputhet me legjislacionin tonë që ky ligj të meritojë yllin evropian. Në të kundërtën është vetëm keqpërdorim i procedurave parlamentare dhe do t’i sjell dëm Maqedonisë pasi një veprim i tillë do të evidentohet në raportet e BE-së – tha Timço Mucunski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Qeveria në mbledhjen e fundit vendosi mbi propozimin e Ligjit të Shtetësisë duke i bashkëngjitur yllin evropian. Ky veprim i organit ekzekutiv erdhi pas presionit të opozitës shqiptare ASH-AAA e cila paralajmëroi bllokadë totale të Kuvendit në rast e propozim-Ligji i Shtetësisë nuk miratohet mbi bazën e marrëveshjes së liderëve Zaev-Sela-Gashi./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Në vend të “Zonja dhe zotërinj” do të përdoret “Të nderuar mysafirë”

    Lajmi i rradhës

    Pa certifikatë vaksinimi, nuk mund të jeni pjesë e ngjarjeve publike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë